Pas më shumë se dy muajsh konflikti dhe një armëpushimi që mbahet në këmbë me vështirësi, kërcënimet e përsëritura të Donald Trump ndaj Iranit po rikthejnë klimën e frikës dhe pasigurisë në një Lindje të Mesme që ndodhet ende në prag të shpërthimit...
Pas më shumë se dy muajsh përballjeje të përgjakshme në Lindjen e Mesme, me një armëpushim të brishtë që mbahet më shumë nga frika e shpërthimit total sesa nga vullneti real për paqe, Donald Trump ka zgjedhur të rikthejë gjuhën e kërcënimit si instrument politik.
Çdo dalje e tij publike javët e fundit ka ardhur me tone ultimative ndaj Iranit, me paralajmërime për “goditje vendimtare”, “pasoja katastrofike” dhe “forcë të paprecedentë amerikane”.
Por deri tani, këto deklarata kanë prodhuar më shumë zhurmë mediatike sesa veprime konkret. Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi i rrezikshëm: edhe kur kërcënimet rezultojnë boshe, ato vazhdojnë të ushqejnë klimën e luftës.
Rajoni sot jeton në një ekuilibër nervash. Irani dhe Izraeli kanë kaluar për herë të parë në dekada, në përplasje direkte dhe jo më përmes ndërmjetësve klasikë. Sulmet, kundërsulmet, dronët dhe raketat kanë krijuar një realitet të ri sigurie në Lindjen e Mesme, ku një incident i vetëm mund të ndezë gjithë rajonin.
Në këtë atmosferë, deklaratat impulsive të Donald Trump nuk lexohen si retorikë elektorale amerikane, por si sinjale që mund të ndryshojnë llogaritjet ushtarake në terren.
Teherani e ka kuptuar këtë lojë dhe po përgjigjet me propagandë force. Tubimet e natës në rrugët iraniane, pamjet televizive me raketa dhe mesazhet nacionaliste nuk janë shenjë vetëbesimi, por tregues i ankthit të regjimit.
Republika Islamike po përpiqet të bindë popullin e saj dhe rivalët e jashtëm se ka kontroll mbi situatën, ndërkohë që ekonomia iraniane po mbytet nga sanksionet dhe tensioni i brendshëm mbetet i lartë.
Por edhe në Uashington po zhvillohet një teatër politik. Trump po e përdor krizën si instrument për të rikthyer profilin e liderit të fortë global. Problemi është se diplomacia e bazuar vetëm mbi kërcënimin ka një kufi të rrezikshëm: në një moment, pala tjetër mund të vendosë ta testojë seriozitetin e kërcënimit. Dhe atëherë një “bluff” politik mund të shndërrohet në konflikt real.
Kjo është arsyeja pse situata aktuale mbetet më e rrezikshme se vetë lufta e hapur. Sepse kemi një armëpushim që askush nuk i beson, një rajon të armatosur deri në dhëmbë dhe liderë që flasin më shumë për forcë sesa për zgjidhje. Çdo deklaratë e re nga Trump prodhon lëkundje në tregjet globale, tension në diplomacinë rajonale dhe mobilizim propagandistik në Iran. Edhe kur kërcënimet nuk materializohen, ato e mbajnë rajonin në prag të shpërthimit.
Në fund, fantazma e luftës nuk rikthehet vetëm nga raketat apo ushtritë. Ajo rikthehet nga politika që ushqehet me frikën, nga liderët që e përdorin tensionin si kapital elektoral dhe nga diplomacia që ka humbur aftësinë për të prodhuar kompromise. Lindja e Mesme sot nuk ka nevojë për ultimatume të reja, por për mekanizma realë de-përshkallëzimi. Sepse historia e këtij rajoni ka treguar se luftërat më të mëdha shpesh kanë nisur pikërisht nga kërcënime që në fillim dukeshin si propagandë./Pamfleti

Lini një Përgjigje