Politikani global, i pandehuri Fatmir Mediu, gjatë qëndrimeve në SHBA, pozon nga sallone hotelesh e restorantesh luksoze me kongresmenë, senatorë, nëpunës e politikanë amerikanë, por shpenzimet nuk i deklaron ILDPKI; as të ardhurat për trajtimet mjekësore që deklaron se ka bërë atje…
Seanca gjyqësore e datës 25 mars ndaj të pandehurit Fatmir Mediu për tragjedinë e Gërdecit, u shty përsëri, ngaqë avokatët thanë, se ka shkuar në Uashington, i ftuar për takime në Kongresin Amerikan, por nuk paraqitën ftesë zyrtare, ndërsa prokurori dhe gjyqtarja nuk e kërkuan.
As Kryesia e Kuvendit, nuk ka dijeni që deputeti Fatmir Media është ftuar nga Kongresi Amerikan dhe as Partia Republikane e Shqipërisë, nuk ka një ftesë për të si kryetar partie; fakt që vërteton dredhinë e tij, për të mos u paraqitur në seancën gjyqësore të Gërdecit.
Sipas Kodit të Procedurës Penale, seanca duhej të zhvillohej në mungesë, mbasi Fatmir Mediu i është shmangur 13 herë gjykimit, duke shkuar në SHBA në datat e gjyqit, me mashtrimin sikur ka ftesa nga DASH, NATO, Kongresi e Senati dhe sikur shkon për trajtime mjekësore.
Përveç mashtrimit për të zvarritur procesin gjyqësor të Gërdecit, SPAK duhet ta hetojë ish-ministrin e pandehur Fatmir Mediu, për burimet financiare të udhëtimeve të shumta që bën drejt SHBA e ditë-qëndrimet atje, shpesh i shoqëruar.
Sipas të dhënave, rezulton se nga muaji janar 2022 e deri në muajin mars 2025, Fatmir Mediu, ka udhëtuar 47 herë në SHBA, ku ka qëndruar 302 ditë, që do të thotë se ka harxhuar miliona për avion, taksi, hotele etj..
Këto shpenzime udhëtimi e qëndrimi në Amerikë, deputeti Fatmir Mediu nuk i ka deklaruar te formulari i tij pasuror në ILDKPI, megjithëse e detyron Ligji Nr. 9049, datë 10 prill 2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve e nëpunësve të lartë publikë”.
Gjersa ‘zonjëza’ Evgjeni Bashari e ILDPKI-së nuk ia ka verifikuar këto shpenzime udhëtimi e qendrimi në SHBA; dhe as e ka kallëzuar penalisht për fshehje të ardhurash financiare; është detyrim i SPAK, të hetojë se nga cilat burime i ka siguruar Fatmir Mediu këto të ardhura.
Nëse ka qenë i ftuar zyrtarisht, shpenzimet ia kanë paguar DASH, Kongresi e Senati, por Fatmir Mediu ka detyrim të deklarojë çdo qindarkë në ILDKPI, madje të detajuara për vlerat e udhëtimit me avion, hotelin, pagesat për ushqime e shërbime të tjera gjatë qëndrimeve në SHBA.
Sepse e kemi parë, që politikani global, i pandehuri Fatmir Mediu, gjatë qëndrimeve në SHBA, pozon nga sallone hotelesh e restorantesh luksoze me kongresmenë, senatorë, nëpunës e politikanë amerikanë; madje duhet të deklarojë dhe shpenzimet për trajtimet mjekësore që deklaron se ka bërë atje./Pamfleti
Lini një Përgjigje