Nëse Ukraina bie më 15 tetor, 5 nëntori do të jetë një disfatë e madhe për demokratët. Prioritet në këtë luftë janë interesat e anglo-amerikanëve...
Më i njohuri nga ata që dhanë dorëheqjen është padyshim Ministri i Jashtëm Dmitry Kuleba. Por bashkë më të ikën edhe 5 ministra të tjerë: Ministri i Industrive Strategjike Alexander Kamyshin, Ministri i Drejtësisë Denys Maliuska, Ministri i Ekologjisë Ruslan Strilets, zëvendëskryeministrja dhe Ministrja për Integrime Evropiane dhe Euro-Atlantike Olha Stefanishyna dhe Ministrja për Ri-integrimin Iryna Vereshchuk.
Ishte një tjetër spastrim në radhët e qeverisë ukrainase i kërkuar nga presidenti Volodymyr Zelensky. Ai mund të jetë nxitur nga shumë arsye:ato variojnë nga rastet e reja të mundshme të korrupsionit, deri tek nevoja që presidenti ukrainas (mandati i të cilit ka skaduar) të largojë bashkëpunëtorët që kanë një personalitet aq të fortë sa ta lënë nën hije.
Për momentin, mund të bëhen vetëm hipoteza, thotë Gianandrea Gaiani, drejtor i institutit kërkimor italian “Analisi Difesa”, përfshirë edhe nevojën e qarkullimit të stafit për t'u përgatitur për negociatat e mundshme me ministra të rinj, të cilët janë pak më pak radikalë. Sigurisht që Zelensky (dhe bashkë me të edhe opsioni për të vazhduar luftën) nuk gëzon më shumë mbështetje në Ukrainë. Sipas një sondazhi të kryer së fundmi, pas sulmit ukrainas në Kursk, popullariteti i tij u rrit në vetëm 15 për qind. Pra me herët ishte edhe më i ulët. Nga ana tjetër, konflikti është i përshtatshëm për demokratët amerikanë, të cilët nuk mund të shkojnë në zgjedhje me humbjen në Ukrainë.
Zelensky na ka mësuar me shumë ndryshime në stafin e tij. Por këtë herë duket sikur e teproi: largoi 4 ministra, përfshirë Ministrin e Jashtëm Kuleba, plus 2 zëvendësministra. Si duhet ta lexojmë këtë “epidemi” dorëheqjesh?
Nuk jam plotësisht i sigurt, por kam dyshimet e mira. Në fillim u raportua se kishin dhënë dorëheqje 3 ministra, dhe presidenca në Kiev tha se do të kishte një riorganizim të qeverisë. Në këto kushte duhen vlerësuar disa opsione. Mund të jetë një operacion për të larguar disa persona shumë të korruptuar, të cilët tashmë kanë “ngrënë” mjaftueshëm, për t’u dhënë atyre mundësinë të shkojnë jashtë vendit dhe t’i bëjnë vendin dikujt tjetër.
Kjo hipotezë nuk mund të hidhet poshtë. Mjafton të mbani mend rastin e Oleksii Reznikov, ish-Ministër i Mbrojtjes, i larguar për shkak të një skandali korrupsioni, që tani bën një jetë prej milioneri midis Britanisë së Madhe dhe Rivierës Franceze.
Por këtë herë spastrimi është më i madh se herët e tjera. A mund të ketë edhe shpjegime të tjera?
Po. Qarkullon edhe hipoteza se duke qenë në një rënie të lirë sa i përket popullaritetit, Zelensky ka mënjanuar disa njerëz për t’i zëvendësuar me të tjerë më besnikë. Dhe kjo pavarësisht se mandati i tij ka skaduar që në maj, duke qenë se zgjedhjet e reja nuk u mbajtën. Ndoshta për të mbështetur pozicionin e tij, ai dëshiron rreth vetes njerëz që i konsideron më besnikë, jo rivalë.
Për shembull a mundej Kuleba, gjithnjë në qendër të vëmendjes për rolin e tij në mediat ndërkombëtare, të ishte një nga ata që do të linte disi në hije presidentin?
Po, në këto vite si Ministër i Jashtëm ai ka rënë në sy, dhe në të ardhmen mund të dilte në skenë si një rival i mundshëm. Por Zelensky mund të ketë menduar të heqë qafe disa radikalë, pra zyrtarë që kanë mbështetur gjithmonë një qasje të ashpër kundër rusëve, për të menaxhuar fillimin e një faze të mundshme negociatash me Moskën.
Vitin e kaluar, kur sapo nisën të dalin thashethemet e para për “shkarkimin” e tij, Kuleba tha se do të largohej nëse Zelensky nuk do ta donte më, apo nëse ndryshonte politika e jashtme e vendit të tij. A mund të jetë e saktë hipoteza e dytë?
Zelensky mund të ketë larguar njerëzit që e kritikuan ofensivën e rrezikshme të Kurskut. Diçka më shumë do të kuptohet kur të mësojmë se cilët do të jenë zëvendësuesit e ministrave të larguar. Flitet për zëvendësimin e Kulebës me një zëvendësministër. Nëse kjo do të jetë e vërtetë, atëherë presidenti do të vendoste në ministri një njeri që nuk mund ta lërë në hije, siç ndodhi me paraardhësin e tij.
Gjatë viteve të luftës, largimi i bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë ka qenë një nga “sportet” e preferuara të Zelensky-t. Por si ia del të qëndrojnë ende në krye të vendit?
Largime ka pasur edhe në radhët e ushtrisë. Mjafton të kujtojmë rastin e Zaluzhny-n, rivalin e Zelensky-t për presidencën e ardhshme. Presidenti e konsolidon pushtetin e tij duke larguar nga skena ata që nuk janë dakord me të, apo që kanë prestigjin e duhur për ta lënë në hije.
Për momentin ai po mbahet në krye nga anglo-amerikanët. Edhe brenda parlamentit ukrainas ka shumë kritika për udhëheqjen e ushtarake, për menaxhimin e luftës. Pra është krijuar përshtypja se gjithçka është duke u shembur. Nëse fronti ukrainas bie nesër, Zelensky ka një helikopter të sigurt për të shkuar në Londër ose Uashington.
Po sikur presidenti aktual të mos jetë më popullor?
Ne në institutin tonë kemi publikuar një sondazh, sipas të cilit vlerësimet për Zelensky-n janë “rikuperuar” në 15 për qind pas sulmit në Kursk. Burimet ukrainase thonë se janë mbi 800 mijë burra dhe djem ukrainas, që fshihen për të mos u rekrutuar në front. Atyre u shtohen edhe ata që ndodhen aktualisht jashtë vendit. Këtyre të fundit, u është thënë se për të rinovuar dokumentet duhet të kthehen në vendlindje, me qëllimin e qartë për t’i rekrutuar dhe dërguar në frontin e luftës.
Pra, sulmi në Kursk nuk e ndryshoi pikëpamjen brenda vendit ndaj luftës?
Është e qartë se ky sulm është ndërmarrë falë kontributit dhe planifikimit të amerikanëve. New York Times ka raportuar se kishte mbështetjen e shërbimeve sekrete të SHBA-së. Në fakt kjo ndodhi në fazën e planifikimit. Nëse britanikët dhe amerikanët i siguruan të dhëna të sakta satelitore, kjo ndodhi sepse ata e dinin se çfarë po mendonin ukrainasit.
Nga ana tjetër, në rrjet qarkullojnë video në të cilat shfaqen burra me uniformë ukrainase duke folur në anglisht. Besoj se ishte një operacion që synonte blerjen e kohës për Ukrainën, që të mos kapitullojë përpara zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Nëse Ukraina bie më 15 tetor, 5 nëntori do të jetë një disfatë e madhe për demokratët. Prioritet në këtë luftë janë interesat e anglo-amerikanëve./Përshtati Pamfleti nga “Il Sussidiario”
Lini një Përgjigje