TAGS-AT E JAVËS

Forum31 Mars 2025, 17:02

Evi Kokalari: E vërteta e “takimeve” të Fatmir Mediut në SHBA dhe një apel për drejtësinë

Shkruar nga Evi Kokalari

Evi Kokalari: E vërteta e “takimeve” të Fatmir Mediut

Fatmir Mediu është në Amerikë me shpresë se do shpëtojë veten dhe Berishën...

Ka ditë që shikoj se Fatmir Mediu është në Amerikë, duke bërë foto me Kongresmenë dhe duke i postuar në Facebook për efekt lajmi. Shumë prej tyre i quan miq, por miq të Mediut ata nuk janë.

Hipokrizia e Mediut ndaj Kongresmenëve tanë në SHBA fillon që me prezantimin që i bën vetes, si kryetar i Partisë Republikane. Në fakt, Mediu sa për respekt të kohës që këta kongresmenë i kanë kushtuar, duhet t’ju thotë atyre që partia e tij është në emër vetëm, dhe se ka dhjetë vjet që vetëm Mediun ka anëtar të saj dhe deputet në parlament.

Fakti i dytë që Mediu duhet t’ju shpjegojë "miqve" të tij në Kongres është se Mediu është deputet në formën më të korruptuar që ekziston - listat e mbyllura - dhe jo me votë. Sa i vlen lëkura Mediut kjo mund të shihet vetëm në zgjedhje. Mediu si shumë të tjerë është në parlament me forcë si komunistët dhe jo me dëshirë të lirë të popullit.

Por pyetja ngrihet - ku i gjen kontaktet Mediu dhe si e gjejnë kohën këta kongresmenë që në një periudhë kaq të shkurtër të takohen me të? Apo thjesht ecën korridoreve dhë ke të gjej në zyrë bën një foto?

Duket se sekreti i Mediut është e vetmja miqësi që ka - Robert Aderholt.

Aderholt është një Kongresmen nga Alabama dhe një figurë në institutin që organizon 'Mëngjesin e Lutjeve', një event që është kthyer në sallë lobimi për politikanët e huaj dhe që ka filluar të mos pëlqehet nga eksponentët e politikës Amerikane, pikërisht sepse ka humbur thelbin e misionit fillestar.

Aderholt është gjithashtu bashkë-kryetar i kokusit i çështjeve Shqiptare në Kongres, dhe kjo është alarmante kur shikon se kokusi i çështjeve shqiptare, në vend që të merret me problemet reale dhe të ndihmojë Shqipërinë, është kthyer në vegël për të mbrojtur politikanët e korruptuar shqiptarë. Tek kjo e fundit, do ngremë ne si komunitet çështjen në fjalë, duke ju referuar pikërisht Mediut dhe duke kërkuar dorëheqjen e Aderholt nga kokusi i çështjeve Shqiptare.

Që Kongresmenët e fotove të Mediut nuk ja kanë idenë kush është Mediu, kjo s'do shumë mend, por kam një parandjenjë që Aderholt e di.

Një nga burimet e përgjegjshme të komunitetit tonë këtu në NY më thotë se Aderholt ka qenë 63 herë në Shqipëri, sigurisht në emër të 'Jesusit'. Kjo ngre shumë pikëpyetje dhe realisht dua të di se çfarë i është dashur Aderholtit në Shqipëri 63 herë. Por kjo çështje ashtu si dhe investigimi nga FARA te kujt do që e prezanton Mediun me anëtarët e Kongresit, dhe që nuk është regjistruar si lobist për një parti politike të huaj, mbeten investigime të gazetarëve dhe të DOJ.

Por pse Mediu ka filluar një fushatë mediokër me foto dy muaj përpara zgjedhjeve? Ai vendin në parlament e ka të siguruar (në mënyrë të korruptuar gjithsesi). Në fakt kjo është fushatë kundër drejtësisë dhe SPAK-ut.

Fatmir Mediu është në Amerikë me shpresë se do shpëtojë veten dhe Berishën. Vështirë se kjo do ndodhë. Amerika dhe Kongresi apo anëtarët e saj nuk do riskonin kurrë reputacionin e tyre për të mbrojtur Fatmir Mediun.

Një artikull gazete për këtë çështje fare mirë do përdoret kundër tyre në fushatat e ardhshme në Amerikë. Siç e thashë më lart, po të ishin në dijeni se kush është Mediu, nuk do kishin pranuar të takoheshin me të dhe jo më të bëheshin vegla mbrojtjeje të një korrupsioni që po i fundos këta personazhe.

Personalisht e gjithë kjo tentativë midis Mediut në DC dhe LaCivites në krah të 'legjendës', më duket si ajo përpëlitja e fundit para se kafsha të jap shpirt.

E kam shpjeguar këtë fenomenin e fundit të Mediut në detaje, më shumë për t’i shpjeguar mentalitetin e realitetit të parë me syrin tonë si Amerikane - Irena Gjokes, dhe uroj që ky mesazh, në një formë a po tjetër, t’i arrijë asaj.

Një kërkesë kam për Irenën - në 7 Prill, që është seanca e radhës, nuk duhet të kesh asnjë mëshirë, dhe jo vetëm - por shto dozën e agresivitetit në maksimum. Fotot e Mediut në Kongres nuk duhet të intimidojnë askënd, aq më tepër drejtësinë në Shqipëri - sepse çfarë po ndodh në Shqipëri, është detyra jonë si komunitet t’ja u bëjmë të qartë këtyre në Kongres. Por shpresa e fundit në Shqipëri për pastrim korrupsioni është vetëm SPAK, dhe tashmë qartazi keni mbështetjen e vet shqiptarëve.

Nuk mund ta quaj Mediun të fajshëm derisa çështja të përfundojë në gjykatë, por siç i themi këtej nga ne "Nëse ecën si pate, e kakaris si pate - shanset janë është pate!"

Lini një Përgjigje