Në perceptimin diplomatik ndërkombëtar del se kjo Serbi destabilizuese po i pengon vetëm Kurtit, por jo edhe opozitarëve dhe shumicës së analistëve në Prishtinë. Kushdo që guxon të dalë kundër Vuçiçit, qoftë opozita në Beograd, qoftë Kurti në Prishtinë, nuk kanë kurrfarë mirëkuptimi dhe miratimi në Bruksel dhe në Washington. S’do mend se Perëndimi po e dëshiron një Kosovë pa Albin Kurtin në krye dhe një Serbi me prorusin, Aleksandër Vuçiçin – president.
Çdo veprim legjitim i Qeverisë së Kosovës që ka të bëjë me shtrirjen e sovranitetit në veri të vendit, ka tre kritikues të mëdhenj: Beogradin, bashkësinë ndërkombëtare dhe opozitën vendore. Reagimet që vijnë nga Brukseli dhe Washingtoni në adresë të Qeverisë së Kosovës, janë produkt i një politike konstante, por të paarsyeshme, te Perëndimi ndaj çështjeve të ndjeshme që ndërlidhen me raportet Kosovë-Serbi. Sipas kësaj politike (që vlen kryekëput vetëm për Kosovën), të gjitha çështjet e hapura në mes të dy vendeve duhet të zgjidhen përmes dialogut, e jo përmes veprimeve që mund të jenë burim tensionesh e incidentesh në veri të Kosovës. Kjo vendosje absurde e simetrisë së fajeve dhe përgjegjësive e ka trimëruar Beogradin tejmase në ndërmarrjen e veprimeve edhe të armatosura destabilizuese, prandaj edhe pas ndërhyrjes brutale në Banjskë, Brukseli dhe Washingtoni kanë vazhduar ta përkëdhelin Gebelsin e vogël të Ballkanit – Aleksandër Vuçiçin, duke ia toleruar të gjitha politikat proruse dhe prirjet e tij autokratike për të sunduar pa alternativë politike. Ata - Parisi, Washingtoni, Berlini, që deri dje ishin modele të demokracisë parlamementare, në rastin e Serbisë po duan të rishkruajnë rregulla të reja duke e zëvendësuar demokracinë me autokraci dhe duke e ngulfatur opozitën për llogari të një pinjolli politik millosheviqian.
Në anën tjetër, ky qëndrim “pragmatik” dhe i paarsyeshëm i Perëndimit ndaj Kosovës ka ardhur duke u modifikuar varësisht se cila strukturë politike udhëheq me pushtetin në Prishtinë. Tani, kur Qeverinë e drejton Albin Kurti, qëndrimet e Perëndimit janë më të ashpra, sepse në qendrat ndërkombëtare të vendosjes ka burokratë që mendojnë se të gjitha vendimet politike të Kurtit që kanë të bëjnë me veriun e Kosovës, duhet paraprakisht të filtrohen në Bruksel dhe në Washington.
Në qendrat ndërkombëtare të vendosjes ka burokratë që pretendojnë se, jo opozita në Beograd, por politikat qeveritare të Kurtit po e rrezikuakan ardhmërinë millosheviqiane të Vuçiçit, prandaj një sahat e më parë Kosova duhet të shpallet një vend problematik dhe kush guxon ta drejtojë atë sipas frymës sovraniste, rrezikon të humbasë mbështetjen e këtyre burokratëve(!). Sipas këtyre qendrave, kurrfarë mandati legjitim në Prishtinë që buron nga vota e popullit, nuk mund të prodhojë politika sovraniste në veri të Kosovës.
Çuditërisht, sa më të forta bëhen kritikat e opozitës serbe ndaj politikave autokratike të Vuçiçit, për shkak se ky i fundit e ka shndërruar vendin e tij në një moçalishte të njëmendësisë radikale, po aq më të ashpra janë edhe qëndrimet e Perëndimit ndaj politikave të Albin Kurtit sa i përket menaxhimit politik e institucional të veriut të vendit. Kush do që del kundër Vuçiçit, qoftë opozita në Beograd, qoftë Kurti në Prishtinë, nuk kanë kurrfarë mirëkuptimi në Bruksel dhe në Washington, të cilët pasi e inicuan themelimin e Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, janë bërë shumë pishman që e hoqën qafe satrapin Millosheviç. Prandaj qëndrimet e tyre cinike nuk janë asgjë tjetër pos një përpjekje e dështuar alkimike që në kufomën e Millosheviqit të reinkarnojnë me ngjyra proruese figurën e Vuçiçit... Për rrjedhojë, po del që diplomatëve të huaj nuk iu pengon fare një politikan autokrat e prorus si Vuçiçi, i padëshiruar nga opozita, por iu pengon një politikan si Kurti, i cili po mundohet t’i zhvillojë politikat e tij qeveritare të cilat i kishte premtuar para se t’i fitonte zgjedhjet. Kurti kritikohet edhe për çështjet të cilat kishin qenë objekt marrëveshjesh të Brukselit, siç është edhe ajo për hapjen e Urës së Ibrit, ose ajo për targat, por ai sërish satanizohet dhe shpallet hiq më pak se antiamerikan.
Sipas kësaj logjike i bie që jo Vuçiçi, por Kurti qenka burimi i të gjitha të këqijave, prandaj ai duhet të paraqitet në media sa më i urryer në mënyrë që popullariteti i tij të bie dhe për pasojë, në zgjedhjet e ardhshme të pësojë fiasko.
S’do mend se Perëndimi po e dëshiron një Kosovë pa Albin Kurtin në krye dhe një Serbi me Vulinin zv. kryeministër dhe Aleksandër Vuçiçin - president. Pse, sepse ky i fundit, siç mund të thuan cinikët, po koordinohet fuqishëm me Perëndimin kur po e shtyp opozitën dhe mediat e lira në vendin e tij, po koordinohet fort me Perëndimin kur po refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë, po koordinohet fort me Brukselin dhe Washingtonin kur linjat ajrore Moskë-Beograd dhe anasjelltas, funksionojnë papengueshëm për bartjen e oligarkëve rusë që ndodhen në listat e zeza amerikane, po koordinohet fort me Perëndimin kur eterin i Serbisë e ka shndërruar në poligon propagande për mediat ruse (Russia Today, Sputnik etj.) që për çdo ditë e helmojnë publikun me retorikë anti-Nato, e anti-SHBA. Cinikët pastaj po thonë se Vuçiçi po koordinohet fort me Perëndimin pasi që ende nuk ka bërë një hap minimal në gjetjen e mbi njëmijë kufomave të shqiptarëve që ndodhen nëpër gropat e mbuluara me asfalt.
Pse Kurti nuk po e merr Vuçiçin si model? Pak a shumë ky është mesazhi i diplomatëve të huaj i mbështjellë me një cinizëm banal kur adresojnë kritika për çështje të pastra si loti, të cilat fare mirë ishin trajtuar dhe kishin marrë udhë juridike në marrëveshjet paraprake të Brukselit dhe këto marrëveshje kanë mjaftuar t’i shërbejnë Kurtit si bazë mbi të cilat janë koordinuar edhe veprimet e tij politike e institucionale. Kurrfarë veprimi i tij nuk është jashtë këtyre marrëveshjeve, ndonëse Vuçiçi shikon te këto veprime të Kurtit rrezik për mosrealizimin e “botës serbe”. A po shndërrohen edhe disa diplomatë në Bruksel dhe në Washington në sponsorizues të tërthortë të këtij projekti hegjemonist serb, i cili është një laborator fantastik për prodhimin e dodikëve të rinjë në këto hapësira?!
Në anën tjetër, Beogradi marrëveshjet në Bruksel i nënshkruan për t’mos i zbatuar, por kjo nuk mjafton që Vuçiçi të konsiderohet jobashkëpunues me Perëndimin. Përkundrazi, ai edhe shpërblehet për politikat e tij proruse e prokineze. Për presidentin francez Emmanuel Macron, Vuçiçi, ndonëse i padëgjueshëm e prorus, është një djalosh simpatik, dhe për pasojë e meriton të pajiset me fluturake ushtarake “Rafale”, sepse në këtë mënyrë nesër do ta ketë më lehtë të bëjë ndonjë luftë të vockël me NATO-n në krah të Rusisë (!).
Ndaj gjithë këtij diksursi diplomatik perendimor për çështje të pambyllura shqiptaro-serbe dhe ndaj rrezikut serb për ta destabilizuar Kosovën, si po sillet opozita dhe një pjesë e gazetarëve dhe analistëve në Prishtinë?
Kur opozita e Kosovës ka dalë me një listë kërkesash, përfshi edhe ekstradimin e Radojçiçit në Kosovë, përmes të cilave do t’i bëhej trysni politikës serbe në Beograd që të heq dorë nga skenarët destabilizues dhe nga përpjekjet për ta shndërruar Kosovën problem të brendshëm të Serbisë?!
Kur opozita e Kosovës e ka kryer një obligim minimal moral ndaj shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, me kërkesën drejtuar diplomatëve të huaj që statusi i këtyre shqiptarëve të ketë trajtim të barasvlefshëm me statusin e sebëve në Kosovë?!
Kur opozita e Kosovës ka inicuar ndonjë pakt të përkohshëm bashkëpunimi me opozitën serbe në Beograd për shpalljen e politikanëve Vuçiç, Vulin, Daçiq etj. si burim i të gjitha të këqijave që mund t’i ndodhin Ballkanit?!
Kur opozita e Kosovës ka përgatitur një dosje të trashë me material inkriminues që do ta bënin përgjegjëse Serbinë para gjykatave ndërkombëtare për krimet monstruoze të kryera në Kosovë gjatë viteve 1998/99, por edhe më herët?!
Jo. Opozita e Kosovës nuk ka ndërmarrë deri më tani asnjë prej veprimeve të sipërpërmendura. Përkundrazi, ajo është marrë vetëm me Albin Kurtin dhe mendimin e vet politik opozitar nuk po e ndërton mbi diskursin e brendshëm politik, që duhet ta ketë, por mbi qëndrimet e diplomatëve të huaj, edhe atëherë kur ata e kanë gabim.
Opozita e Kosovës, në mungesë të alternativave dhe kauzave të saj, e ka gjetur mënyrën më të lehtë për ta goditur Kurtin me grushtat e huazuar nga diplomatët e huaj.
Dhe kjo është mënyra më e lehtë e të bërit opozitarizëm, sepse të gjithë ata që e kundërshtojnë Amerikën dhe Serbinë, sipas opozitarëve të Prishtinës, janë hiq më pak se armiqë të Kosovës. Në dioptrinë e kësaj pikëpamjeje sipërfaqësore del që Albin Kurti është armiku më i madh i Kosovës. Pse? Sepse ai nuk po koordinohet me aleatët perëndimorë në favor të Serbisë para se të ndërmerr veprime të caktuara në veri të Kosovës.
Në Prishtinë, politikanët bien nga pushteti, jo prej votës së popullit, por prej presionit të diplomatëve të huaj dhe këtu buron defekti më i madh i opozitës e cila më tepër merret me regjistrimet e gabimeve të Kurtit në noteset e ndërkombëtarëve, se sa me problemet reale që ka Kosova, për të cilat përgjegjës janë edhe opozitarët e tanishëm që dje ishin në pushtet.
Nuk është në natyrën e opozitarizmit që të pajtohet me çdo veprim të qeverisë, por nuk është edhe normale që çdo dëm që i bëhet Kosovës nga ana e Serbisë të shikohet me syzat e ndërkombëtarëve. Jo pak politikanë të opozitës dhe një pjesë e madhe e gazetarëve dhe analistëve janë shndërruar në vëzhgues ndërkombëtarë dhe e kanë braktisur misionin e tyre të shenjtë të kundërshtimit të zgjidhjeve të dëmshme që bëhen në kurriz të Kosovës, që si pikënisje e kanë procesin e zhbërjes së butë të sovranitetit shtetëror të Kosovës dhe rinegocimin e statusit të saj, duke e shndërruar Kosovën në një paralagje problematike të Ballkanit, ku vetëm kërcënimet serbe për destabilizim mund ta kthejnë atë nga rruga e shtetformimit të njëmendët.
Mund t’i kuptojmë burokratët në Bruksel dhe në Washington për qëndrimet e tyre ‘pragmatike’ ndaj çështjeve të hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë, sepse në hartat e tyre të mëdha gjeopolitike e gjeostratike Kosova mund të duket një pikë e vogël, por është totalisht e pakuptueshme që opozita në Kosovë të luajë rolin e patericave të ambasadorëve të huaj, për çfarëdo çështje që bie ndesh me interesat jetike të Kosovës dhe me tolerimet absurde që i bëhen Serbisë. Është absurd madje ta mendosh se në Prishtinë ka ende politikanë opozitarë që heshturazi pajtohen me shantazhet e Perëndimit që i bëhen Kurtit, jo për të mirën e Kosovës, por vetëm e vetëm që ky i fundit të hiqet nga gara e konkurrimit politik.
Në perceptimin diplomatik del se kjo Serbi destabilizuese po pengon vetëm Kurtin, por jo edhe opozitarëve dhe shumicës së analistëve në Prishtinë, dhe përderisa është kështu, atëherë Kosova duhet të ndëshkohet me masa sanksionuese, kurse Kurti të shpallet polikan i padëshiriueshëm në zyrat e vendimarrjes politike ndërkombëtare.
Ky disponim antiKurti është i mirëseardhur për opozitën, tani në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, dhe çdo aksion politik i Qeverisë së Kosovës, që ka të bëjë me veriun e vendit, tash e tutje nga opozita do të lexohet me syzat e mjegulluara të ndërkombëtarëve, paçka se në ato syza Kosova herë paraqitet si vilajet i errët i Ballkanit, herë si krijesë e Ahtisarit me shtetësi të papërfunduar.
Kështu ndodhë kur dioptrinë politike e rregullojnë sipas disa syzave të mjegulluara, kurse aksionin politik e mbështet në grushtet e huazuar prej ndërkombëtarëve(!)./Pamfleti
Lini një Përgjigje