TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi14 Korrik 2025, 12:30

Tarifat e Trump-it: Bien ndjeshëm tregjet e aksioneve evropiane

Shkruar nga Diplomatico | Pamfleti.net

 Europa para provës së tarifave amerikane: Koha për përgjigje strategjike!

Tarifat e Trump-it: Bien ndjeshëm tregjet e aksioneve evropiane

Vendimi i presidentit amerikan Donald Trump për të kërcënuar me vendosjen e tarifave 30% ndaj produkteve të importuara nga Bashkimi Evropian dhe Meksika nuk është vetëm një tjetër episod i paparashikueshëm në politikën amerikane, por edhe një rrezik real që mund të tronditë stabilitetin ekonomik të Europës dhe më gjerë.

Për Europën, që po përballet ende me pasojat e luftës në Ukrainë dhe paqartësitë ekonomike që rrjedhin nga ky konflikt, kërcënimi i Trump-it shton një shtresë tjetër pasigurie. Ulja e menjëhershme e tregjeve aksionare europiane, edhe pse e moderuar, tregoi qartë ndjeshmërinë e ekonomisë europiane ndaj vendimeve impulsive të një presidenti amerikan, politika e jashtme e të cilit ka qenë e mbushur me kthesa të papritura.

Ekonomia botërore nuk mund të vazhdojë të jetë peng i një politike që ndryshon brenda natës. Bizneset europiane, veçanërisht ato të sektorit automobilistik, e ndjejnë direkt goditjen e parë, por efektet e vërteta ekonomike mund të ndihen në muajt në vazhdim, duke përfshirë punësimin, çmimet dhe zhvlerësimin e euros.

Tarifat e Trump janë një kërcënim që rrezikon të minojë marrëdhëniet transatlantike në një kohë kur aleanca perëndimore duhet të jetë më e bashkuar se kurrë. Tregjet globale nuk janë fusha loje, dhe kjo lojë e tarifave mund të shndërrohet lehtësisht në një luftë të plotë tregtare, duke dëmtuar në fund të fundit vetë qytetarët amerikanë që Trump pretendon se po i mbron.

Për Europën, momenti është kritik për të reaguar jo vetëm me deklarata, por me një politikë të koordinuar dhe të qartë që e parandalon këtë kërcënim të shndërrohet në realitet. BE-ja duhet të vendosë shpejt nëse do t’i përgjigjet me masa të forta mbrojtëse apo do të kërkojë një zgjidhje diplomatike të shpejtë për të shmangur një luftë ekonomike të kushtueshme.

Është koha që Europa të jetë vendimtare dhe e qartë në mbrojtje të interesave të veta ekonomike, përpara se pasiguria e shkaktuar nga lëvizjet e papritura të Trump të sjellë pasoja të pariparueshme për stabilitetin ekonomik të rajonit dhe më gjerë./Pamfleti

tregje evropiane tarifat e trumpit evropa

Lini një Përgjigje