TAGS-AT E JAVËS

Forum25 Shkurt 2025, 09:48

Përgjigjet që BE-ja pret nga Merz dhe Gjermania

Shkruar nga Stefano Cingolani*

 

Përgjigjet që BE-ja pret nga Merz dhe Gjermania
Ursula von der Leyen dhe Friederich Merz /

Në Berlin nuk duket se ka një atmosferë reformash të mëdha për ta nxjerrë Gjermaninë nga moçalishtja në të cilën ka tërhequr edhe pjesën tjetër të Evropës...

“Diga” e qendrës dhe e të moderuarve mbajti edhe këtë herë. Koalicioni CDU-CSU mori në zgjedhjet e të dielës 29 për qind të votave, ose më shumë se 4 për qind nga zgjedhjet e vitit 2021. Friederich Merz e fitoi bastin e tij.

Megjithatë formimi i një qeverie, nuk do të jetë aspak i lehtë, dhe detyra e tij si kancelar i ri i Gjermanisë do shoqërohet me shumë sfida. AfD e ekstremit të djathtë mori 20 për qind të votave. Ajo është partia e parë në lindje të vendit, dhe liderja e saj Alice Weidel deklaroi menjëherë se dëshiron të jetë pjesë e qeverisë së re.

Rënia e ndjeshme e socialdemokratëve të SPD-së (rreth 10 për qind më pak nga 4 vite më parë) në favor të Die Linke të së majtës ekstreme, dështimi i të Gjelbërve dhe disfata e qartë e liberalëve, që u ndëshkuan për provokimin e zgjedhjeve të parakohshme, e bën të vështirë krijimin e një koalicioni të qëndrueshëm dhe  politikisht koherent.

Sipas parashikimeve, CDU-CSU, SPD dhe të Gjelbrit, do të kishin një shumicë të qartë në parlamentin (374 nga 630 gjithsej), por më pak se ajo e qendrës së djathtë (386). Në rastin e një koalicioni midis këtyre 3 partive, nuk është e qartë se si mund të harmonizohet revizionizmi i Merz mbi politikat mjedisore me kërkesën e të Gjelbërve për të ecur përpara madje përshpejtuar tranzicionin e gjelbër.

Nga ana tjetër si do t’i pranojnë socialdemokratët reformat liberale të premtuara nga Merz gjatë fushatës zgjedhore? Ngjitja në pushtet e AfD-së, do të ishte një tradhti ndaj asaj që ka thënë gjithmonë lideri kristiandemokrat.

Kriza gjermane është aq komplekse, sa do të jetë e vështirë të shihet fundi i saj brenda një kohe të shkurtër. Dhe ky është një problem i madh për Italinë, duke pasur parasysh lidhjet shumë të ngushta ekonomike, por një problem serioz edhe për Bashkimin Evropian.

Vendi më i madh, me PBB-në më të madhe, “aksioneri” kryesor në bllok, shfaqet i lodhur dhe i plakur. Nga njëra anë duket i etur për të pushuar, nga ana tjetër ndjen largimin njëherë e mirë të një bote, në të cilën mund të luante rolin e një strehe të sigurt.

Gjermania ka sot nevojë për një shkundje dhe për politika të guximshme. Kjo duhet të jetë përgjigja e duhur ndaj valës së pakënaqësisë që po e ushqen të djathtën ekstreme, dhe shumë gjermanë po pyesin nëse Merz është njeriu i duhur.

Pa asnjë përvojë në qeverisje, edhe pse është përfshirë në politikë që kur iu bashkua CDU-së në moshën 17-vjeçare, me disa ndërprerje të gjata si avokat i bizneseve të mëdha që e bënë milioner, ai u shfaq në fushatë si një njeri i qetë, i besueshëm, i sigurt në një realitet shumë të pasigurt.

Premtimet e tij karakterizohen nga kujdesi dhe moderimi në politikën e brendshme, politikën e jashtme dhe madje edhe në lidhje me migracionin (ai habiti shumëkënd kur u shpreh i hapur mbi mundësinë e një bashkëpunimi me AfD-së, por më pas u tërhoq).

Edhe udhëheqësja e së djathtës ekstreme duket një figurë unike. Ajo është një grua që u pasurua duke punuar në bankat e investimeve, dhe tani dëshiron të udhëheqë revoltën e atyre që kanë mbetur ekonomikisht prapa.

E cilëson veten si përfaqësuese të vlerave tradicionale por jeton me partneren e saj grua. Wiedel është një nacionaliste që jeton në Zvicër, dhe pasi u zgjodh deputete u zhvendos me banim në një qytet kufitar buzë liqenit Konstanca.

Pra qëndueshmëria nuk është virtyti i Weidel, megjithatë votuesit e saj nuk e kanë problem. Sot ajo drejton partinë e dytë në Gjermani, dhe nuk dëshiron të ndalet me kaq. Ulrike Manmendier, Thilo Kroeger dhe Christopher Zuber, tre ekonomistë që janë anëtarë të këshillit autoritar të ekspertëve, kanë shkruar një lloj pro memorie për qeverinë e ardhshme.

Në krye atë vendosën nevojën për të rritur produktivitetin. Gjermania është shumë prapa edhe mesatares evropiane në fushën dixhitale, për të mos përmendur inteligjencën artificiale. Shërbimet publike janë po aq të prapambetura sa ato italiane, dhe dixhitalizimi i administratës publike është një domosdoshmëri absolute.

Po ashtu, duhet të investohet masivisht në infrastrukturë dhe të përshpejtohet unifikimin i tregut evropian të kapitalit. Mbrojtja është një thembra e vërtetë e Akilit, teksa ajo kërkon shpenzime të mëdha publike dhe private.

Për këtë arsye, nënvizojnë tre ekonomistët, është e nevojshme që të paktën të pezullohet kufizimi buxhetor që detyron mbajtjen suficitit strukturor në nivelin  0.35 për qind të PBB-së çdo vit. Do të ishte më mirë që të reformohej norma kushtetuese, por ndërkohë duhet ndalur kjo gijotinë e vërtetë fiskale.

Bazuar tek ato që ka thënë deri më sot, Merz është dakord mbi produktivitetin dhe dixhitalizimin. Ai e pranon se duhet të përmirësohen rrugët, hekurudhat dhe të gjitha rrjetet e infrastrukturës.

Por në lidhje me mbrojtjen, ai nuk e ka pranuar kërkesën e SHBA-së për të arritur në nivelin më shumë se 2 për qind të PBB-së (sot Gjermania mbetet shumë më poshtë). Ai është më entuziast për tregun e përbashkët të kapitalit, por e ka refuzuar qartë ofertën e UniCredit për Commerzbank.

Mbi të gjitha, nuk ka në plan të ndryshojë kufizimin buxhetor dhe as ta pezullojë atë. Mbetet të presim dhe shohim nëse do t’i mbajë këto premtime elektorale, dhe çfarë do të thonë partitë e koalicionit të ardhshëm qeveritar.

Sidoqoftë, në Berlin nuk duket se ka një atmosferë reformash të mëdha për ta nxjerrë Gjermaninë nga moçalishtja në të cilën ka tërhequr edhe pjesën tjetër të Evropës. Është e vështirë të kuptohet se si Merz do të jetë në gjendje të përballojë situatën e re në Ukrainë dhe marrëdhëniet me Putinin.

Dhe ç’është më e keqja, Donald Trump ka brohoritur për AfD-në, ndërsa Elon Musk mbështeti hapur të djathtën ekstreme. Sot Berlini nuk gëzon me pozicionin që kishte dikur. Ai nuk është më bashkëbiseduesi i privilegjuar i Shteteve të Bashkuara në Kontinentin e Vjetër.

Madje ushtarët amerikanë janë larguar nga territori gjerman. Por njëkohësisht, edhe Gjermania nuk është bërë as liderja politike e Bashkimit Evropian. Ndoshta nuk mundet apo as nuk e dëshiron. Zgjidhjet më të vështira do jenë në dorën e kancelarit Merz./Pamfleti nga “Il Sussidiario”

be friederich merz gjermania

Lini një Përgjigje