
Qeveria ka rishikuar për të tretën herë buxhetin e këtij viti. Ndryshimet prekin thuajse të gjitha institucionet. Një pjesë e tyre pësuan ndryshime të konsiderueshme strukturore në fillim të shtatorin me krijimin e qeverisë “Rama 4”.
“Në vijim të zgjedhjeve të përgjithshme të datës 11 maj 2025 dhe ndryshimeve në kabinetin e ri të Këshillit të Ministrave, u rishikuan edhe fushat e përgjegjësisë funksionale të ministrive të linjës. Në këto kushte, lindi nevoja imediate për rishikimin sa më parë të ligjit të buxhetit 2025, me fokus kryesor rishpërndarjen e fondeve buxhetore sipas riorganizimit të ri të ministrive”.
Kështu nga mbi 56 miliardë lekë në dispozicion si Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj tashmë me vetëm Ekonominë dhe Inovacionin do të ketë 47.3 miliardë lekë fonde.
Gati 3 miliardë lekë i janë vënë në dispozicion Ministrisë së Mjedisit që u nda nga turizmi ndërsa Blendi Gonxhja tashmë në krye të Turizmit, Kulturës dhe Sportit do të ketë pak më pak se 7 miliardë lekë në dispozicion. Më pak para në dispozicion deri në fund të vitit do të kenë edhe Ministria e Mbrojtjes, Presidenca dhe Kryeministria.
“Në programe të tjera rreth 50 mln lekë për programin “Mbështetje për industrinë dhe mbështetje për burimet natyrore”. Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacioni, rreth 1.6mld lekë shtesë për sisteme kompjuterike, në kuadër të projektit me Bankën Botërore dhe projekteve me kompaninë Oracle. Shërbimin Informativ të Shtetit, rreth 555.5mln lekë shtesë për blerje sistemesh”.
Një tjetër argumenti i përdorur nga Ministria e Financave në relacionin që shoqëron është nevoja për të rritur fondin për bonusin e fund-vitit i cili do të jetë 97 milionë euro nga 37.5 që ishte.
Bonusi i fund-vitit që të moshuarit dhe kategoritë e tjera përfituese do të marrin do të jetë më tepër se 5 mijë lekë. Me qeverinë që 3-fishoi fondin për shpërblimin e fund-vitit, pritet që të përdoret e njëjta formulë si gjatë 2024-s për shpërndarjen e tij. Kështu nga 15 mijë lekë shpërblim do të përfitojnë mbi 515 individë që marrin pension deri në 20 mijë lekë. Pjesa tjetër, që marrin mbi 20 mijë lekë do të përfitojnë 10 mijë lekë shtesë.
“Shpërblimi i fundvitit për pensionistët, i cili në vijimësi ka shënuar si rritje të frekuencës, si edhe një trend rritës të masës së përfitimit, ka gjithmonë në fokus përmirësimin e nivelit të plotësimit të nevojave të kategorisë vulnerabël të pensionistëve, duke krijuar një siguri në pritshmëritë e kësaj shtrese prej rreth 756 mijë pensionistësh, krahas një besimi të shtuar të tyre për një qasje të vëmendshme dhe suportuese nga ana e qeverisë”.
Ndërkohë brenda vitin 2029 pensioni minimal pritet të dyfishohet. Nga rreth 10 mijë lekë aktualisht, pagesa mujore për të moshuarit dhe kategoritë e tera përfituese të pensioneve do të jetë së paku 20 mijë lekë. Qeveria synon gjithashtu që në katër vitet e ardhshme të dyfishojë edhe pensionim mesatar. Nga rreth 200 euro aktualisht ai pritet të bëhet 400 euro.
Për pjesën tjetër të vitit do të kenë më tepër para në dispozicion Ministria e Bujqësisë, ajo e Brendshme, e Mbrojtjes, Shëndetësia, Drejtësia. Gjithashtu SPAK-ut dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit i janë shtuar fondet. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bashkë me E-qeverisjen janë institucionet me shtesën më të madhe të fondeve. Tek e para fondet shkojnë te Albcontrol pasi fondet e këtij të fundit, ndërsa e dyta për “Diellën” bashkë me projektet e tjera të qeverisë.
“Ndryshimet e propozuara në këtë akt normativ do të vijojnë të garantojnë trajektoren rënëse të nivelit të borxhit publik në raport me PBB-në, në përputhje me rregullin fiskal të përcaktuar në ligjin organik të buxhetit, duke siguruar kësisoj vijimësinë e konsolidimit fiskal dhe qëndrueshmërisë afatmesme dhe afatgjatë të financave publike dhe stabilitetin makroekonomik në tërësi”.
Me ndryshimet e buxhetit është ulur në 2.9 miliardë lekë fondi rezervë i buxhetit të shtetit./A2CNN
Lini një Përgjigje