
Bordi i Transparencës ka vendosur uljen e çmimeve të karburanteve në vend. Sipas vendimit të marrë ditën e sotme, nafta do të shitet me 2 lekë më pak për litër, ndërsa benzina me 4 lekë më pak.
Çmimi tavan i naftës në shitje me pakicë është përcaktuar në 195 lekë për litër, ndërsa në shumicë në 183 lekë për litër. Nga ana tjetër, benzina do të tregtohet me jo më shumë se 182 lekë për litër në pakicë dhe 170 lekë për litër në shumicë.
Vendimi ka hyrë në fuqi këtë të shtunë në orën 13:20 dhe do të mbetet në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku pritet të reflektohen ndryshime të tjera të mundshme në treg.
Autoritetet u kanë bërë thirrje operatorëve të tregut të zbatojnë çmimet e përcaktuara, duke paralajmëruar masa deri në pezullim aktiviteti për çdo shkelje.
Vendimi i Bordit të Transparencës
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 195 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 183 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 182 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 170 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 23 ora 13.20 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.
Lini një Përgjigje