Por thellë-thellë ka filluar të më brejë një dyshim i rrezikshëm: çfarë ndodh kur edhe propaganda fillon të humbasë fuqinë e saj mbi njerëzit që dikur e besonin pa bërë asnjë pyetje?
Jam xânë në thark. Nuk e kisha menduar asnjëherë se, pas përpjekjes së gjatë për të dëbuar çdo zâ të lirë të kësaj race të urryer, cep më cep, luginë më luginë, lagje më lagje, do të mbeteshin ende prej tyre, që pikërisht, në ditën kur pushteti im ishte më i sigurt dhe më i pakundërshtueshëm se kurrë, do të më prishnin qetësinë dhe rregullin e punëve të kurdisura me aq kujdes, nën hijen e malit që ngrihet mbi kullën time.
E gjithë ‘arkitektura’ e stërholluar e vëzhgimit, raportimit dhe kontrollit, që e kam ngritur me aq mund dhe finesë prej 13 vitesh, që me aq përkushtim ndau më në fund rrugët mes njerëzve tanë, të lumturve të socializmit regjimentar, dhe atyre që s'ma duen të mirën, u trondit në harkun e një nate, pikërisht atëherë kur as nuk e mendoja. Dhe jo prej ndonjë armiku të jashtëm, jo prej ndonjë komploti ndërkombëtar, siç po më sugjeron Vlona si recetë komunikimi, por prej disa sogjetarëve të pajtuem, që i kishim vënë për të na ruajtur sistemin e filtrimit, të cilin unë, Mbreti i këtij populli të vënë përposh, e ndërtova me aq stërhollim. Ata fodullë, të dehur nga paprekshmëria e dhuruar prej meje, zgjatën duart aty ku nuk duhej. Ja pra. Harbimi i tyre më rrëzoi qetësinë. E ku ta dinin ata se çdo dorë e zgjatur pa mend, çdo padrejtësi e kryer në emër të sistemit, çdo akt fodullëku e dhune, nuk godiste viktimën e radhës të zgjedhur prej meje dhe të harlisurve që më bâjnë temena, por godiste vetë fronin tim, atë fron që ëndërrojnë të gjithë.
Thuhet se edhe makina më e përsosur e sundimit e nxjerr një ditë në shesh dobësinë e vet, për shkak të bindjes së shërbëtorëve se ligji vlen për të tjerët, por jo për ata që janë pranë Mbretit. E kush do ta kishte menduar? E çuditshme! Mbas krasitjes bujare të kokave të taborrit tim, pas blerjes së analistëve të gatshëm për të shpjeguar të pashpjegueshmen, pas shpërblimit me prona e favore të çunave që na sollën sovranitetin e katërt, ende paskërkan mbetur disa që mund të mendojnë se na shkelin me këmbë. Disa që u kishin shpëtuar syve vigjilentë të punëtorëve të palodhur të organizatës, që survejojnë çdo birucë pallati dhe skutë lagjeje. Disa që nuk figuronin as në raportet e përditshme, nuk ishin të regjistruar as në kartelat e bindjes dhe as në teatrin ku do të zhvillohet ceremonia e madhe e nënshtrimit të 35-të. Dhe pikërisht këta, të harruarit, të papërfillurit, të paklasifikuarit, guxuan të lëviznin në çastin tim, duke vënë në provë besimi gjithë teatrin pluralist që po bëhesha gati t'ua paraqitja miqve të mi në Tivat, si dëshminë më të bukur të demokracisë sonë të përkryer, socialiste, të patronazhuar me aq përkorje dhe thellësi. Më ngjan se pikërisht në vitin kur po bëhesha gati të deklaroja: “Unë do të ngjitem në qiell dhe do ta ngre fronin tim përmbi yjet e Perëndisë”, themelet e pushtetit tim kanë filluar të lëkunden.
E pamendueshme! Kur gjithçka ishte përgatitur me kujdes, kur rolet ishin ndarë, kur duartrokitjet ishin siguruar dhe kur skenari po ecte sipas planit, doli se ende kishte plangprishës që nuk pranonin të luanin rolin e spektatorit: rinia që shpërfill listat e patronazhistëve të mi, si dhe klasa e mesme e intelektualët, të cilët unë dhe oborri im i urrejmë në mënyrë aq të zjarrtë.
Ditën e parë mendova se halli ishte me sogjetarët e pajtuar nga Bosët e Andeve, që me sa dukej kishin kapërcyer sogjet e rojeve dhe të marrëveshjeve të pashkruara. Prandaj vendosa të flisja. Të shfaqesha para popullit, si ati i kujdesshëm që mendon ditë e natë për të mirën e të gjithëve. Mendova se gjithçka mund të zgjidhej me ndonjë transferim të kujdesshëm, me ndonjë largim të qetë nga skena të disa djemve vetëmohues që, nga zelli i tepërt, kishin prekur aty ku nuk duhej.
Madje, në bujarinë time të pafundme, mendova t'u ofroja edhe abdikimin, edhe pse nuk kisha një emër për pasues. Me mendjen time të rrethueme prej përuljes, mirësisë e empatisë së stisun, mendoja se një gjest i madh, prindor e bujar, kishte me i trandë e të gjithë do të ngriheshin me vrull për me më ndalë. Në fund të fundit, kush tjetër mund t'ia hapte shtegun këtij populli të mbetun në tharkun që, me aq mund e përkushtim, ua kisha kurdisë Unë, bashkë me ca ortakë të tjerë, bashkëfajtorë e bashkëvuajtës? Mendova se ata të paktë që kam lanë të jetojnë në këtë vend që po e zhbëj ditë pas dite, do të më përgjëroheshin për sakrificën e fundit: t'i sundoja ende. Por u gabova.
Madje, bëra hapin fatal: për herë të parë, lashë të përfytyrohej e pamendueshmja: abdikimi. Ua futa në mendje se edhe mund të largohem si europianist, ndërkohë që njihem anëmbanë si nxënës i Babës së Orientit. Ua bëra të besueshme idenë se Sovrani, me atë ushtri prej tetëqind mijë mbështetësish të thurur në kartela, mund të ikte një ditë. Dhe sapo kjo ide u fut në kokat e tyre, gjithçka ndryshoi. Morën zemër dhe u trimëruan. Në vend që të trembeshin, filluan ta shijonin ândrrën. Dikush ua zgjoi oreksin, dikush ua pëshpëriti në vesh se kjo mund të ndodhte me të vërtetë. Që nga ajo ditë, ata nuk rreshtën më. Filluan të kërkonin me ngulm jo thjesht rrëzimin tim, por duke ndjekur slloganin e tyre të egër, 'goditni aty ku dhemb më shumë', synuan pikat e mia më të dobëta. Siç duken punët, ky përndjekje do të më shoqërojë edhe përtej kësaj jete. Çdo natë, hieja e Thethit dhe e Rrjollit më troket tek shtrati prej mermeri. Që prej verës së kaluar, më duket se Nemesis fle më afër meje se rojet e mia.
Sikur të mos mjaftonte kjo, natën e dytë, nga Tenoktiklani më mbërriti mesazhi, i koduar, por i qartë: një udhëzim urdhërues. Dhe kjo e fundit sidomos të kall datën. Nuk e di nëse më thonë 'qëndro' apo 'ik para se të jetë vonë', pasi ata buzëqeshin edhe kur kërcënojnë. Për herë të parë që prej shumë vitesh, po ndiej se bubullima nuk po vjen më prej qiellit, por prej tokës.
Kështu që, ditën e tretë, më duhej të ndërroja regjistrin. Më duhej të tregoja dhëmbët. Më duhej t'ua bëja të qartë se abdikimi kishte qenë vetëm pjesë e lojës, një provë besnikërie, një kurth i vogël për të parë se kush ishte ende me mua dhe kush po fillonte të më numëronte ditët e mbetura.
Duhej t'ua thosha troç: të iku nuk më lë askush. Nuk më lënë financuesit e ftohtë të fronit tim, arkitektët e largët të linjave të bardha, nuk më lënë ata që u kam bërë “nderet e jetës”, që kanë investuar kaq shumë në stabilitetin tim të përjetshëm dhe të trashëgueshëm. Nuk më lë halli shokëve dhe shoqeve që kam marrë nën mbrojtje; nuk më lë ankthi që vjen prej atyre vigjilentëve, që i kanë letrat gati për mua dhe presin vetëm çastin e fundit për të më nisur tek Liridashësit e Qelive të Vetmuara. E mbi të gjitha nuk më lë misioni. Ai mision i madh që ma ka besuar (megjithëse as unë nuk e di se kush ma ka futur në mendje këtë rrenë të bardhë) për ta shpëtuar këtë popull prej vetes së tij. Ta fus shtetin në Europë, kështu siç është: pa ilirë dhe albanë, një gënjeshtër e madhe dumbabiste, e veshur me kulla betoni dhe me fasada që mbajnë pikturat e mia të pakuptueshme.
Po, e kam shtyrë afatin disa herë. Dikur ishte viti 2027. Pastaj u bë 2030. Ndoshta nesër bëhet 2035. Ç'rëndësi ka? Populli harron. Patronazhistët harrojnë edhe ma shpejt. Ata nuk mbajnë mend datat; mbajnë mend vetëm radhën e fundit të duartrokitjeve. I kam xânë me tul buke, siç thoshin dikur andej nga qyteti i gjyshes sime, një polis që as unë nuk e di pse e urrej aq shumë dhe dua për shpirt t'ia shuaj rrënjët, jo thjesht me një kullë, por me një monument të shëmtuar të madhështisë sime që do t'ia fundosë përgjithmonë historinë dhe lavdinë e padurueshme.
Por a e dini ju çfarë do të thotë të iku unë? Nuk është largim. Është rrënim e katastrofë. Është çarja e digës. Është çasti kur të gjithë fillojnë të kujtohen se kanë ambicie, mendime dhe plane të veta. Dhe sapo e kuptova këtë, fillova t'i shoh ndryshe të gjithë, duke filluar nga Mjeshtri i Madh i Pallatit tim, që hedh tinëzisht shikime mëdyshlënëse.
M'u sulën të gjithë. Jo vetëm kundërshtarët e vjetër; ata i njihja. Por disa prej atyre që i kisha mbajtur afër, që kishin ecur për vite nën hijen time hamzaiste. Di Ferron dhe Lizën po i lë mënjanë; ata e kanë bërë zgjedhjen e tyre dhe nuk ndalen më. Kjo e fundit, bëri hapin e tretë fatal pardje. Halli më i madh janë dishepujt e Mozeos dhe krejt shpura e trashëgimtarëve të egërsisë së vjetër, që kanë ndërruar gunën me kostum, por jo instinktin.
E atëherë e kuptova se rreziku nuk vinte ma prej atyre që ishin jashtë portave. Rreziku vinte prej atyre që kishin filluar të matnin pallatin për vete. E kjo, për mue Mbretin, për të Plotfuqishmin e Demokracisë së Kontrollueme, asht shumë ma e mnershme se çdo stuhi që mundet me ia behë prej së largu.
Në ditën e katërt nuk durova ma. Diçka duhej bërë. Nuk mund të pranohej që njerëzit të ngriheshin në këmbë, në vendin e njerëzve të lumtur, në mbretërinë e qetësisë, bindjes, shërbimit dhe patronazhimit, që unë e drejtoj me aq kujdes, me aq përkushtim.
Duhej gjetur arsyeja. Duhej sajuar alibia. Dhe papritmas m'u kujtua receta e vjetër. E provuar. E suksesshme. E trashëguar brez pas brezi: Shërbimet e huaja! Sigurisht. Kush tjetër? E kishte përdorur Baba i Madh në ditët e fundit të perandorisë së tij në vitin 1991. E kishte përdorur Baba i Vogël në kohët e trazuara të vitit 1997. Pse të mos e përdor edhe unë? Traditat e mira duhen ruajtur. Askush nuk mund ta kundërshtojë. Ky popull është mësuar me përralla. Ata që mund të flasin, nuk flasin. Ata që flasin, nuk dëgjohen. Ndërsa ata që dëgjojnë, janë mësuar të përsërisin atë që duhet.
Por ende më ka mbetur një hall pa zgjidhur: analistët. Ata duhen lëshuar në fushë. Në kohë të tilla nuk mjafton policia, nuk mjaftojnë kordonët, nuk mjaftojnë deklaratat. Duhet ndërtuar alibia. Duhet krijuar mjegulla. Duhet shpërndarë tymi që askush të mos dallojë se ku fillon e ku mbaron e vërteta.
Prandaj vendosa të thërres në ndihmë Mjeshtrin e Madh të Paradigmave, kameleonin e Mbretërisë së Bananeve të Mbushura. Themeluesin e Shkollës së Ideve, ofrimit së diplomave me seleksionim sigurie, dhunuesin e profesorateve fluide, evazorin e famshëm, që e mbaj peng për ditë të vështira. Ai është njeriu që ndryshon ngjyrë më shpesh se stinët dhe bindje më shpesh se moti. Ai nuk prodhon mendime; ai prodhon justifikime. Ai nuk ndërton teori; ndërton strehime për teoritë që kanë nevojë të mbijetojnë edhe kur faktet janë kundër tyre. Shkolla e tij e famshme ka nxjerrë prej vitesh ekspertë të mjegullës publike. Njerëz të aftë të shpjegojnë pse e zeza nuk është krejt e zezë, pse e bardha nuk është krejt e bardhë dhe pse përgjegjësia, në fund të fundit, nuk i takon askujt. Në ditë të vështira, tipa dinakë si ai, janë më të vlefshëm se çdo ministri apo drejtues komunikimi, sepse më lexojnë hallet dhe mendjen time të shkretë, të trazuar ndër rrudha. Dhe mjeshtri e kuptoi menjëherë detyrën. Brenda pak orësh nisi të shpërndante tezat. U ndërtuan paradigmat e reja. U krijuan shpjegimet rezervë. U përgatitën debatet. U caktuan fajtorët alternativë, shërbimet e shteteve të implikuara, që ndërroheshin çdo natë. U shpikën komplotet e nevojshme, dëmi ekonomik i ndërprerjes së investimeve, interferenca e agjencive dhe vendet e origjinës së depërtimit. Çdo gjë sipas manualit të vjetër, të “liberalit”, të tradhtarit dhe të parvenu-së, ngritur prej asgjësë.
Por thellë-thellë ka filluar të më brejë një dyshim i rrezikshëm: çfarë ndodh kur edhe propaganda fillon të humbasë fuqinë e saj mbi njerëzit që dikur e besonin pa bërë asnjë pyetje?
Dhe mandej prapë fillova të bëja llogaritë për ditën e pestë. Do të zbeheshin, thosha me vete. Nuk kanë forcë. Janë lodhur. Janë lënë mënjanë për vite me radhë. Nuk mund të zgjasin shumë. Më e bukura është se edhe në ndërtesën përkrah meje po bëjnë të njëjtën gjë, si me porosi, po shpërndajnë të njëjtën mjegull. Kështu ua kemi sjellë punët. Kemi menduar gjithmonë edhe për këtë ditë të mbrâme.
Por në të errësuar, kur zhurmat e qytetit ranë dhe korridoret e pallatit u zbrazën, më kaloi nëpër mend një dyshim i vogël. Po sikur problemi të mos ishin ata? Po sikur problemi të ishte fakti se, për herë të parë pas shumë vitesh, njerëzit kishin filluar të mos frikësoheshin aq sa më parë?
Le të shohim se çfarë do të sjellin ditët e ardhshme. Tani më duhet të këshillohem me ortakët e hijeve, ata që nuk presin më pas skenës, por po guxojnë të shfaqen vetë. Megjithatë, një tjetër hije po më zë frymën. Në mendje më është gozhduar ajo parullë që dikush, nën dritën e zymtë të natës që ktheva nga Tivati dhe Vlora, e kishte gdhendur në murin jugor të Pallatit tim, duke përhapur panik në të gjithë Gardën Mbretërore. Tetë fjalë që ende më tingëllojnë si një paralajmërim: Ditët e tua janë të numërueme; je peshue në peshore dhe je gjetun i mangët.'
Asgjë nuk Është e jona. As femijet, edhe ata na i bane patronazhista, rezultati: dergjen neper zyra, i joshe me një copë pune dhe për nje page skllavi. Jua preve karrjeren ,sfidat, e lundrimit që çdo i ri e ka ne gjak. Dembelet e administrates tende, femijet tanë dergjen nëpër zyra. Çliroi nga kafazi ku i fute, o MBRETI.
Shtoji Rrjollit, Palasen, Manastirin, Lalzin, kakomene, Karaburunin, Orikumin, Portin e Durresit, triportin e Vlores etj etj etj