TAGS-AT E JAVËS

Sport2026-07-15 18:25:00

Vllaznia mbyll aventurën evropiane, shkodranët mposhten thellë nga Malisheva dhe eliminohen nga Liga e Konferencës

Shkruar nga Pamfleti
Vllaznia mbyll aventurën evropiane, shkodranët mposhten thellë
Vllaznia-Malisheva

Vllaznia është eliminuar nga Liga e Konferencës pas humbjes së thellë 5-0 përballë Malishevës në Kosovë.

Skuadra shkodrane udhëtoi drejt sfidës së kthimit me një avantazh minimal pas fitores 2-1 në “Loro Boriçi”, por nuk arriti të përballonte ritmin dhe presionin e ekipit të drejtuar nga Tomas Brdariç.

Malisheva e nisi takimin me intensitet të lartë dhe u shpërblye në minutën e 34-t, kur Uka zhbllokoi rezultatin pas një serie rastesh të krijuara nga vendasit. Goditja e dytë për Vllazninë erdhi në fundin e pjesës së parë, me Ibishin që shënoi në minutën 45+2 dhe dërgoi ekipet në pushim me një avantazh të konsiderueshëm për skuadrën kosovare.

Në fraksionin e dytë, Malisheva vazhdoi të dominonte dhe nuk i dha asnjë mundësi reagimi Vllaznisë. Uka realizoi golin e dytë personal në minutën e 52-të, ndërsa Veliu vulosi shifrat 4-0 vetëm gjashtë minuta më pas. Në minutat e fundit të takimit, Dulaj kompletoi festën e vendasve me golin e pestë.

Vllaznia u shfaq e pafuqishme gjatë gjithë ndeshjes, pa arritur të krijonte rrezik serioz në sulm dhe duke vuajtur shumë edhe në fazën mbrojtëse. Avantazhi i marrë në ndeshjen e parë u përmbys në mënyrë spektakolare nga Malisheva, e cila siguroi një kualifikim historik.

Për klubin shkodran, kjo humbje përbën një zhgënjim të madh, pasi aventura europiane përfundon pas një paraqitjeje shumë larg pritshmërive në sfidën vendimtare.

Ndërkohë, Malisheva feston një sukses të madh europian nën drejtimin e Tomas Brdariç, ish-trajnerit të Vllaznisë, i cili arriti të mposhtë ish-skuadrën e tij në një mbrëmje të paharrueshme për klubin kosovar.

vllaznia malisheva liga e konferencës

1 Komente

  1. V
    Vk

    Haha, cop cop!

    Lini një Përgjigje