Shërbimi i detyrueshëm ushtarak ngre pikëpyetje edhe rreth asaj se kush do të shërbejë, drejtësisë dhe barazisë, dhe çështje praktike të infrastrukturës si strehimi, terrenet e trajnimit dhe integrimi në një forcë më të madhe. Pra, është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet. Por në një formë apo tjetrën, duket se ka të ngjarë të rikthehet në pjesën më të madhe të Evropës.

Disa gjëra janë bërë shumë të qarta 29 muajt e fundit, që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia. Së pari, është e qartë se agresioni rus nuk do të ndalet. Së dyti, që vendet evropiane të NATO-s i kanë llogaritur gabim rreziqet e luftës dhe konfliktit.
Së treti, teksa kanë shpenzuar shumë pak për mbrojtjen; është shumë e qartë se ushtritë perëndimore kanë shumë pak njerëz në radhët e tyre. Kjo e personeli nuk është sfida e vetme, por ka shumë rëndësi. Siç u shpreh në janar shefi i shtabit të mbrojtjes të Britanisë së Madhe, gjeneral Patrick Saunders: “Ukraina na e ka treguar se luftërat nisen nga ushtritë profesioniste; por në fund fitohen nga ushtritë e qytetarëve”.
Ushtria Britanike ka dështuar thuajse çdo vit që nga 2010-ta, që të përmbushë objektivat e saj të rekrutimit. Po kështu po ndodh edhe me ushtritë e tjera evropiane. Gjetja e burrave dhe e grave që i mungojnë këtyre ushtrive, është shndërruar në një çështje urgjente duke pasur parasysh kuptimin e qëllimeve që ka Rusia.
Ndërsa në disa vende po kthehet shërbimi i detyrueshëm ushtarak (Letonia është shembulli i dukshëm), të tjerat si Gjermania po debatojnë ende për këtë çështje, dhe duket se do të lëvizin në atë drejtim. Por ndërsa Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius, ka folur për planet për rekrutimin e vullnetar (vetëm 5.000 nga 400.000 të rinjtë e vendit do të zgjidhen për të shërbyer çdo vit), edhe kjo skemë ka jo pak probleme.
Kancelari gjerman Olaf Scholz, thotë se nevojat e ushtrisë janë të menaxhueshme, dhe plani nuk është paraqitur ende në parlament. Dhe teksa shumica e gjermanëve e mbështesin këtë ide, ajo ka jo pak kosto për një qeveri që ka shumë kufizime në aspektin financiar. Vetëm ndërtimi i kazermave të reja do të kushtonte miliarda euro.
Por kjo çështje mund të jetë vërtete pashmangshme, pasi mund të tkurret angazhimi ushtarak i SHBA-së në kontinentin e vjetër. Britania e Madhe ka pasur një ushtri tërësisht profesioniste për pjesën më të madhe të historisë së saj moderne. Por edhe atje është ndezur debati.
Në fillim të këtij viti, gjenerali Saunders e shqetësoi qeverinë me një fjalim që sugjeronte krijimin e një “ushtri qytetare”. Ndërsa e bëri të qartë se kjo nuk ishte një thirrje për rekrutim të plotë ushtarak, ai nënvizoi se lufta e Ukrainës kishte treguar nevojën për krijimin e rezervave të mëdha të personelit të trajnuar.
Ai sugjeroi një mobilizim vullnetar kur të nisë një luftë. Duke pasur parasysh acarimin e qeverisë në janar, ishte paksa e çuditshme t’i shihje konservatorët ta bënin shërbimin vullnetar kombëtar pjesë të platformës së tyre për zgjedhjet e qershorit, që i humbën përballë Partisë Laburiste.
Drafti propozonte 1 vit shërbim kombëtar për të gjithë 18-vjeçarët, edhe pse vetëm një pakicë e tyre do t’i nënshtrohej trajnimit ushtarak. Ideja u prit me kritika të mëdha, dhe mbetet e paqartë nëse konservatorët do ta ndjekin atë më vonë. Sidoqoftë, ide të tilla diskutohen rrallë në politikën britanike dhe tregojnë se disa segmente politike dhe të sigurisë janë të shqetësuara për këtë çështje.
Atëherë, si mund të jetë rekrutimi ushtarak nga tani e në vazhdim? Ekzistojnë dy modele bazë. I pari ka të bëjë me stërvitjen e ushtarëve, dhe më pas me kohën kur ata shërbejnë si pjesëtarë të forcës operative. Për shembull, trajnimi bazë është 8 muaj, i pasuar nga 2 vjet shërbim në forcat e rregullta ushtarake.
Kjo çon në një situatë, ku thuajse 1/3 e forcave të rekrutuara përgatiten për një punë që zgjat vetëm 2 vjet. Ushtarët që bëhen pjesë e stërvitjes, nuk janë gati të marrin pjesë në ndonjë mision apo fushatë, dhe do të vendosen vetëm më vonë në një njësi luftarake. Kur kalon 2 vjet në forcën operative, ushtari çmobilizohet dhe kthehet në jetën civile.
Kohëzgjatja totale e rekrutimit është afro 3 vjet. Nuk ka gjasa që i rekrutuari të kthehet në shërbimin ushtarak, nëse nuk del vullnetar dhe të regjistrohet në një njësi ushtarake me kohë të plotë. Ndërkohë në modelin e dytë, thirren rekrutët dhe i nënshtrohen një trajnimi bazë prej 8 muajsh, pas së cilës ushtarët ç’mobilizohen dhe i kthehen jetës civile, me detyrimin që të kthehen në njësinë e tyre gjatë mobilizimit.
Njësia e tyre çmobilizohet. Armët, automjetet dhe pajisjet e tyre ruhen në magazina të shpërndara në gjithë territorin e vendit, derisa ushtarët të kthehen për stërvitje ose mobilizim. Njësia aktivizohet çdo 12, 24 ose 48 muaj për stërvitje për 1 muaj, në fund të së cilit zhvillohet një test i aftësisë për t’u mobilizuar.
Pas stërvitjes fillestare, gjatë dekadës së parë, ushtari i përket fillimisht ushtrisë së rregullt dhe më pas njësive territoriale deri në përfundim të shërbimit. Të gjithë ushtarët e stërvitur, të rekrutuar më parë, formojnë një grup personeli shumë më të madh se ata që shërbejnë aktualisht.
Personeli shtesë në grupin e mobilizimit zgjidh 3 probleme. Së pari, me një personel shtesë, mund të mobilizohesh më shpejt. Së dyti, siç e kemi parë edhe në Ukrainë, luftërat në shkallë të gjerë janë shumë shkatërruese dhe numri i viktimave është i lartë.
Grupi i madh i personelit të ushtarëve, i jep mundësi ushtrisë së mobilizuar që të rimbushë me shpejtësi njësinë e dëmtuar edhe pas luftimeve të ashpra. Së treti, problemet shëndetësore, familjare dhe arsye të tjera të mos-shërbimit, lejojnë përfshirjen e ushtarëve në këtë njësi rezervë.
Modeli i dytë i zbatuar në shumë vende, i jep mundësi ushtarit të çmobilizuar të jetojë jetën e tij civile në grupin e tyre të personelit deri në moshën 35-40 vjeç, pra 10 vitet e para në ushtrinë e rregullt, dhe më pastaj në një njësi territoriale. Le të bëjmë disa llogari. E zëmë se Britania ka nevojë për 80.000 ushtarë të rinj në ushtrinë e përhershme, të cilët duhet të jenë gati nga pikëpamja operacionale.
Sipas modelit të parë, do të ketë 40.000 ushtarë në stërvitje dhe 80.000 ushtarë të regjistruar në forcën e përhershme operative. Mbretëria e Bashkuar ka 66 milionë banorë, dhe me një rekrutim pa dallim gjinor, rreth 500.000 të rinj do të ishin gati për t'u regjistruar në draft bordin dhe testim. Për të pasur 40.000 ushtarë të trajnuar pas 8 muajsh, do të duhej të thirreshin rreth 50.000 të rinj, duke supozuar se 1 në 5 prej tyre nuk do ta përfundojë stërvitjen për shkak të problemeve shëndetësore, lëndimeve dhe arsyeve të tjera. Ky proces do të kërkonte 40-50 kazerma trajnimi me madhësinë e një batalioni, që do të ishte një investim i madh në infrastrukturë dhe ndërtesa. Sipas këtij shembulli, nga gjysmë milioni të rinj, vetëm 10 për qind do të shërbejnë në një forcë rekrutësh që do të zgjerojë ushtrinë ekzistuese profesionale britanike. Por kush do të shërbejë dhe pse? Kjo është një pyetje e ndërlikuar.
Në vende më të vogla si Izraeli, Finlanda dhe Koreja e Jugut, duhet të shërbejnë pothuajse të gjithë. Nëse, si në shembullin e Britanisë, nevojitet vetëm 1 në 10, kjo ngre pikëpyetje në lidhje me drejtësinë dhe trajtimin e barabartë të qytetarëve, dhe nëse është e drejtë në një demokraci që të zgjidhen vetëm disa.
Ndërkohë, shumica mund ta shmangë detyrimin për të shërbyer. Rekrutët duhet të motivohen për të qëndruar në shërbim. Nëse ushtarakëve të shërbimit kombëtar, u jepen të njëjtat paga si ushtarët me kohë të plotë, atëherë jeni duke zgjeruar ushtrinë profesioniste. Nga ana tjetër, nëse paga është shumë e ulët, do të ketë një rënie më të madhe, dhe me më pak ushtarë në forcën operative.
Stimuj të tjerë, mund të jenë qasja më e madhe në universitete pas shërbimit kombëtar. Në Suedinë e viteve 1980-1990, rekrutëve u jepeshin pikë bonus në provimin e pranimit në universitet ( Högskoleprovet ), pasi shërbimi kombëtar llogaritej si një përvojë profesionale.
Thirrja për shërbim kombëtar, është një thirrje për t’u mbledhur rreth një qëllimi të përbashkët. Ajo që injorohet shpesh sot, është nevoja për një ndjenjë më të madhe kohezioni kombëtar, sepse brezi i ri është sot më i shkëputur nga shteti-komb. Ata do të refuzojnë të shërbejnë, dhe ushtria nuk ka dëshirë të shpenzojë kohë dhe përpjekje për të trajnuarit e pabindur.
Shërbimi i detyrueshëm ushtarak ngre pikëpyetje edhe rreth asaj se kush do të shërbejë, drejtësisë dhe barazisë, dhe çështje praktike të infrastrukturës si strehimi, terrenet e trajnimit dhe integrimi në një forcë më të madhe. Pra, është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet. Por në një formë apo tjetrën, duket se ka të ngjarë të rikthehet në pjesën më të madhe të Evropës. Dhe ne duhet të mendojmë që tani se si ta bëjmë këtë punë./Përshtati Pamfleti nga “Center for European Policy Analysis”
Shënim: Jan Kallberg, anëtar i programit të Mbrojtjes dhe Sigurisë Transatlantike në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane dhe lektor në Universitetin George Washington, SHBA.
Lini një Përgjigje