TAGS-AT E JAVËS

Forum17 Tetor 2025, 16:53

Të kthejmë universitetet në ndërtimin e së ardhmes!

Shkruar nga Prof. Dr. Tonin Gjuraj

Të kthejmë universitetet në ndërtimin e së ardhmes!

Të vihemi në dispozicion të një reformimi të thellë të arsimit të lartë. Ata që do të jenë pjesë e hartimit të ligjit të ri nuk duhet të kenë interes personal për pozicione drejtuese. Vetëm kështu shërbejmë interesit publik. Duhet bërë çdo sakrificë, mjafton që Reforma të ndodhë!

Universiteti “Luigj Gurakuqi” është një nga institucionet më të hershme të arsimit të lartë në Shqipëri; moshatar me Universitetin e Tiranës, që prej vitit 1957, por i vetmi pol i dijes në veriun dhe verilindjen e vendit. Ai mban mbi supe një trashëgimi të pasur kulturore, qytetare dhe intelektuale.

Studentët zgjedhin të studiojnë në Shkodër jo thjesht për një diplomë, por për të qenë pjesë e një qyteti që gjithmonë ka qenë i hapur ndaj dijes dhe përparimit. Tradita e kulturës shkollore ndërthuret natyrshëm me sfidat e kohës. Universiteti mban emrin e Luigj Gurakuqit – një ndër figurat më të ndritura të kombit shqiptar, atdhetar, mendimtar dhe përhapës i dijes – një shembull që na frymëzon edhe sot për të lidhur studimet me përgjegjësinë qytetare dhe guximin për reforma.

Si rektor i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, angazhimi im është që ky institucion të vazhdojë reformimin me studentin në qendër – jo vetëm si përfitues të dijes, por edhe si bashkëkrijues të saj. Besojmë se universiteti duhet të qeveriset me dhe për studentët, si një komunitet i gjallë, ku zëri i tyre dëgjohet dhe ku ndërtojmë së bashku të ardhmen.

Ka ardhur koha për një fazë të re të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”:

Të nxjerrim më të mirën nga tradita – Në prag të 70-vjetorit të themelimit, duhet të mbledhim, sistemojmë dhe të nxjerrim në pah gjithçka të mirë nga historia e këtij universiteti. Jo thjesht për brandim, por për ta kthyer në bazë të projektit të zhvillimit të ardhshëm.

Të krijojmë një identitet të qartë dhe konkurrues – Mbështetur në rrethanat e reja rajonale dhe në hapësirën europiane të arsimit të lartë, USH-ja duhet të ndërtojë profilin e vet, të qartë dhe të guximshëm. Duhet të lëmë pas programet dhe strukturat e panevojshme dhe të shkojmë drejt një identiteti që të jetë dallues dhe konkurrues.

Të diskutojmë pa tabu për statusin juridik të universiteteve publike – Me guxim, duhet të marrim shembull nga modelet më të avancuara si ai anglo-sakson. Universitetet tona duhet të mbeten publike, por drejtuesit e tyre duhet të pajisen me instrumente ligjore për të vepruar me autonomi reale dhe për të qenë të matshëm me rezultate konkrete.

Unë vetë, nga ky podium, u bëj thirrje kolegeve dhe kolegëve rektorë: të vihemi në dispozicion të një reformimi të thellë të arsimit të lartë. Ata që do të jenë pjesë e hartimit të ligjit të ri nuk duhet të kenë interes personal për pozicione drejtuese. Vetëm kështu shërbejmë interesit publik. Duhet bërë çdo sakrificë, mjafton që Reforma të ndodhë!

USH ka nevojë për mbështetje infrastrukturore më të madhe. Disa godina janë të vjetëruara, përfshirë edhe godinën e rektoratit. Kemi ndarë me kryetarin e Bashkisë dhe me ish-ministren Ogerta Manastirliu nevojën për t’i kaluar universitetit njërën prej godinave afër Fakultetit të Shkencave të Edukimit – ish-Spitalin Neuropsikiatrik ose atë të Sanatoriumit.

Po e mbyll me një pyetje të marrë nga një fjalim i Golda Meir, ish-kryeministre e Izraelit:

Nëse doni të ndërtoni një vend ku do të kthehen djemtë dhe vajzat e tij, ku njerëzit do të largohen vetëm për festa, dhe ku nuk ka frikë për të ardhmen, bëni tre gjëra:

Barazoni korrupsionin me tradhti ndaj atdheut.

Bëjini mësuesit, mjekët dhe ushtarakët profesionet më të paguara dhe më prestigjioze.

Dhe më e rëndësishmja: punë, punë dhe vetëm punë. Sepse askush përveç jush nuk do t’ju mbrojë, nuk do t’ju ushqejë, dhe askujt tjetër nuk i nevojitet vendi juaj më shumë se ju vetë.”

Falënderoj studentët që kanë zgjedhur të nisin këtë rrugëtim në Shkodër dhe u uroj suksese, krijimtari dhe guxim në kërkimin tuaj akademik.

Mirë se erdhët në një traditë që tashmë është dhe juaja!

* Fjalë përshëndetëse e rektorit të USH-së në nisje të vitit akademik 2025–2026

Lini një Përgjigje