TAGS-AT E JAVËS

Forum 5 Shtator 2024, 15:46

Varfëria është më e shpejtë se Akili!

Shkruar nga Ben Andoni

Varfëria është më e shpejtë se Akili!

Drejtësia e Re, me një ritëm breshke, nuk “e kap” dot ende prej brirësh problemin financiar, që lidhet me ndërtimin dhe që po e sfidon hapur. Të buzëqeshur, zakonisht me diplomatët amerikanë dhe britanikë, drejtuesit e SPAK-ut mëtojnë se do të vazhdojnë punën dhe shfaqen të bindur në udhën e tyre!

Ardhja nga sistemi i pas Luftës së Dytë në Shqipëri, që predikonte barazitizmin, por që krijoi me kalimin e viteve hendeqe shoqërore, është shndërruar në një sistem të pas viteve ‘90, ku të pasurit sot kanë të përqendruar në duar 98 për qind të depozitave bankare të shqiptarëve, referuar agjencisë së sigurimit të depozitave, alarmonte një prej kryetarëve më të rinj të partive shqiptare. Sesa janë 2 % e shqiptarëve të pasur, kjo është një kërkesë tjetër statistikore, që nuk është e sqaruar. E megjithatë, sikur të mos mjaftojë kjo, është krimi që po sfidon hapur.

Drejtësia e Re, me një ritëm breshke, nuk “e kap” dot ende prej brirësh problemin financiar, që lidhet me ndërtimin dhe që po e sfidon hapur. Të buzëqeshur, zakonisht me diplomatët amerikanë dhe britanikë, drejtuesit e SPAK-ut mëtojnë se do të vazhdojnë punën dhe shfaqen të bindur në udhën e tyre! Në orët e fundit, dosja hetimore e SPAK e nxjerrë në media tregon se vetëm për vitin 2020, grupi kriminal i Çopjave ka futur në Shqipëri rreth 7.5 milionë euro, të investuara për ndërtimin dhe blerje ndërtimesh. Ajo që të lind realisht si pyetje është: Nëse një grup i vetëm është i aftë për të proceduar me këtë sasi parash, sa është sasia që sjellin grupet e tjera dhe akoma më shumë: si është ky fenomen në ekonomi?

Politikanët heshtin, ndërsa në erën Rama është shpallur si sfidë ndërtimi, paçka se Socialistëve u është bërë e qartë nga shifrat ekonomikë, që bumi i ndërtimeve nuk i përgjigjet më kërkesës. Ndaj, logjikisht, arsyeton se nuk do jetë e largët dita, kur në listë- pagesat e këtyre bizneseve të dalin emra politikanësh. Por pse nuk tremb vallë SPAK-u këtë fashë të vogël, por kaq potente?! Lejet e ndërtimit të miratuara në mbledhjet e fundit të Këshillit të Territorit tregojnë se ata nuk kanë pse të tremben, kur kompani anonime, përfshihen në ndërtime të mëdha dhe sfiduese. Kompanitë e vjetra e kanë humbur me kohë sfidën e tyre në kohët e reja, kur politikanët po sfidojnë hapur.

Ky ishte një aspekt i pabarazisë, por po të shikosh mënyrën e ndarjes së pasurisë kombëtare, atëherë trembesh. Ekonomia kombëtare nuk ka prodhuar mirëqenie. Shqipëria mbetet me të ardhurat dhe fuqinë blerëse më të ulët në Evropë, sipas Eurostat. Të ardhurat për frymë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) ishin sa 34% e mesatares së Bashkimit Evropian. Ky tregues konsiderohet nga më të ulëtit në Evropë. Në teoritë ekonomike flitet shumë për mallkimin e “Vendit të pasur” me asete natyrore. Shqipëria është dëshmia e këtij përcaktimi, pasi e bekuar për pasuritë e shumta natyrore në raport me popullsinë dhe sipërfaqen, ku jo më kot shpesh e krahasojnë me Zvicrën, sërish vijon të mbetet ndër më të varfrat në Evropë.

Të mendosh se kemi hapësirën më të madhe naftëmbajtëse në kontinent në Patos-Marinzë, por edhe pas vitesh të tëra, kompania që e shfrytëzonte me koncesion nuk paguante tatimfitimin!!! Për rezervat ujore (paradoksalisht shumë qytete tonat s’kanë ujë 24 orë dhe jo vetëm kaq) krahasohet me vendet skandinave. Kurse për burimet e kromit (me atë u përballua bllokimi në kohën e socializmit) tashmë kemi viktima të shumta prej shfrytëzimit pa kriter dhe deri në babëzi dhe konflikte të fortësh, që nuk mbarojnë. Importojmë çdo vit energji, paçka hidrocentraleve të mëdhenj, pasi nuk dimë ende të diversifikojmë si duhet energjinë. Të mendosh, vendi ynë me gati 300 ditë me diell dhe asete natyrore eolike importon në vit mesatarisht 20-50% të energjisë që na nevojitet (Monitor, 2024).

Lini një Përgjigje