Çmimet e tokës ranë me 1.7%, ritmi i rritjes së banesave dhe qirave po zbutet, ndërsa kërkesa mbetet e lartë falë interesit të huaj
Për herë të parë në vitin 2026 regjistrohet në nivel kombëtar rënie e çmimeve të tokës, edhe pse e vogël me 1.7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Kjo është hera e pare që në shpalljet e pasurive të paluajtshme, ka një frenim të ritmit të rritjes së çmimeve të banesave.
Me pak fjalë, pas një periudhe të plotë 8-vjeçare rritjeje të vazhdueshme të çmimeve të banesave, nga viti 2018 deri më sot, dhe pavarësisht interesit të vazhdueshëm nga jashtë, tregu i banesave në Greqi në vitin 2026 po shfaq shenja të ngadalësimit gradual.
Çmimet e shitjes vazhdojnë të rriten, por me ritme dukshëm më të moderuara, ndërsa mbetet për t’u parë gjatë vitit nëse dhe ku do të ketë ulje çmimesh, duke pasur parasysh forcat kundërvepruese në treg: nga njëra anë mjedisi i pasigurt dhe presioni mbi të ardhurat e blerësve potencialë, kryesisht grekë, dhe nga ana tjetër rritja e mëtejshme e kostos së materialeve për shkak edhe të krizës gjeopolitike. Agjentët imobiliarë argumentojnë se rritja e kostove të ndërtimit, e kombinuar me çmimet tashmë të larta të tokës, nuk u lë hapësirë ndërtuesve për korrigjim çmimesh në produktin final, pra në banesat e reja, duke tërhequr lart edhe çmimet e banesave të vjetra.
Megjithatë, nga shpalljet rezulton një dinamikë në rënie, jo vetëm në shitjet e banesave, por edhe në qira. Tashmë në tregun e qirave regjistrohen për herë të parë ulje krahasuar me një vit më parë në zona të caktuara të Atikës, si në Pire, por edhe në rajone të shtrenjta të vendit, si Cikladet.
Pavarësisht kësaj, tregu vazhdon të lëvizë në nivele të larta, duke shënuar në panoramën e përgjithshme rritje edhe gjatë vitit 2026, sidomos duke marrë parasysh faktin se pronat greke vazhdojnë të forcojnë praninë e tyre ndërkombëtare me kërkesë në rritje nga publiku i huaj.
Një aspekt interesant lidhet me faktin se gjermanët kanë humbur vendin e parë për sa i përket kërkimeve për shtëpi në Greqi, pasi blerësit nga ana tjetër e Atlantikut, përfshirë edhe grekët e diasporës, kanë kaluar në krye.
Ngadalësimi
Sa i përket ecurisë së tregut, siç reflektohet nga të dhënat e shpalljeve të përpunuara nga rrjeti “Spitogatos”, konstatimi kryesor është ritmi më i ngadaltë i rritjes këtë vit krahasuar me vitin e kaluar, por edhe me periudhën përkatëse 2025 kundrejt 2024.
“Duket se viti 2026 do të jetë viti i fundit me rritje dhe ndoshta edhe me rënie, diçka që kemi vite pa e parë. Shitësit po fillojnë të tregohen të gatshëm të ulin çmimet, të paktën siç rezulton nga shpalljet”, komentoi Dimitris Melachrinos, bashkëthemelues dhe drejtor ekzekutiv i “Spitogatos”, platformë me mbi 3 milionë vizitorë në muaj dhe më shumë se 100 milionë faqe të shikuara çdo muaj.
Rrjeti i njohur i shpalljeve, që këtë vit plotëson 20 vite në treg dhe mori pjesë së fundmi në Ekspozitën e 6-të Premium Real Estate Expo, analizoi tendencat e tregut për muajt e parë të vitit 2026. Nga të dhënat rezulton qartë ngadalësimi i ritmit të çmimeve të banesave, çka tregon se tregu dhe aftësitë financiare të blerësve po arrijnë kufijtë e tyre.
Treguesit kryesorë konfirmojnë këtë prirje:
Çmimet e kërkuara për shitjen e banesave vazhdojnë të rriten me 7.9% krahasuar me vitin 2025, por me ritëm më të ngadaltë, pasi në tremujorin e parë të vitit 2025 rritja kundrejt 2024 kishte qenë 8.8%.
Në pronat komerciale, rritja është 5.1% kundrejt 2025, nga 7.8% në periudhën 2024-2025.
Ritmi i rritjes së qirave është frenuar gjithashtu, me rritje kombëtare prej 4.2%, nga 6.7% në periudhën 2024-2025.
Rënia e parë e dukshme në nivel kombëtar shfaqet në çmimet e tokës, me ulje 1.7% në tremujorin e parë të 2026, ndërsa një vit më parë ishte regjistruar rritje 1.5%.
Megjithatë, kërkesa mbetet e lartë, me rritje 12% të kërkimeve në platformat e “Spitogatos” krahasuar me vitin e kaluar. Kjo tregon se interesi për prona mbetet i fortë, edhe pse transaksionet janë bërë më të vështira dhe më të rralla, pasi publiku grek po mban qëndrim pritjeje, qoftë nga pritshmëritë për rënie çmimesh, qoftë për shkak të pasigurisë ekonomike dhe presionit financiar si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme.
“Rënia e çmimeve nuk është diçka që mund të ndodhë lehtë”, deklaroi Konstantinos Kolovos, drejtor rajonal i kompanisë imobiliare “Keller Williams”, duke theksuar rritjen e madhe të kostove të materialeve të ndërtimit, të energjisë dhe problemet në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit, të cilat po transferohen në koston e ndërtimit të banesave të reja.
“Nga njëra anë ekziston vërtet një përmbajtje nga ana e blerësve për të përfunduar transaksione javët e fundit. Megjithatë, ndërtuesit nuk kanë hapësirë për të ulur çmimet – sidomos kur kostot vazhdojnë të rriten. Blerësit po orientohen drejt banesave më të vjetra, por edhe në këtë rast çmimet ndikohen nga tregu i ndërtimeve të reja”, tha ai.
Sipas Melachrinos, rritja e çmimeve të shitjes së banesave në vitin 2026 është në rënie dhe, nëse nuk do të ekzistonte programi “Shtëpia ime II”, i cili ndikoi në çmime dhe kërkesë, presionet në treg do të ishin shfaqur më herët.
Ai kujton se, bazuar në të dhënat e 15 viteve të fundit, niveli më i ulët i çmimeve të shitjes së banesave ishte në fillim të vitit 2018, ndërsa në tregun e qirave në vitin 2015, kur nisi të zgjerohej me shpejtësi edhe në Greqi modeli i qirasë afatshkurtër.
Pikërisht nga ky segment po nis tani edhe rënia e qirave, sidomos në tregjet kryesore si Atika, Selaniku dhe Cikladet.
Në Cikladë, çmimet e kërkuara për qira kanë rënë me 7% në tremujorin e parë të vitit 2026 krahasuar me 2025, ndërsa një vit më parë kishin shënuar rritje 12%.
Në Atikë, zona e parë që po shfaq tendencë rënëse është Pireu, ku qiratë kanë rënë me 1.8%, pasi një vit më parë kishin shënuar rritje 5.7%.
Edhe Selaniku regjistron ngadalësim të ndjeshëm, me qiratë që këtë vit janë rritur me 5.1%, kundrejt 13.5% në periudhën 2024-2025, rritje që lidhej kryesisht me hapjen e metrosë.
Ngadalësim po regjistrohet edhe në çmimet e shitjes. Pireu dhe Selaniku paraqesin diferencat më të mëdha krahasuar me vitin 2024.
Në Selanik, çmimet e pronave janë rritur këtë vit me 4.2%, nga 12.5% në periudhën 2024-2025, ndërsa në Pire ritmi është kufizuar në 2.3%, nga 7.1% një vit më parë.
Qendra e Athinës dhe periferitë jugore, që konsiderohen zonat më të kërkuara, po shfaqin gjithashtu ngadalësim. Në periferitë jugore ritmi i rritjes ka rënë në 4.1% nga 9.1%, ndërsa në qendër të Athinës është regjistruar rritje 7.9%, nga 11.7% vitin e kaluar.
Zona e vetme e Athinës që ruan ritme të forta mbeten periferitë veriore, të cilat prej muajsh po tërheqin interes në rritje nga blerësit e huaj. Çmimet aty vazhdojnë të rriten me mbi 7%, pothuajse në të njëjtat nivele si vitin e kaluar.
“Spitogatos” mbledh gjithashtu të dhëna për publikun e huaj që kërkon prona në Greqi. Pavarësisht paqëndrueshmërisë gjeopolitike, kërkimet nga jashtë janë rritur me të paktën 5% këtë vit.
Pesë vendet kryesore për kërkime pronash në Greqi mbeten të njëjtat si vitin e kaluar.
Sa u përket çmimeve mesatare të kërkimit, blerësit nga SHBA kërkojnë prona me vlerë mesatare mbi 358 mijë euro, ndërsa gjermanët kërkojnë prona me çmim mesatar rreth 219 mijë euro. Britanikët renditen të tretët, por me buxhet më të lartë, rreth 279 mijë euro. Blerësit nga Bullgaria dhe Serbia orientohen drejt pronave nën 200 mijë euro, përkatësisht rreth 189 mijë dhe 158 mijë euro.
Një treg me dinamikë të fortë këtë vit është edhe Kina, e cila duket se po rikthehet në tregun grek të pasurive të paluajtshme, pavarësisht rritjes së pragjeve për programin e “Vizës së Artë”. /Përshtatur nga Protothema/
Lini një Përgjigje