Siç parashikoi Tocqueville gati dy shekuj më parë, “despotizmi i butë” (në fakt jo dhe aq), do të vendoset pa e kuptuar fare qytetarët...
“Çdo ditë sovrani e bën më pak të nevojshëm dhe më të rrallë përdorimin e vullnetit të lirë të njerëzve. Ai e ngushton veprimin e vullnetit në një hapësirë shumë të vogël, dhe gradualisht i heq çdo qytetari edhe përdorimin e vetes së tij. Sovrani e shtrin krahun e tij mbi të gjithë shoqërinë.
Ai nuk i thyen vullnetet, por i dobëson, i lakon dhe drejton ato. Nuk i robëron drejtpërdrejt, por i pengon, vendos nën presion, ua heq nervin, i tulat, duke e reduktuar përfundimisht kombin në asgjë tjetër përveçse një tufë kafshësh të ndrojtura dhe punëtore, ku qeveria është bariu i tyre”.
Këto janë fjalë datojnë që nga viti 1840, kur konti francez Alexis de Tocqueville botoi vëllimin e dytë të librit “Demokracia në Amerikë’. Dhe sovrani-despot, për të cilin shkroi, nuk ishte një mbret, por populli i demokracisë në Republikën Amerikane, që rrezikonte të binte në tirani pikërisht sepse ishte demokraci.
Në diktaturën e shumicës që pa Tocqueville në SHBA, si në të gjitha mendimet më të mira të politikës së modernitetit, demokracia në njërën anë dhe despotizmi në anën tjetër nga ana tjetër, nuk janë dy horizonte në kundërshtim me njëri-tjetrin, por universe që komunikojnë midis tyre.
Tek e fundit, një vit më parë, një tjetër aristokrat francez, Astolphe de Coustine, kishte botuar librin “Rusia”, ndikuar nga leximi i vëllimit të parë të “Demokracia në Amerike”, botuar në
vitin 1835. Dhe kishte nxjerrë në pah ngjashmëritë midis sistemi despotik par excellence, atij carist, dhe demokracisë amerikane.
Ideja e konvergjencës së Rusisë dhe Amerikës, e përshkoi të gjithë historinë e mëvonshme dhe e gjejmë sërish në shekullin pasardhës, në një vëllim shkruar nga njëri prej themeluesve të Partisë Komuniste Italiane, që më pas u bë trockist, Bruno Rizzi, botuar në frëngjisht në vitin 1939, “Burokracia e botës”.
Sipas Rizzit, kapitalizmi amerikan dhe kapitalizmi shtetëror sovjetik, do të bashkoheshin shpejt në një sistem të vetëm. Një vepër e kopjuar nga një trockist tjetër, por këtë herë amerikan, James Burnham, i cili në librin famshëm ”Revolucioni menaxherial”, publikuar vetëm 2 vite më vonë, parashikoi sovjetizimin e kapitalizmit amerikan dhe tejkalimin e demokracisë në emër të “revolucionit të teknikëve”, klasa e re që do të dominonte në BRSS dhe SHBA.
Më vonë Burnham u bë një konservator fanatik, një fans i Mcarthyism dhe armik i protestave në kampuset universitare. Në librin ”Vetëvrasja e Perëndimit”, shkruan se për të penguar përmbysjen e brendshme dhe për të ruajtur fuqinë e vet perandorake, Shtetet e Bashkuara duhet të pezullonin demokracinë.
Për të mbrojtur Perëndimin, SHBA-ja duhej të bëhej një lloj sistemi despotik, paksa i ngjashëm me atë rus. Jo rastësisht Burnham është sot ndër klasikët e konservatorizmit jo liberal dhe një nga më të cituarit nga e djathta ekstreme amerikane, veçanërisht nga tekno-fashistët e Silicon Valley.
Tocqueville e dinte tashmë se ideja e imunizimit të demokracisë me antitrupa, ishte një marrëzi e madhe. Jo vetëm sepse metaforat mjekësore që përdoren për shoqërinë, janë thuajse gjithmonë mashtruese, por edhe sepse, edhe nëse do të donim t’i përdornim, mjekësia na mëson se nuk ka asnjë sistem imunitar, sado i fortë, që nuk mund të pësojë kolaps nën goditjet e një virusi.
Në vitin 1941, në Evropë nuk kishte më asnjë vend demokratik dhe liberal: të gjithë ishin fashiste ose të kontrolluar nga qeveritë bashkëpunëtorë të Gjermanisë, ose miqësore ndaj Adolf Hitlerit, si rasti i qeverisë suedeze. Përjashtim bënte vetëm Britania e Madhe, por edhe aty ishte në fillim e fortë nxitja për të arritur një marrëveshje me Hitlerin, sidomos gjatë muajve më të vështirë të bombardimeve.
Me shumë gjasa, nëse do të dorëzohej Winston Churchill, diktatura do t’i kishte zënë vendin demokracinë më të vjetër në botë. Për më tepër, përtej oqeanit, lëvizja “Amerika e Para, pro-naziste, ishte gati të merrte kontrollin e Partinë Republikane dhe renditej shumë lart në sondazhe kundër Franklin Delano Roosevelt.
Në pragun e zgjedhjeve të vitit 1940, presidenti u fajësua, jo vetëm nga pacifistët pro-nazistë, por edhe nga zëvendësi i tij, se po synonte të vendoste tiranisë sepse garoi për një mandat të tretë. Ideja se SHBA ishte vendi kryesor që duhet të ishte i imunizuar nga diktatura nisi të përhapet, pas vitit 1945, nga liberalët e Luftës së Ftohtë.
Por ata e harruan se presidenti Woodrow Wilson, që në vitin 1917 mbajti fjalimin e famshëm mbi misionin e Amerikës për përhapjen e demokracisë në botë, ishte një supremacist racist i dhunshëm, që kishte mbështetur Ku Klux Klan dhe që gjatë Luftës së Parë Botërore, kishte shtruar një lloj tiranie, duke i burgosur të gjithë njerëzit që kundërshtonin ndërhyrjen e SHBA-së në atë luftë.
Dhe liberalët e Luftës së Ftohtë e harruan fushatën e Mccarthy-t kundër të dyshuarve si komunistë, dhe më pas në vitin 1968, truket e pista të Richard Nixon për të shtypur opozitën e brendshme. Ndërkohë në fillim të shekullit XXI, rinisi retorika e Luftës së Ftohtë, si gjithmonë nga ish-intelektualë trockistët që u bënë neokonservatorë, për të mbështetur George Bush Jr., Guantanamon dhe “luftën kundër terrorit”, duke përdorur mjetet policore që Barack Obama dhe Joe Biden u kujdesën t’i çmontojnë, dhe të cilat Donald Trump po i përdor tani.
Dhe ndonëse 48 për qind e amerikanëve e konsiderojnë Trumpin një “diktator”, dhe një analist i zgjuar si Thomas Friedman shkroi së fundmi në New York Times, se ai synon të mbetet president i përjetshëm, si Vladimir Putin dhe Xi Jing Ping, ky rusifikim i SHBA-së nuk duket për momentin se po e shqetëson shumicën e qytetarëve.
Amerikanët ishin shumë më të shqetësuar në vitin 2017, kur Trump kishte shumë më pak pushtet se sa sot. Dhe pavarësisht gjithçkaje, ai nuk shfaqi të njëjtat synime despotike, që po tregon këtë herë. Por, siç parashikoi Tocqueville gati dy shekuj më parë, “despotizmi i butë” (në fakt jo dhe aq), do të vendoset pa e kuptuar fare qytetarët.
Këta të fundit, janë si bretkosat që të zhytura në një tenxhere me ujë të ftohtë, nuk e vënë re se si ngrohja e vazhdueshme po i zien, dhe kur e kuptojnë, nuk kanë më forcë që të dalin prej andej. Dhe nëse diktatura po vendoset aq lehtë në një vend si Shtetet e Bashkuara, le të mos flasin pastaj për Italinë, një vend që ka pasur gjithmonë një marrëdhënie të vështirë me demokracinë dhe lirinë./Pamfleti nga “Huffington Post Italia”
Lini një Përgjigje