TAGS-AT E JAVËS

Sport2026-06-30 15:42:00

Nga varfëria ekstreme te shitja e fanellave dhe këpucëve për të ushqyer djalin, historia prekëse e heroit të Paraguait

Shkruar nga Pamfleti
Nga varfëria ekstreme te shitja e fanellave dhe këpucëve për
Portieri i Paraguait, Orlando Gill

Pak ditë më parë, emri i Orlando Gill ishte i njohur kryesisht për tifozët e futbollit në Paraguai dhe Argjentinë. Sot, portieri 26-vjeçar është kthyer në heroin e një kombi, pasi me dy penallti të pritura udhëhoqi Paraguain drejt një prej fitoreve më të mëdha në historinë e tij, duke eliminuar Gjermaninë nga Kupa e Botës 2026.

Megjithatë, rruga e Gill drejt suksesit ka qenë e mbushur me sakrifica. Vetëm katër vite më parë, ai dhe familja e tij po përballeshin me një situatë tepër të vështirë ekonomike dhe personale. Bashkëshortja e tij, Melisa Avalos, ka rrëfyer se pas lindjes së djalit të tyre, Lautaro, familja nuk kishte pothuajse asnjë burim të ardhurash, ndërsa foshnja vuante nga probleme shëndetësore që kërkonin shpenzime të mëdha.

Në ato rrethana, portieri mori një vendim të dhimbshëm për të mbështetur familjen, duke shitur gjithçka që kishte në dispozicion, përfshirë pajisjet sportive dhe fanellat e tij.

"Kur lindi Lauti nuk kishim asgjë. Orlando shiste rrobat dhe pajisjet që i jepte klubi për të përballuar shpenzimet. Djali ynë luftonte për jetën dhe ai ishte gjithmonë pranë tij. Shiti fanellën e Kombëtares U-20, këpucët, rrobat sportive… shiti fjalë për fjalë gjithçka", ka treguar Melisa Avalos në një postim që u bë viral pas paraqitjes së jashtëzakonshme të bashkëshortit të saj në Botëror.

Sot, historia e Orlando Gill duket si një skenar filmi. Në përballjen ndaj Gjermanisë, ai ishte vendimtar me disa pritje gjatë kohës së rregullt, ndërsa në serinë e penalltive ndali dy goditje, duke siguruar kualifikimin historik të Paraguait dhe duke u shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes.

Pas takimit, portieri ia dedikoi suksesin popullit paraguajan, por një dedikim të veçantë bëri për nipin e tij, i cili ndodhet i shtruar në spital dhe po kalon një periudhë të vështirë. Ky gjest e bëri edhe më emocionues momentin më të rëndësishëm të karrierës së tij.

Nga një baba që detyrohej të shiste fanellat dhe këpucët për të mbajtur familjen, Orlando Gill është shndërruar në simbol të sakrificës, këmbënguljes dhe realizimit të ëndrrave. Historia e tij është ndër më frymëzueset e Kupës së Botës 2026 dhe dëshmon se pas sukseseve të mëdha në fushë, shpesh fshihen beteja edhe më të mëdha në jetën personale.

orlando gill portieri i paraguait

Lini një Përgjigje