Shpresoj shumë që gjatë kësaj vere të marrim lajme të mira nga Kuba, edhe ai, ndoshta populli i fundit, regjimi i fundit komunist në botë mbas atij të Koresë së Veriut, të shpëtojë nga një dhunë e pangjashme që e ka denatyruar një popull aq simpatik...
Asnjëherë s'e kam kuptuar se pse Amerika nuk ka bërë çmos për të shpëtuar Kubën, pra për të rrëzuar regjimin komunist të Kubës, që po mban frymën e atij vendi prej gati 60-70 vitesh. Ndërkohë që Amerika ka shkuar aq larg me trupat e saj, nga Vietnami, në Kore, në Afganistan, në Irak, në Iran edhe shumë zona të tjera të botës, që fjala vjen i ka 10,000-15,000 kilometra larg. Ndërkohë që Kubën e ka 60-70 milje, pra shumë afër.
Si ka mundësi pra që e ka lënë këtë vend të degjenerojë në atë masë, pa bërë asgjë për popullin e saj? Unë nuk jam një intervencionist, pra nuk jam një njeri që besoj se demokracitë vijnë me luftë.
Apo se regjimet gjakatare apo grabitqare të vendeve të ndryshme mund të bien nga pushteti me ndihmën e ushtrive të huaja. Në përgjithësi jam pacifist edhe doja që edhe Kuba t'i zgjidhte hallet e veta me paqe.
Por ç’rëndësi ka, me sa duket koha ka ardhur që regjimi kubanez po shtrëngohet, edhe me sa duket Amerika po e bën këtë gjë me më shumë vrull se në 50 vitet e fundit, e me më shumë vullnet. Edhe ndoshta gjatë kësaj vere do shohim që regjimi kubanez mbase mund të bjerë.
Herën e fundit që kam qenë në Kubë, para nja dy vitesh, s'e kisha parë atë ishull më keq se kurrë. Pra, në qoftë se mund ta krahasoja me diçka të njohur, ishin vitet '80 në Shqipëri, por ishte shumë më keq. Çdo gjë ishte me tallon, ushqime nuk kishte, qyteti, Havana, sikur ishte i papastruar, njerëzit depresivë, shumë të varfër, me paga mizerabël.
Një polic në Kubë paguhet 20 dollarë, në qoftë se i merr dhe ato. Pra një katastrofë, një qytet i mrekullueshëm si Havana, i rrënuar, totalisht i varfër. Edhe i habitur disi nga kjo gjë, se ne jemi mësuar ta shohim Kubën, ta shohim si një kolorit, si një ansambël muzikor që nuk pushon natë e ditë, pyeta një shofer taksie që po më shoqëronte ato ditë, edhe i thashë: "Si ka mundësi që duroni këtë regjim prej 60 vitesh dhe nuk bëni ndonjë gjë?
Të gjithë e rrëzuam komunizmin, edhe ne që ishim shumë të varfër e rrëzuam komunizmin tonë me mjetet tona”. Ai tha,: "Ne përpiqemi, por nuk e bëjmë dot sepse nuk kemi armë. Dhe në qoftë se dalim në protestë do të na vrasin."
Pra nuk kemi armë të mbrohemi.
Unë shpresoj që Amerika nuk do t'i zgjidhë punët me armë në Kubë, edhe të krijojë viktima atje. Por shpresoj shumë që përmes shtrëngimit, ta detyrojë regjimin e Kubës të lëshojë pushtet. Pra në një kuptim të kalojë në një proces pacifist ku të lëshojë terren. Pra Kuba të qeveriset nga më shumë se një parti ose të ketë zgjedhje të lira të ardhshme ku më në fund demokracia t'i hapi vend ekonomisë së tregut, edhe tregut të lirë, sigurisht.
Do t'ju them një gjë që në Kubë, që njerëzit ta kuptojnë se çfarë është Kuba. Për shkak të frikës që ka regjimi komunist se njerëzit mund të arratisen në Amerikë, siç ndodhi me shqiptarët që shkuan në Itali me varka para 30-40 vitesh, kubanezëve të varfër nuk u lejohet as të gjuajnë peshk në detin e tyre. Pra është i vetmi ishull në botë ku nuk mund të hash peshk. Sepse gjuetia e peshkut nuk lejohet për shkak të frikës nga arratisjet me varka të vogla. Kjo është Kuba e sotme.
Kështu që shpresoj shumë që gjatë kësaj vere të marrim lajme të mira nga Kuba, edhe ai, ndoshta populli i fundit, regjimi i fundit komunist në botë mbas atij të Koresë së Veriut, të shpëtojë nga një dhunë e pangjashme që e ka denatyruar një popull aq simpatik edhe aq dashamirës sa është Kuba. Kështu që kam shumë shpresë që shpejt do themi: Cuba Libre!
Shikoni çdo bëni me komunistët që keni këtu njëherë pastaj merruni me ata të Kubës.
Komunizmi neshqiperi nuk ka ikur klasa politike.qe e dreiten.eshte me komuniste