TAGS-AT E JAVËS

Forum18 Maj 2024, 13:16

Servilizma ndaj Berishës dhe luftë brenda PD për të siguruar kandidimin e radhës

Shkruar nga Agron Gjekmarkaj

Servilizma ndaj Berishës dhe luftë brenda PD për të siguruar

Me keqardhje ditët e fundit ve re një dëshirë për luftë klasore në PD, për gjetjen e “grupeve armiqësore”, për të ndarë “besnikët” nga “opurtunistët”, për të kundërvënë militantët tanë të “varfër e të ndershëm” ndaj deputetëve të “pasur e kodoshë” si në 1945, për të bërë një garë hipokrizie e servilizmi ndaj Sali Berishës, të cilit nuk janë në gjendje t’i japin asgjë për t’ja forcuar pozitën dhe afruar lirinë me peshën e tyre publike e elektorale, por duan t’i marrin vëmendjen për një kandidim hipotetik nesër. 

“Diversiteti” është një çati e madhe ku strehohen një larmi idesh për një PD fituese!

Një nga vlerat e shtuara të politikës shqiptare në këto 34 vjet liri është pas shumë ngjarjesh traumatike bashkimi i PD në “diversitet” një meritë kjo e të gjithë aktorëve politikë të kësaj force, por në veçanti e Sali Berishës dhe e Gazment Bardhit.

Që nga ajo ditë forca jonë politike fitoi seriozitetin e dëmtuar nga një mori rrethanash.

“Diversiteti” është një çati e madhe ku strehohen një larmi idesh për një PD fituese dhe një opozitë më të fortë e cila synim ka një qeveri ndryshe nga kjo e korruptuara, autokratikja e “teologjikja” rrethuar me skandale e Edi Ramës. Çfarë është kjo qeveri mjafton të rrish para dyerve të SPAK-ut me një aparat në dorë ku sheh paradën e ministrave dhe kryebashkiakëve një nga një.

Dikush mund të na akuzojë për dy standarde që e pranojmë punën e SPAK-ut kur godet qeverinë dhe e sulmojmë kur godet Sali Berishën. Duhet një shpjegim. Jam dëshmitar se si Sali Berishës iu kufizuan liritë pa miratimin e Kuvendit të Shqipërisë. Kjo nuk kishte ndodhur kurrë, kjo e ekspozon SPAK-un për anësi politike."

Çështja e hapur paçka se paditësi është Taulant Balla ministri i brendshëm i PS kërkon një proces të ndershëm e të drejtë. Hetimi dhe procesi me çdo indicie të dhënë prej çdokujt mund të fillojë. Por ndaj Sali Berishës nuk ka akuzë, nuk ka hetim, nuk u pyet Parlamenti veç postfaktum për të rënduar masën si hakmarrje inatçore, dhe pse krejt e panevojshme!

Kur Kushtetuta dhunohet “ad hominem” për një person në ketë rast një personalitet me shumë simbolika, ajo është dhunuar për të gjithë dhe kjo e shndërron Sali Berishën në të burgosur politik. Tjetra anë që asnjëri nga personazhet e qeverisë nuk mund të barazohen me Sali Berishën, i cili është Kryetari i PD dhe Lideri i opozitës për vullnet të qytetarëve.

Po ashtu drejtues të tjerë opozitar në vitin elektoral janë nën presionin e përditshëm të SPAK-ut duke prishur “volens nolens” rregullat e lojës. Ndokush mendon që të thirrurit nga SPAK janë “peshq të vegjël”, një kartë elektorale që ta perdorë “peshku i madh”.

Në teoritë e shumta konspirative që gëlojnë në vendin tonë edhe kjo zë vend. Gjithsesi parada e pushtetarëve në dyert e SPAK-ut e ka rrëzuar këtë qeveri moralisht dhe politikisht është detyra e opozites ta bëjë! Që ta bëjë këtë ajo nuk duhet të dhurojë “spektakël” të vogël meskiniteti.

Natyra njerëzore e ka të vetën ambicien, një motor i madh energjie tek njeriu, xhelozinë e servilizmin po aq! Fenomene njerëzore janë, por kur shndërrohen në debat publik dhe në aksioma politike ato e dëmtojnë një parti kaq të sulmuar siç është PD sot.

Trupa politike e PD po lëviz kudo nëpër Shqipëri duke gjetur çdo ditë mbeshtetje gjithnjë e më të madhe. Njerëzit e kanë pritur bashkimin dhe duan ta forcojnë atë. Secili prej nesh u detyrohet atyre një ndjesë për dhimbjet, trazimet, zhgënjimet e plagët që ju kemi shkaktuar por mbi të gjitha duhet t’u japim siguri se nuk ju shkaktojmë të tjera.

Me keqardhje ditët e fundit ve re një deshirë për luftë klasore në PD, për gjetjen e “grupeve armiqësore”, për të ndarë “besnikët” nga “opurtunistët”, për të kundërvënë militantët tanë të “varfër e të ndershëm” ndaj deputetëve të “pasur e kodoshë” si në 1945, për të bërë një garë hipokrizie e servilizmi (si duket ndonjë vetëm kaq e ka vlerën dhe fuqinë) ndaj Sali Berishës, të cilit nuk janë në gjendje t’i japin asgjë për t’ja forcuar pozitën dhe afruar lirinë me peshën e tyre publike e elektorale, por duan t’i marrin vëmendjen për një kandidim hipotetik nesër. Servilizmi është “Rosinanti” i tyre.

Kushdo e di që ketë e bëjnë 3-4 deputetë brenda grupit dhe një radhë e vogël jashtë tij për këtë arsye e të tjera si mundësia për të spikatur si shërbetorë sulmi, pa asnjë vlerë tjetër as njerëzore dhe as politike.

Kësisoj shmanget beteja me Edi Ramën, të cilin pas rezistencës së opozitës 5 muaj në Kuvend, pas denoncimeve të forta të Gazment Bardhit dhe Belind Këlliçit, betejës në komisone hetimore të Salianjit e Vokshit me kolegët e tjerë, qartësisht e kemi vënë në vështirësi të madhe!

Ai është gati të paguajë që PD të prodhojë ngjarje të brendshme, siç bëri dëmshëm në 2 vjet.

Ne duhet t’i ikim këtij tundimi meskin dhe këtë reagim publik e bej si thirrje alarmi. Koha është gjykatësi më i pamëshirshëm dhe ajo ecën me vrap. Po shkojmë drejt zgjedhjeve në kushte të pabarabarta, maksimumi është detyra jonë, minimumi atentat ndaj vetvetes. Rihapja e konfliktit vetëasgjesim.

Ne jemi parti e madhe me liderin të arrestuar, liria e të cilit është çështje e madhe principi!

Ne jemi parti e madhe për të bindur shoqërinë të hipotekojë besim tek ne!

Ne jemi parti e madhe për t’i dhënë Shqipërisë ofertat më të mirat për ndryshim e fitore siç kemi bërë në 1992, 2005 apo 2009 ! Beteja jonë është me Edi Ramën dhe karvanin e tij!

Ne mund ta mundim Edi Ramën me etikën e moralit, ne mund ta mundim në ide, ne mund ta mundim me njerëz më cilëor duke hapur PD dhe jo duke e ngushtuar atë me debate të vogla shterpë, frut i inateve të çastit apo njerëzve që nuk prodhojnë gjë tjetër veç servilizmit, folklorit çapraz dhe skuthllëkut ezmer!
Personalisht në një moment të jetes sime kur gjykova se aq sa kishim bërë por edhe duke mos bërë asgjë po rrezikonim të asgjësonim PD-në dhe opozitën, një përgjegjësi kjo që do na ndiqte nga pas si mallkim brezash, kam dhënë dakordësinë time modeste për bashkim, duke i besuar Sali Berishës dhe duke respektuar vullnetin e shumicës së demokrateve! Kam pranuar realitetin dhe lënë menjanë “luften civile”!

Ama duke besuar veç instiktin politik të Sali Berishës , asnjë servil apo shërbëtor dy lekësh tjetër!

Ato i kemi njohur me kohë që nuk bëjnë asgjë, veçse zvarriten për të mbijetuar. Kush dëshiron të luftojë për PD, për Sali Berishën, për çdo demokrat në gjithë Shqipërinë, ka vetëm një rrugë: Të punojë 24 orë kundër Edi Ramës dhe për të forcuar e bërë më të madhe Partinë Demokratike e opozitën.

Çdo gjë tjetër, i shërben vetëm atyre dhe çimenton pushtetin e Edi Ramës. Unifikimi po i zë frymën demokracisë shqiptare , diversiteti do e shpëtojë atë!! Secili prej nesh është fëmijë i kohës në të cilën jeton!

Lini një Përgjigje