Presidenti rus është një tiran që po dështon në Ukrainë, por rusët e mbështesin atë dhe luftën...
Shkrimtarit amerikan F.Scott Fitzgerald i kemi borxh një nga vëzhgimet më të thella rreth arsyetimit njerëzor. Në një ese të vitit 1936 me titull “Shkërmoqja”, ai shkroi: ”Testi i një inteligjence njerëzorë të klasit të parë, është aftësia për të mbajtur në mendje në të njëjtën kohë dy ide të kundërta, dhe për të ruajtur ende aftësinë për të funksionuar”.
Sipas këtij parametri, debati perëndimor mbi luftën në Ukrainë, është gjenial. Por fakti është se që në fillim, ne jemi fiksuar pas supozimeve të gabuara, të mbështjella me gabime logjike që gjallojnë brenda jo pak kontradiktave. Dhe rezultati është se në vitin e tretë të luftës, Rusia është në sulm, e pajisur dhe e armatosur mirë, dhe konflikti s’ka ende një fund në horizont. Ja cilat janë 7 kontradiktat problematike të kësaj lufte:
1. Kontradikta e kërcënimit: Rusia është e dobët, por edhe një kërcënim i madh për NATO-n
Përpara luftës së Ukrainës, Perëndimi e shihte Rusinë si një “ngatërrestare” të dobët, dhe jo si një sfidë serioze. Edhe pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë, John Mccain e quajti Rusinë një “pikë karburanti, të maskuar si një vend”. Për Barack Obamën, ajo nuk ishte më shumë se sa një “fuqi rajonale “.
Që nga pushtimi i vitit 2022, shumica e analistëve perëndimore janë tallur me sjelljen e ushtrisë ruse në fushën e betejës. Thuhet vazhdimisht se rusët po arrijnë fitime minimale me kosto të madhe në njerëz dhe pajisje. Por gjenerali Cavoli, komandanti i lartë i NATO-s, e pranoi hapur muajin e kaluar se ushtria ruse është zgjeruar me 15 për qind që nga pushtimi, dhe se ajo po rindërtohet “shumë më shpejt” nga sa pritej fillimisht.
Po ashtu makineria luftarake ruse, do ta kishte shkatërruar 2 ose 3 herë kapacitetin luftarak të Ukrainës deri më tani, dhe ka të ngjarë që Kievi të kishte kapitulluar tashmë, po të mos ishte për sasinë e madhe të ndihmës financiare dhe ushtarake perëndimore, e cila ia kalon edhe Planit Marshall.
2 Kontradikta e Putinit: Presidenti rus është një tiran që po dështon në Ukrainë, por rusët e mbështesin atë dhe luftën
Supozimi se Putini ishte në një pozicion delikat, sepse populli rus nuk do ta mbështeste “operacionin e tij special ushtarak”, luajti një rol të rëndësishëm në vendimin e Perëndimit për të investuar shumë në këtë luftë të tërthortë kundër Rusisë. Dhe ky supozim nuk është zhdukur kurrë, pavarësisht gjitha provave për të kundërtën.
Sa herë që në Rusi ka një ngjarje politike, qoftë kjo aventura e çmendur e Prigozhin
vitin e kaluar apo largimi i Shoigut nga Ministria e Mbrojtjes, ka përherë një kore zërash
që paralajmërojnë fundin e sundimit të tij. Por fakti është se Putini mbetet ende popullor në Rusi, dhe rusët i mbështesin politikat e tij. Kjo mund të ndryshojë, sidomos nëse politikat e tij nisin të dështojnë. Por deri më tani ai ka qenë shumë i suksesshëm, si brenda dhe jashtë vendit.
3. Kontradikta e izolimit: Rusia është e izoluar, por sanksionet nuk po funksionojnë
Ideja se një Rusi e përjashtuar nga shoqëria e civilizuar dhe subjekt i sanksioneve më të forta në histori, është qetësuese për zyrtarët dhe analistët perëndimorë. Por asnjë nga këto nuk është e vërtetë. Sepse pjesa më e madhe e Jugut Global, ka mbajtur në rastin më të mirë një qëndrim të paqartë ose neutral ndaj Rusisë në raport me luftën në Ukrainë.
Me strukturat e tyre alternative si BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut, Irani, Egjipti, Etiopia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe) ose përmes ndërhyrjeve hibride, si ato të mercenarëve të Moskës në Afrikë, Kina dhe Rusia po zënë pozicione gjithnjë e më strategjike në Jugun Global.
Nga ana tjetër Rusia, jo vetëm që po vazhdon të marrë artikuj “të ndaluar” nga furnizuesit kinezë dhe madje evropianë (që operojnë nëpër vende si Kirgistani), por edhe vetë Ukraina vazhdon të arkëtojë nga Moska tarifat e kalimit tranzit të gazit rus si përpara luftës.
4 Kontradikta ligjore: Nuk mund të tolerohet thyerja e rregullave nga Putin, e megjithatë ne duhet t’i thyejmë për ta mposhtur atë
Na është thënë shpeshherë, se një nga arsyet kryesore për mbështetjen e Ukrainës, është mbrojtja e një rendi të bazuar në rregulla, dhe dhënia e shembullit se shkelësit e rregullave do të mbajnë përgjegjësi. Pra është para së gjithash një luftë morale:e mira kundër së keqes.
Sigurisht, është një kauzë e mirë dhe e dobishme, por njëherazi edhe e brishtë. Pasi mbart rrezikun e madh të komprometimit të kësaj busulle morale shumë të rëndësishme, nëse në ndjekje të “drejtësisë” përdorim disa nga metodat dhe parimet e atyre që kundërshtojmë.
E tillë ishte rusofobia ekstreme që kaploi shoqëritë perëndimore që nga shkurti i 2022-shit. Ajo madje çoi në situata absurde si ndalimi i kompozitorëve të muzikës klasike ruse nga programet e koncerteve. Një hap më problematik, dhe me pasoja politike, është ngrirja arbitrare e aseteve valutore ruse në bankat perëndimore në ditët e para të pushtimit, edhe pa qenë zyrtarisht në luftë me të. Kjo ka nxitur shumë vendeve të Jugut Global, të zhvendosin një pjesë të rezervave të tyre valutore në monedha jo-perëndimore.
5. Kontradikta e strategjisë: S’ka paqe derisa Ukrainë të rimarrë të gjitha territoret e humbura, por në këto kushte Rusia do të vazhdojë të luftojë
Sot flitet shumë mbi mënyrën sesi duhet të “mposhtet” Putini, dhe se si Ukraina duhet të luftojë për të arritur “fitoren”. Por askush nuk ka shpjeguar se çfarë do të thotë “fitore” në
një luftë kundër një shteti si Rusia që zotëron armë bërthamore. E gjithë biseda rreth luftës i ngjan një lloj teatri, ku paqja është bërë një nocion krejtësisht abstrakt i bazuar në parakushte që të gjithë e dinë se nuk janë realiste (p.sh rivendosja e plotë e integritetit territorial të Ukrainës duke përfshirë Krimenë).
Por edhe nëse ndodh mrekullia, dhe Kievi rimerr të gjitha territoret e humbura, ai nuk mund ta detyrojë Rusinë të bëjë paqe. Sepse kjo e fundit mund të vazhdojë të kryejë sulme me raketa me rreze të gjatë kundër Ukrainës nga përtej kufirit.
6. Kontradikta e përshkallëzimit: Putini është një lider i pamatur, megjithatë është e sigurt të dërgohen trupa evropiane në Ukrainë
Në Evropë ka një kor zërash, të nxitur fillimisht nga Emmanuel Macron, që paralajmërojnë dërgimin e trupave të NATO-s në Ukrainë, për të mbajtur role jo luftarake larg vijës së parë frontit. Kjo ide është një marrëzi absolute, duke rrezikuar jo vetëm unitetin politik të aleancës, por një përshkallëzim të plotë drejt luftës ballore me Rusinë.
Por asnjë nga këto rreziqe, nuk pranohet nga avokatët evropianë të kësaj aventure. Për disa prej tyre Putin “nuk do të guxonte”, me sa duket nga shqetësimi për të shmangur një luftë me NATO-n. Por kjo perspektivë bashkëjeton çuditshëm me pikëpamjen e kahershme perëndimore të Putinit si një lider i pamatur, i aftë për vendime të çmendura siç ishte…pushtimi i Ukrainës.
7. Kontradikta morale: Ndihma për Ukrainën rrezikon luftën me Rusinë, por ne nuk duhet t’i themi Kievit se çfarë të bëjë
Perëndimi nuk i detyrohet asgjë Ukrainës, siç e kanë pranuar vetë ukrainasit. Megjithatë, me të drejtë, vendet perëndimore kanë vendosur të mbështesin luftën e Kievit kundër këtij pushtimi barbar. Por gjërat kanë evoluar. Ajo që fillimisht ishte “ndihmë”, është shndërruar në një “kamerdare shpëtimi”.
Tani Ukraina është tërësisht e varur nga ajo që merr nga sponsorët e saj perëndimorë. Motoja e përdorur nga të gjithë zyrtarët perëndimor, është se vetëm ukrainasit mund të vendosin se si dhe kur të lëvizin drejt negociatave të paqes. Por njëherazi, na thuhet se kjo nuk është vetëm lufta e Ukrainës, por edhe lufta jonë, ndaj kolektivisht duhet të paguajmë për të furnizuar ushtrinë ukrainase./Përshtati Pamfleti nga “Brussels Signal”
Shënim: Gabriel Elefteriu, zëvendësdrejtor në Këshillin për Gjeostrategjinë në Londër dhe bashkëpunëtor në Institutin Yorktaun në Uashington.
Lini një Përgjigje