
Motivet e këtij provokimi të marrë mund të jenë të larmishme...
Pasi u tall me pensionistët në indeksimin e fundit, Edi Rama ka vendosur të tallet edhe me popullin shqiptar në tërësi. I paska lindur ideja gjeniale e krijimit të një shtetthi fetar brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë, pa pyetur as për Kushtetutën, as për vullnetin e popullit shqiptar (i cili as vetë me referendum nuk mund të tjetërsojë integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë).
Motivet e këtij provokimi të marrë mund të jenë të larmishme. Së pari, i budallallepsur pas idesë së kthimit të Shqipërisë në atraksion turistik me çdo kusht e me çdo çmim, kërkon të bëjë bujë me veçantinë e krijimit të një shtetthi ekzotik fetar në shekullin XXI - një versioni të përçudnuar të Vatikanit, që harron se ky i fundit kishte pas shpine 1000 vjet histori (shteti papal) dhe në fund u realizua si koncesion i diktatorit fashist Musolini.
Së dyti, kjo iniciativë mund të jetë pjesë e ujdisë për të rrëzuar teqenë që ndodhet te pjesa e mbetur e parkut pas Teatrit të Operas dhe Baletit, që t'i hapet rruga ndërtimit të kullës më të lartë në Shqipëri me paratë që pastron krimi i organizuar.
Së treti, e gjithë kjo mund të jetë një "shaka pa kripë e Duçes", që kërkon të trazojë ujërat e debatit publik për të larguar vëmendjen nga korrupsioni dhe keqqeverisja çdo ditë e më e thellë, e dëshmuar katërçipërisht në dështimin për të rritur pensionet pak muaj përpara zgjedhjeve.
Lini një Përgjigje