Veliaj nuk ishte i pranishëm fizikisht në sallë, por përmes një deklarate ka kërkuar ndryshim të përfaqësimit ligjor.
Mesditën e sotme ka nisur në Gjykatën e Posaçme seanca gjyqësore në themel ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe të pandehurve të tjerë në këtë çështje.
Veliaj nuk ishte i pranishëm fizikisht në sallë, por përmes një deklarate ka kërkuar ndryshim të përfaqësimit ligjor. Ai ka propozuar që mbrojtja e tij të kryhet nga avokati Plarent Ndreca, i cili ndodhej në seancë.
Në të njëjtën kohë, në proces ishte e pranishme edhe avokatja Valentina Todoresku, e cila ka përfaqësuar më herët kryebashkiakun.
Nga ana e akuzës, në seancë morën pjesë prokurorët e posaçëm Altin Dumani dhe Ols Dado.
Seanca vijon me shqyrtimin e kërkesave procedurale dhe administrimin e çështjes.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest prej 10 shkurtit 2025, ndërsa SPAK dërgoi kërkesën për të kaluar dosjen për gjykim 5 muaj më parë. Ndaj Veliajt janë ngritur akuzat për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg. Për rastet e dyshuara të korrupsionit, prokuroria thotë se ai ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga disa kompani të cilat kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Edhe bashkëshortja Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, njëjtë si Erion Veliaj dhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave. Biznesmenët akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash. Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Lini një Përgjigje