Nga Tajvani te inteligjenca artificiale, samiti Trump–Xi në Pekin tregoi se SHBA dhe Kina nuk po negociojnë më për bashkëpunim, por po menaxhojnë rivalitetin e madh për dominimin e rendit të ri botëror...
Takimi mes Donald Trump dhe Xi Jinping në Pekin nuk ishte një samit i marrëveshjeve të mëdha, por një ekspozim brutal i realitetit të ri global: Shtetet e Bashkuara dhe Kina nuk po kërkojnë më mirëkuptim strategjik, por menaxhim të kontrolluar të rivalitetit.
Në sallat luksoze të diplomacisë kineze pati buzëqeshje, flamuj, bankete dhe deklarata optimiste për “bashkëpunim” e “stabilitet”, por pas fasadës ceremoniale u pa qartë se dy superfuqitë kanë hyrë në një fazë ku komunikojnë për të shmangur përplasjen, jo për të ndërtuar besim.
Pikërisht këtu qëndron ironia e madhe e këtij samiti: Trump dhe Xi duket se u morën vesh vetëm për një gjë: që të mos merren vesh realisht për asgjë thelbësore.
Amerikanët dolën nga Pekini duke folur për Boeing, tregti dhe investime. Kinezët dolën duke folur për Tajvanin, sovranitetin dhe “vijat e kuqe”. Dy konferenca të ndryshme, dy narrativa të ndryshme, dy realitete politike që nuk takohen kërkund. Dhe kjo nuk është rastësi diplomatike. Është pasqyra më e qartë e botës së re që po formohet.
Në Uashington ekziston bindja se Kina po tenton të zëvendësojë gradualisht SHBA si qendra kryesore e fuqisë globale, jo domosdoshmërisht përmes luftës klasike, por përmes teknologjisë, zinxhirëve ekonomikë, inteligjencës artificiale dhe kontrollit të tregjeve strategjike.
Në Pekin, perceptimi është po aq i ashpër: amerikanët shihen si një fuqi në rënie relative që po përdor Tajvanin, çipat dhe aleancat ushtarake në Azi për të frenuar ngritjen kineze.
Kjo është arsyeja pse samiti nuk prodhoi marrëveshje reale. Sepse problemi mes SHBA dhe Kinës nuk është më tregtar. Është ekzistencial.
Në vitet e shkuara, përplasjet mes dy vendeve kishin natyrë ekonomike: tarifa, importe, eksporte, deficit tregtar. Sot konflikti është zhvendosur në një nivel shumë më të rrezikshëm: kush do të kontrollojë teknologjinë e së ardhmes, inteligjencën artificiale, prodhimin e çipave, rrugët detare, mineralet e rralla dhe vetë arkitekturën politike të shekullit XXI. Kjo nuk është më një luftë për para. Është luftë për dominim historik.
Për këtë arsye, edhe buzëqeshjet e Pekinit dukeshin të ftohta. Xi Jinping nuk kishte nevojë për marrëveshje spektakolare. Atij i mjaftonte fotografia politike: presidenti amerikan në Pekin, në një kohë kur Kina po tenton t’i tregojë botës se nuk është më “fabrika”, por një pol global i barabartë me SHBA. Vetë ceremonia ishte mesazh gjeopolitik.
Ndërsa Trump kërkonte të shiste idenë e një fitoreje ekonomike për publikun amerikan, Xi po luante një lojë shumë më afatgjatë. Kina nuk mendon me cikle zgjedhore katërvjeçare. Mendon me dekada. Dhe objektivi i saj sot duket i qartë: normalizimi i një bote bipolare ku Uashingtoni nuk është më qendra absolute e gravitetit global.
Në këtë sfond, Tajvani mbetet bomba e heshtur e sistemit ndërkombëtar. Çdo fjali diplomatike mbi “stabilitetin” fsheh frikën reale të një konflikti të mundshëm ushtarak në Indo-Paqësor. As Trump nuk dha garanci të forta për Tajvanin, as Xi nuk e zbuti tonin ndaj ishullit. Përkundrazi, të dyja palët duket se po testojnë kufijtë e njëra-tjetrës, ndërsa bota shpreson që rivaliteti të mbetet ekonomik dhe jo ushtarak. Por historia tregon se kur dy fuqi të mëdha hyjnë në fazën e mosbesimit total strategjik, diplomacia shpesh shndërrohet vetëm në mekanizëm për të fituar kohë.
Dhe ndoshta ky ishte kuptimi real i samitit të Pekinit: jo paqe, jo pajtim, jo marrëveshje historike. Vetëm një armëpushim nervoz mes dy fuqive që e dinë se përplasja e drejtpërdrejtë do të ishte katastrofike për të gjithë planetin.
Ndaj, fotografia e Trump dhe Xi duke buzëqeshur në Pekin mund të mbetet një nga imazhet më cinike të diplomacisë moderne. Sepse pas saj fshihet një e vërtetë shumë më e ftohtë: Amerika dhe Kina nuk po përpiqen më të bindin njëra-tjetrën. Po përgatiten për një botë ku secila duhet të mbijetojë kundër tjetrës./Pamfleti
Ne mandarin e pare beri disa here lutje per te takuar nje klloun si kim Yong. Gjoja u mor vesht qe te mos testonte raketat berthamore Korea e veriut, se ishte problem shum I madh.
Gjergj ke harruar që Musk do të investojë 50 mld për një uzinë çipash në SHBA dhe kjo do të jetë e pavarur nga prodhimi taiwanez dhe se pas kësaj gjërat do të ndryshojnë....Amerika nuk do të ketë më nevojën për Taiwanin...