TAGS-AT E JAVËS

Forum10 Mars 2025, 13:51

“‘Paketa e Maleve’, legalizimi i zaptimit të pronës që po bën qeveria Rama!

Shkruar nga Jorida Tabaku
“‘Paketa e Maleve’, legalizimi i zaptimit të pronës
Edi Rama

Një qeveri që flet për turizëm të qëndrueshëm dhe zhvillim ekonomik nuk mund të ndërtojë një model të tillë mbi vjedhjen e pronës private dhe abuzimin me ligjin. Ky projektligj nuk është asgjë më shumë se një tjetër përpjekje për të favorizuar klientët e radhës të qeverisë, në dëm të interesit publik dhe të pronarëve legjitimë.

Pas një beteje të gjatë të zhvilluar nga Partia Demokratike, nga parlamenti, komisionet dhe deri në KQZ, fatkeqësisht, paketa e maleve rikthehet në Kuvend pas një vendimi të KQZ-së. E konsideroj këtë një vendim të nxituar, pasi bie ndesh me ligjin e miratuar bashkërisht, i cili ndalon votimin e ligjeve për qëllime politike përpara zgjedhjeve. Ky projektligj cenon të drejtat e pronës private dhe krijon një precedent të rrezikshëm për ligjshmërinë dhe drejtësinë në vend.

Në parim, unë jam kundër ligjeve që vendosen pa konkurrencë dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA), veçanërisht me nenin 71 të saj. Ky projektligj shkakton dy probleme madhore:

Legalizimi i zaptimit të pronës – Sipas jush, kushdo që ka në posedim një tokë në mënyrë të paligjshme për 10 vjet, mund ta blejë atë për 1 euro. Kjo nënkupton se nuk bëhet asnjë dallim midis pronarëve legjitimë dhe atyre që kanë zaptuar pronën.
Kontradikta me ligjin e vitit 2020 – Ky projektligj krijon një procedurë të re për pronësinë private, duke anashkaluar ligjin sektorial ekzistues për pronat dhe duke krijuar pasiguri ligjore.
Gjithashtu, mungesa e konkurrencës krijon pabarazi. Një shqiptar nga diaspora nuk ka asnjë mundësi të përfitojë nga ky ligj, sepse përfituesit janë paracaktuar. Nuk ofrohet asnjë sqarim nëse një shqiptar nga diaspora mund ta blejë apo ta shesë pronën e tij, nëse i falen taksat apo nëse mund ta legalizojë atë në mungesë të një tregu të lirë dhe të hapur.

Më shqetësuese është fakti që qeveria, nga njëra anë, angazhohet në negociatat për grupkapitullin 5, ku flet për një klimë të hapur biznesi, investime të huaja dhe ndalimin e përjashtimeve nga ligjet, ndërsa nga ana tjetër, sjell një ligj që pikërisht përjashton. Kjo është një hipokrizi politike dhe ekonomike.

Po ashtu, ky ligj i jep pushtet të pakufizuar njësive të qeverisjes vendore për të përcaktuar zonat e veçanta të zhvillimit, pa asnjë mekanizëm kontrolli nga KLSH apo ndonjë institucion tjetër monitorues. Nuk ka asnjë garanci për transparencë në këtë proces, duke e kthyer këtë ligj në një mekanizëm të përsosur për abuzime.

Kujtoj se ky projektligj është i përjashtuar edhe nga ligji i prokurimit publik, të cilin qeveria e ndryshoi bazuar në propozimet e mia disa vite më parë, për ta rrëzuar më pas dhe për ta rikopjuar. Ligji i prokurimit publik, i përafruar me direktivën e BE-së, përcakton qartë se pronat shtetërore duhet të jepen me garë të hapur, jo me urdhër të qeverisë. Pra, pse nuk zbatohet ky ligj për pronat që diskutohen në këtë paketë?

Ky është një ligj tërësisht korruptiv dhe i padrejtë, si për pronarët legjitimë të tokave, ashtu edhe për integritetin e procesit. Me këtë ligj, qeveria i dhuron tokën dikujt që e ka zaptuar për vetëm 1 euro, njësoj siç ndodhi me Korporatën e Investimeve, një projekt që në fillim nuk u mor seriozisht, por që tani po rezulton të jetë një ligj me porosi.

Së fundi, mungesa e një mekanizmi të qartë për verifikimin e pronarëve legjitimë dhe për kompensimin e tyre nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave e bën këtë ligj edhe më të rrezikshëm. Nuk ka asnjë procedurë për të siguruar që prona e legalizuar nuk ka një pronar legjitim që nuk e ka marrë ende të drejtën e tij. Nuk ka asnjë analizë për ndikimin financiar të përjashtimeve nga taksat në buxhetin e shtetit. Dhe më shqetësuese, ky ligj legjitimon zaptimin e pronave, duke e kthyer atë në normë.

Një qeveri që flet për turizëm të qëndrueshëm dhe zhvillim ekonomik nuk mund të ndërtojë një model të tillë mbi vjedhjen e pronës private dhe abuzimin me ligjin. Ky projektligj nuk është asgjë më shumë se një tjetër përpjekje për të favorizuar klientët e radhës të qeverisë, në dëm të interesit publik dhe të pronarëve legjitimë.

rama “‘paketa e maleve’

Lini një Përgjigje