Rusia po udhëhiqet nga një diktator që dëshiron të shkatërrojë atë që është e denjë, dhe presidenti amerikan ose e përkëdhel ose bën indiferentin...
Herën e fundit që bota e lirë u gjend para një rreziku kaq të madh, ishte gjatë Krizës së Raketave Kubane, dhe për arsye të kundërta. Në vitin 1962, në kulmin e Luftës së Ftohtë, nuk kishte asnjë paqartësi se në cilën anë ishte rreshtuar njëri apo tjetri vend.
Bashkimi Sovjetik ishte një diktaturë komuniste, udhëheqësi i të cilës, Nikita Khrushchev, kishte kërcënuar se do ta “varroste” Perëndimin. Por Shtetet e Bashkuara u vetëpërmbatën përballë asaj që qeveria e John Kennedyt e dinte se ishte një sfidë epokale, dhe armatimi masiv i Moskës, u kthye në atë që tani mund të shihet si një arsyeja kryesore e shpërbërjes së bllokut lindor.
Sot, Rusia udhëhiqet nga një diktator, i cili e ka hedhur poshtë ateizmin utopik të kauzës komuniste, duke zgjedhur të paraqitet si profeti i një misioni të shenjtë për të rivendosur integritetin territorial të Rusisë së lashtë.
Një angazhim me një zell fetar, që me sa duket as që i shkonte ndërmend kur ishte oficer në shërbim në KGB-së sovjetike. Në atë që ka filluar të duket si një makth surreal, mishërimi aktual i imperializmit rus ka fituar mbështetjen e qartë të administratës së re amerikane.
Përpjekja për t’i dhënë kuptim kësaj që po shohim dhe dëgjojmë javët e fundit, ka shumë pak kuptim. Sepse nuk ka një logjikë as për argumentet që janë krijuar enkas për t’i bërë jehonë vlerave perëndimore. Trump dhe Vance pretendojnë se Putin nuk përbën një kërcënim për Perëndimin, se operacionet e tij ushtarake në Ukrainë janë thjesht një mbrojtje kundër sulmeve të regjimit të paligjshëm të Zelenskyt.
Kjo është ligësi e madhe në raport me narrativën e vërtetë të ngjarjeve, dhe përfundimi që e pason është haptazi vetë-kontradiktor. Në të njëjtat deklarata, që ata shpallin synimet e mira të Vladimir Putinit, ekipi Trump-Vance sulmon ashpër liderët evropianë për dështimin e tyre për të rritur shpenzimet e mbrojtjes, dhe për t’u armatosur siç duhet kundër kërcënimeve ndaj NATO-s.
Por nëse Rusia është një viktimë e pafajshme dhe Putin nuk është agresor, atëherë nga vjen rreziku për Evropën? Ose Putini është një bashkëbisedues paqedashës, i arsyeshëm me të cilin ne (pra Trump) mund të bëjmë biznes - në këtë rast Evropa nuk duhet të shqetësohet për forcimin e mbrojtjes së saj - ose ai është i vendosur të rimarrë sa më shumë që mundet nga Evropa Lindore- dhe në këtë rast bashkëpunimi i qeverisë së Trump është i turpshëm.
Cila është e vërteta? A është Putin një viktimë e pafajshme, e keqkuptuar, dhe ne të gjithë mund të rikthehemi të shpenzojmë më gëzim dividentin tonë të paqes, me sistemet tona luksoze të mirëqenies sociale, apo ai është një aktor keqdashës dhe kërcënim aktiv për vendet e NATO-s, të cilat duhet të riarmatosen sa më shpejt që të jetë e mundur me shpenzimet e tyre?
Dhe si mundet që udhëzimi për anëtarët e NATO-s për t’u riarmatosur me çdo kusht, të jetë në përputhje me mbështetjen nga Trump të pretendimit të Moskës, se është zgjerimi i NATO-s në lindje, shkaku i konfliktit të fundit?
Sigurisht, një riarmatim i shpejtë i anëtarëve të NATO-s do të justifikonte paranojën e Putinit. Si për ta bërë eddhe më shumë konfuze situatën, kjo akuzë kontradiktore mbi “agresionin ukrainas” dhe “bashkëfajësinë evropiane”, shoqërohet me një kritikë krejt të ndryshme dhe më të besueshme të kriminalizimit të lirisë së fjalës në Perëndim.
Kjo e fundit, është një çështje që ka një rezonancë të madhe midis njerëzve që mendojnë që vlerësojnë liritë e çmuara, të cilat shoqëritë e hapura i kanë konsideruar tradicionalisht si të shenjta. Por si mund t’i dënoni qeveritë demokratike për atë që është një modë e dëmshme, por kalimtare e kulturore, kur jeni duke i ofruar mbështetje të padiskutueshme dhe të pakushtëzuar një diktatori që vret kundërshtarët e tij politikë?
Një pjesë e kësaj doktrine, është thjesht një marrëzi luftarake: një injorancë reale ose e pretenduar ndaj fakteve themelore të historisë së shekullit XX-të. J.D.Vance e kritikon klasën politike gjermane për refuzimin e pranimit të AfD-së si një zgjedhje elektorale normale, duke nënkuptuar se kjo është një tradhti ndaj parimeve demokratike.
Pra nëse populli gjerman voton për të, atëherë kështu le të jetë. Por a ishte ai i vetëdijshëm, kur zgjodhi të takohej me udhëheqjen e AfD-së dhe jo me kancelarin gjermane në Mynih, se ka arsye të forta historike përse gjermanët e ndërgjegjshëm (dhe Evropa në tërësi) kanë frikë nga një rezultat elektoral që mund t’i japë pushtet një partie të tillë?
A e di ai se Hitleri u ngjit në pushtet me një proces demokratik, transparent dhe legjitim? Në fakt, ishte një vendim i qëllimshëm i themeluesve të Bashkimit Evropian për t’i dhënë pushtet një organi të pazgjedhur me votë - Komisionit Evropian - duke krijuar kështu një formë të oligarkisë dashamirëse, që mund të kundërshtonte çdo përsëritje të një rezultati të tillë.
Mua personalisht, nuk më pëlqeu shumë kjo gjë. Dhe arsyeja kryesore pse doja që Britania të largohej nga BE, ishte besimi se njerëzit duhet të lejohen të zgjedhin njerëzit që hartojnë ligjet për ta. Por e kuptoj pse evropianët me përvoja të hidhura të së kaluarës, mund të kenë favorizuar një qasje të tillë.
Ndërkohë, a e kuptojnë këtë Trump dhe Vance? A shqetësohen ata për fajin historik që e shkaktoi atë? Përpjekjet për të shpëtuar besueshmërinë e Trumpit - dhe për të legjitimuar mbështetjen për të në këtë vend - kanë degraduar tani në veprime shumë të dëshpëruara.
Ajo që raportohet gjerësisht është grupimi “ai nuk e ka më gjithë mend”, që e përshkruan Trumpin si udhëheqës dinak, që në fillim e lëshon fare gojën për të krijuar një efekt bombastik.
Por më pas, me shumë maturi tërhiqet në një qëndrim të arsyeshëm, kur bëhet e madhe zhurma që ka shkaktuar deklarata e tij të mëhershme.
Deri më tani, nuk ka shumë shenja të ndonjë hapi prapa nga presidenti i ri i SHBA-së. Ajo që po bën aktualisht Trump, është shumë në përputhje me qëndrimet e tij para zgjedhjeve, si dhe pas fitores së tij kur ishte në pritje të marrjes së detyrës. Dhe as ai dhe as njerëzit e tij, nuk po na japin ndonjë shenjë se fjalët e tij nuk duhen marrë fjalë për fjalë.
Më pas vijnë at që mbrojnë figurën e Trump. Duke e cilësuar si një lojtar politik shumë taktik, ata pretendojnë se kjo sjellje n֝ë dukje naive, është në fakt një hile për ta joshur Putinin të bëhet pjesë e një marrëdhënie bashkëpunimi, që më pas mund të përdoret për ta goditur atë.
Por nëse mendoni se Putini nuk ka asnjë hile, atëherë nuk i keni kushtuar vëmendjen e duhur manovrave të tij. Në realitet, qëndrimi i Trumpit është pikërisht ashtu siç e përshkruan ai, me një çiltërsi tronditëse: ai ndjen admirim dhe zili për autoritetin e padiskutueshëm të Putinit.
Për aq sa e lejon Kushtetuta e SHBA-së, dhe i nxitur nga “Rasputini” i tij, Elon Musk, Trump synon të imitojë heroin e tij. Sa i përket Ukrainës, pozicioni i tij është ballazi brutal:nëse presidenti ukrainas Zelensky, e dëshiron mbështetjen e SHBA-së, ai duhet që t’i dorëzojë asaj burimet më të vlefshme minerale të vendit. Kjo është marrëveshja. Pra deri në këtë pikë ka degraduar lidershipi i botës së lirë./Pamfleti nga “Daily Telegraph”
Lini një Përgjigje