TAGS-AT E JAVËS

Forum28 Mars 2025, 14:15

A do ta shpëtojë SPAK-u Shqipërinë nga korrupsioni?

Shkruar nga Spartak Ngjela

A do ta shpëtojë SPAK-u Shqipërinë nga korrupsioni?

Edhe pse kanë ardhur në pushtet për të garantuar mirëqenien e shqiptarëve, ato kanë pasuruar kryeministrat, ministrat, kryetarët e bashkive dhe administratorët e pronës shtetërore që duhej të shkonte në privatizimin e ekonomisë shqiptare.

Qëkurse filozofi i madh anglez J. S. Mill e përcaktoi qartë se ligji dhe drejtësia duhet të ecin brenda konceptit të dobishmërisë, qytetërimi britanik hyri në një etapë të re; dhe këtë ai ia transmetoi të gjithë Evropës Perëndimore.

I.

E pra, prandaj:

Pyetja që na del përpara ne shqiptarëve sot, është pikërisht kjo:

Sa e kemi ne aktualisht dobishmërinë si koncept moral, te ligjet dhe te drejtësia në Shqipëri? Dobishmëria (utilitarianism) sipas Enciklopedisë Britanike është:

Një princip moral me anë të të cilit një veprim është i drejtë, nëse ai tenton për të maksimalizuar lumturinë, jo vetëm për atë që ka kryer këtë veprim, por gjithashtu edhe për cilindo që do të ketë lidhje me këtë veprim.

Kurse termi i dobishmërisë që ka gjuha shqipe, është edhe më plotësues për këtë koncept.

Prandaj, na duhet ta theksojmë se dobishmëria po na mungon ne shqiptarëve sot, në lidhje me ligjin dhe shtetin që kemi organizuar në Shqipëri. Sepse duhet ta kemi parasysh që dobishmëria e ligjit dhe drejtësisë në një shtet, vendos dhe krijon edhe dobishmerinë e vet shtetit, në funksion të mirëqenies shoqërore dhe të drejtave të njeriut. Sepse të dyja këto, mirëqenia shoqërore dhe të drejtat e njeriut, kanë lidhje organike me njëra-tjetrën.

II.

Por duhet ta theksojmë që kjo ka ndodhur në Shqipëri, sepse, deri tani, qeveritë që kanë kaluar në Shqipëri nuk kanë qënë aspak utilitariste, prandaj shqiptarët ende nuk e kanë provuar dot realisht as dobishmërinë e ligjit dhe as dobishmerinë e drejtësisë. Dhe kjo gjendje sigurisht që shoqërinë shqiptare po e mban ende jashtë humanizmit që, në fakt, duhet të jetë filozofia e domosdoshme e çdo shoqërie të qytetëruar.

Përkundrazi, ashtu siç e theksuam, në Shqipëri në 30 vite rresht ligji është zbatuar jashtë dobishmërisë shoqërore, sepse ai nuk është aplikuar për drejtësinë, por vetëm për korrupsionin e lartë shtetëror.

Kjo na e provon qartë pse gjendja jonë shoqërore nuk e ka arritur dot mirëqenien - sepse është korrupsioni, ose fitimi individual i pushtetarëve, fenomeni që e ka bllokuar zhvillimin kombëtar.

Dhe, prandaj, nëse ju do të pyesni se ku është depozituar ose ku është derdhur në 30 vite rresht mirëqenia e shqiptarëve? Përgjigja është vetëm një:

Ajo është e depozituar si shpërndarje investimesh dhe depozitash bankare, vetëm në dobi materiale të qeveritarëve apo qeverive të korruptuara, të cilat, edhe pse kanë ardhur në pushtet për të garantuar mirëqenien e shqiptarëve, ato kanë pasuruar kryeministrat, ministrat, kryetarët e bashkive dhe administratorët e pronës shtetërore që duhej të shkonte në privatizimin e ekonomisë shqiptare.

Kurse, aktualisht çështja e korrupsionit të lartë shtetëror tani është krejtësisht e provuar.

Prandaj pyetja mbetet që të jetë kjo:

Po tani që çështja e korrupsionit të lartë shtetëror është e provuar, si do të zgjidhet në Shqipëri ky regres ekonomik që në disa dekada rresht ka dhunuar rëndë shoqërinë shqiptare?

Kjo duhet të zgjidhet vetëm nga SPAK.

Dhe kjo është arsyeja që unë e përsëris vijimisht pyetjen time publikisht: A do ta shpëtojë SPAK - u shoqërinë shqiptare nga regresi dekadent i korrupsionit të lartë shtetëror?

Unë kam folur me siguri se:

Po! SPAK do ta shpëtojë shoqërinë shqiptare nga korrupsioni kriminal që e ka pushtuar, sepse SPAK është krijuar nga ekspertiza dhe financimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe, pikërisht për këtë, kjo çështje do të shkojë me drejtësi morale deri në fund.

Prisni, dhe shikoheni me vëmendje këtë histori të re që po i vjen shoqërisë shqiptare, dhe vetë Shqipërisë.

Lini një Përgjigje