Në vend se ta përqendrojmë vëmendjen tek karakteri i kandidatit, arritjet dhe dështimet ose qasjen ndaj politikave - elementë kryesore që duhet t’i dimë, për të vendosur se për kë të votojmë - shumë media e vënë më shumë sesa duhet theksin tek sondazhet...
Shumë reporterë të politikës dhe politologë janë të fiksuar pas sondazheve zgjedhore, dhe diskutojnë mbi të dhënat e tyre njëlloj, sikur të jenë duke vënë baste në garat me kuaj. Por historia na tregon se ata dhe paraardhësit e tyre, kanë një histori të gjatë të zgjedhjeve të gabuara.
Garat me kuaj janë emocionuese, veçanërisht nëse vini bast mbi rezultatin. Por basti mbi kalin që mendohet se ka shansin të fitojë, nuk e kalon gjithmonë i pari vijën e finishit. Po ashtu, edhe një kandidat që kryeson në sondazhe 6 muaj nga dita e zgjedhjeve, nuk zgjidhet gjithmonë presidenti i ri i vendit.
Në vend se ta përqendrojmë vëmendjen tek karakteri i kandidatit, arritjet dhe dështimet ose qasjen ndaj politikave - elementë kryesore që duhet t’i dimë, për të vendosur se për kë të votojmë - shumë media e vënë më shumë sesa duhet theksin tek sondazhet.
Tani disa prej tyre, po parashikojnë para kohe disfatën dhe shanset e pakta për rizgjedhjen e presidentit Joe Biden. Por këtu historia na ofron një perspektivë shumë të nevojshme. Kompania e mirënjohur e sondazheve Gallup, raporton se në sondazhet presidenciale të mbajtura në qershor të çdo viti zgjedhor, zëvendëspresidenti demokrat Hubert Humphrey udhëhiqte në vitin 1968, presidenti demokrat Jimmy Carter udhëhiqte në vitin 1980, guvernatori demokrat i Massachusetts Michael Dukakis kryesonte në vitin 1988, dhe presidenti republikan George HW Bush udhëhiqte në 1992-shin.
Megjithatë, secili prej këtyre kandidatëve presidencialë e humbi garën e tij me një diferencë të dukshme. Në sondazhin përfundimtar mbi zgjedhjet e 2016-ës , faqja e internetit FiveThirtyEight parashikoi se presidente do të zgjidhej ish-Sekretarja e Shtetit, senatorja demokrate Hillary Clinton.
Portali citoi 15 sondazhe të kryera në nëntor - pra vetëm disa ditë para zgjedhjeve të 8 nëntorit - të cilat tregonin se Clinton kryesonte ndaj Donald Trump me 1-5 për qind. Vetëm një sondazh i asaj jave tregonte se në krye ishte Trump, dhe me vetëm 1 për qind.
Clinton fitoi votën popullore, por Trump u zgjodh falë shumicës së votave në Kolegjin Elektoral. Një studim i vitit 2020 nga Universiteti i Kalifornisë, që shqyrtoi 1400 sondazhe zgjedhore mbi zgjedhjet brenda-partiake dhe fushatës kryesore në vitet 2008, 2012 dhe 2016, zbuloi se sondazhet parashikuan me saktësi rezultatet e votimit brenda kufijve të tyre të gabimit në vetëm 60 për qind të rasteve në javën e fundit para ditës së votimit.
Shkalla e saktësisë, ishte edhe më e dobët për sondazhet e kryera më herët. Po ashtu, duhet të kujtojmë se diferencat e vogla në sondazhe janë praktikisht të pakuptimta, pasi ato janë brenda kufirit të gabimit.
Për shembull, mesatarja e sondazheve presidenciale të RealClearPolitics, tregon se Trump kryesor ndaj Biden me 46.6 për qind përkundrejt 45.7 për qind, pra me një avantazh prej vetëm 0.9 për qind. Por kjo përbën një barazim dhe jo epërsi për Trump. Një sondazh i publikuar këtë muaj nga The New York Times, alarmoi disa demokratë, pasi tregoi se Trump udhëheq tek votuesit e regjistruar dhe të mundshëm në 5 nga 6 shtetet e lëkundura ku Biden fitoi në vitin 2020.
Rënia e ndjeshme e mbështetjes ndaj Biden midis votuesve zezakë, hispanikë dhe të rinjve, përbën arsye për t’u shqetësuar. Por Biden dhe fushata e tij po punojnë shumë për ta mbyllur hendekun, duke planifikuar aktivitete dhe intervista në media që synojnë t’i adresohen këtyre grupeve.
Mos harroni se ndërsa shumë lexues të lajmeve politike e kanë ndjekur nga afër garën presidenciale që nga viti i kaluar, siç e kam bërë edhe unë, miliona amerikanë më pak të interesuar për politikën, nuk do të fokusohen në zgjedhjet presidenciale derisa sa të vijë shtatori.
Fushata e Biden është e mirë-pozicionuar për të garuar për mbështetjen e votuesve që vendosin vetëm ditët e fundit, dhe njerëzve që nuk janë as të sigurt nëse do të votojnë. Ajo ka miliona dollarë më shumë se fushata e Trump, ndërsa Trump ka përdorur mbi 100 milionë dollarë kontributet për fushatën për të paguar për mbrojtjen në çështjet gjyqësore civile dhe penale.
Fushata e Biden thotë se ka hapur mbi 150 zyra, me më shumë se 400 punonjës në 7 shtete të lëkundura. Dhe do të ketë 200 zyra me 500 punonjës deri në fund të këtij muaji. Këta punonjës po trokasin derë më derë dhe po takojnë njerëzit atje ku ata hanë, punojnë, luajnë dhe luten, duke folur me ta mbi atë që Biden ka bërë dhe që do të bëjë për t’i ndihmuar të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për familjet e tyre dhe vendin tonë.
Biden po ndjek rregullisht fushatën elektorale, duke dhënë më shumë intervista për mediat – përfshirë ato të shihen më tepër nga zezakët dhe hispanikët - dhe duke shfaqur energjinë, njohuritë, përvojën, dhembshurinë, kompetencën dhe efektivitetin e tij, siç bëri gjatë fjalimit vjetor në mars.
Daljet e tij nuk përbëjnë ndonjë lajm kryesor në media kombëtare, por ato zënë shumë hapësirë në mediat lokale. Ndërkohë, Trump po e kalon shumicën e ditëve në gjyqet e tij në qytetin e Nju Jorkut, duke fyer gjyqtarin dhe prokurorët me komentet që bën korridoreve për gazetarët midis dremitjeve në sallën e gjyqit.
Ai poston fyerje për Biden dhe të tjerët që i urren në faqen e tij të mediave sociale. Ai u flet fansave të tij në mitingje dhe në intervista dhënë mediave të krahut të djathtë , por ata do ta votojnë pavarësisht se çfarë mund të bëjë dhe thotë.
Trump dhe Komiteti Kombëtar Republikan po shfaqin pak interes për të moderuar pozicionet dhe sjelljen e tij, me synim për të tërhequr pas vetes të pavarurit, njerëzit me ngjyrë, republikanët e moderuar (të cilët në zgjedhjet brenda-partiake votuan për ish-sfiduesen e tij Nikki Haley) dhe të tjerët, votat e të cilëve janë të lëkundura.
Kur të nisin votimet me postë, Trump mund të jetë një person i dënuar nga gjykata.Inflacioni mund të bjerë, mund të përfundojë lufta Izrael-Hamas, teksa mund të rritet pjesëmarrja në votime nga njerëzit që mbështesin zgjerimin e të drejtës së votës dhe që mbrojnë të drejtat riprodhuese.
Të gjitha këto zhvillime do ta ndihmonin Biden. Anasjelltas, zhvillime të tjera mund të ndihmojnë Trump-in. Zgjedhjet presidenciale të këtij viti, do të jenë shumë të ngushta. Ato do të vendosen nga disa mijëra votues në secilin prej shteteve që cilësohen si të diskutuara. Asnjë sondazh i zhvilluar 6 muaj nga dita e zgjedhjeve, nuk mund të na tregojë se çfarë do të ndodhë. Por sondazhet mund t’i ndihmojnë shtabet elektorale të shohin se ku janë më të fortë dhe ku më të dobët, në mënyrë që të rishikojnë shpenzimet, stafin dhe kalendarin e fushatës. Një sondazh është një mjet i fushatës, por jo një top kristali, ku mund të shihet me saktësi e ardhmja.
Unë jam e sigurt që Biden, fushata e tij dhe Komiteti Demokratik Kombëtar do të punojnë shumë për të fituar mbështetjen e votuesve që zakonisht vendosin në momentin e fundit, zezakëve, hispanikëve, të rinjve dhe gjithë të tjerëve.
Unë pres që Biden ta fitojë garën presidenciale, duke i kujtuar amerikanëve arritjet e tij të shumta dhe dështimet e mëdha të Trump gjatë presidencës së tij të parë, bashkë me krimet që akuzohet se ka kryer ish-presidenti i mundur, dhe që 2 herë i është nënshtruar procedurës së shkarkimit./Përshtati Pamfleti nga “The Hill”
Shënim: Donna Brazile, stretege politike, ish-kryetare e Komitetit Demokratik Kombëtar.
Lini një Përgjigje