Borxhi 400 milionë Euro, është i diktuar të merret nga subjekte të huaja private kudo që të gjendet, sepse Banka Botërore (BB) dhe Banka Qendrore Evropiane (BCE), nuk i japin më borxhe Qeverisë Shqiptare, mbasi kanë konstatuar korrupsion në rritje, rënie ekonomike dhe PPP që zhvatin buxhetin...
Ka dhënë shenjën e parë të fundosjes së mëtejshme financiare, tepsia e bakllavasë që Eduard Shalsi u çoi deputetëve të PS në Komisionin Parlamentar të Ekonomi- Financave, më 1 nëntor 2023 kur miratuan buxhetin e vitit 2024.
Në atë buxhet, qeveria planifikoi pagesat 320 milionë Euro për PPP ekzistuese e PPP të reja, 135 milionë Euro për shtimin punonjësve në administratë, dyfishimin e pagave të ministrave e deputetëve, rritjen 30% të pagave të administratës dhe rritjen 3% të pensioneve.
Sipas informacionit që ka siguruar “Pamfleti”, kryeministri Edi Rama ka urdhëruar Ministrin e Financave, Petrit Malaj, të fillojë procedurat urgjente për marrjen e një borxhi tjetër të huaj, me vlerë 400 milionë Euro për detyrimet e vitit 2025.
Ky borxh do merret me kufi interesi deri 7.8% e afat likuidimi për 8 vite, por me të drejtë ristrukturimi edhe me 2 vite shtyrje afati plus 1.5% shtesë interesi, nëse qeveria shqiptare do ndeshet me pamundësi shlyerje apo me presion të agjencive private që do besojnë të japin borxhin, duke e çuar në 10 vite me 9.3% interes.
Ministri Petrit Malaj, në zbatim të urdhrit ka ngritur një grup pune me zyrtarë e specialistë të Drejtorisë së Buxhetit e Borxhit Publik dhe me agjentë sekserë të huaj që gjejnë borxhe, të cilët do jenë miqtë e Bablokut që kanë siguruar Euro- bondet gjatë 11 viteve pushtet të PS.
Zhytja në borxhe, diktohet nga nevoja për të përballuar krizën prej evazionit fiskal, vjedhjet me korrupsion e PPP, aventurat klienteliste që kanë përfunduar me 380 milionë Euro gjoba në arbitrazhe, shpenzime luksi të zyrtarëve, investimet elektorale të pa planifikuara në buxhetet vjetore dhe trefishimi i numrit të militantëve në administratë gjatë viteve 2014-2023.
Më konkretisht, borxh i ri 400 milionë Euro me afat bazë 8 vite e interes 7.8% dhe afat të mundshëm 10 vite e interes 9.3%; do përdoret për të paguar PPP-të zhvatëse “Check-up”, Laboratorët Mjekësor, Hemodializa, Sterilizimi i Pajisjeve Kirurgjikale, Landfillet etj.
Po kështu, me këtë borxh gjatë vitit 2025, do paguhen këstet e borxheve ekzistuese, shtesat në administratat e qeverisjes qendrore e vendore, ujësjellësit e falimentuar dhe detyrimet që bashkitë kanë ndaj bankave shqiptare, enteve e agjencive të huaja, të marra për gjoja financim projektesh lokale dhe gjobat e arbitrazheve.
Sipas urdhrit të Bablokut, borxhi duhet marrë brenda 31 dhjetorit, sepse duhet të fillojë me 1 janar 2025, kur qeveria fillon detyrimet; prandaj urdhri është dhënë tani, që borxhi të pasqyrohet në buxhetin e ri, duke e miratuar përsëri me tepsi bakllavaje në komisionin e Eduard Shalsit.
Saktësojmë, se borxhi 400 milionë Euro, është i diktuar të merret nga subjekte të huaja private kudo që të gjendet, sepse Banka Botërore (BB) dhe Banka Qendrore Evropiane (BCE), nuk i japin më borxhe Qeverisë Shqiptare, mbasi kanë konstatuar korrupsion në rritje, rënie ekonomike dhe PPP që zhvatin buxhetin, siç nuk i dhanë 1.1 miliardë EURO-BONDE, që qeveria kërkoi gjatë vitit 2024 për të shlyer borxhet e PPP-të./Pamfleti
Lini një Përgjigje