Hyrja e Shqipërisë në BE nuk do të sigurohet nga fasada që ofron Rama, por nga kredencialet e saj demokratike, dhe tani për tani ato janë në provë. Asnjë zyrtar, pavarësisht se sa i lartë është, nuk duhet të jetë i imunizuar ndaj hetimeve për shkeljen e ligjit. Por asnjë qytetar, sado i profilit të lartë, nuk duhet të ndalohet pa akuzë ose pa proces të rregullt ligjor. Jo në një demokraci. Jo në një vend në rrugën drejt Evropës...
E kam vizituar rregullisht Shqipërinë për 14 vitet e fundit. Kjo marrëdhënie e qëndrueshme, nisi kur udhëheqësi i atëhershëm i opozitës, Edi Rama, i sapodalë nga humbja e zgjedhjeve që ai pretendoi se ishin manipuluar, më kërkoi që ta ndihmoja në hartimin e strategjisë së tij për zgjedhjet e ardhshme.
Ai i fitoi ato, me një shumicë dërrmuese dhe u bë kryeministër në vitin 2013. Tani, sapo ka fituar mandatin e tij të katërt në pushtet, një arritje mbresëlënëse për çdo udhëheqës në botën moderne demokratike.
Festimet nuk kishin mbaruar ende, kur Rama priti samitin e fundit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, një shenjë se Shqipëria është ngritur vërtet në skenën ndërkombëtare. Emmanuel Macron, Friedrich Merz, Keir Starmer, Recep Tayyip Erdoğan, Volodymyr Zelensky, Giorgia Meloni, Ursula von der Leyen… të gjithë liderët e vendeve të mëdha shkuan në një vend që shumica e kishin shmangur për dekada.
Në fakt, Starmer ishte kryeministri i parë në detyrë i Mbretërisë së Bashkuar që e vizitoi Shqipërinë. Me një gjatësi të konsiderueshme, Rama ngrihej lart, si fizikisht ashtu edhe politikisht, mbi këtë ngjarje. Besimi i tij dhe i vendit që drejton ishte i dukshëm.
47 udhëheqësit evropianë mbërritën në aeroportin me rritjen më të shpejtë të pasagjerëve në Evropë. Ata u pritën me një film të krijuar nga Inteligjenca Artificiale, në të cilin ata (si fëmijë), thanë njëri pas tjetrit “Mirë se vini në Shqipëri!” në gjuhën e vendit të tyre.
Edhe Erdogan qeshi. Salla e ndërtuar enkas për atë samit, ishte zbukuruar me letër-muri të bërë nga vizatimet me stilolaps që Rama, një artist përpara se të hynte në politikë, i bën gjatë procesit të punës. I gjithë samiti dërgoi një mesazh të qartë: Shqipëria nuk kërkon më thjesht një vend në tryezën e bisedimeve; ajo është gati të ndihmojë në ndërtimin e saj.
Perspektiva e anëtarësimit në BE deri në vitin 2030 është realiste dhe ka rëndësi, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Evropën. Sepse zgjerimi sjell me vete një siguri më të madhe dhe bashkëpunim më të thellë kundër paqëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor dhe forcave të liga me në krye Rusinë.
Por anëtarësimi në BE, nuk jepet vetëm bazuar tek ambicia. Ai fitohet nëpërmjet vlerave demokratike, reformave dhe mbi të gjitha, nëpërmjet sundimit të ligjit. Dhe këtu Shqipëria e ka një problem. Vitet e fundit, ajo ka shënuar një përparim të vërtetë në reformën në drejtësi, thelbësore për të riparuar dëmin e shkaktuar reputacionit të saj nga korrupsioni.
Krijimi i SPAK-ut - Strukturës Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar - ishte një hap i rëndësishëm. Ajo u krijua me mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së, dhe duke vepruar në mënyrë të pavarur nga qeveria, ka prodhuar rezultate dramatike: zyrtarë të lartë, ministra dhe deputetë, kanë qenë midis atyre që janë ndjekur penalisht.
Pra SPAK e ka bërë të qartë se korrupsioni nuk është më një akt pa pasoja. Por me pushtetin vjen edhe përgjegjshmëria; dhe me pushtetin e ri gjyqësor vjen një barrë edhe më e madhe: të veprohet në mënyrë të drejtë, proporcionale dhe me transparencë.
Kjo është edhe arsyeja pse ajo që po i ndodh kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duhet të na shqetësojë të gjithëve. E kam njohur Veliajn prej aq kohësh sa e njoh edhe Ramën. Një koleg i Partisë Socialiste dhe ish-anëtar i stafit të Ramës, ai shihet gjerësisht si një pasardhës i mundshëm.
Sipas SPAK-ut, ai ka drejtuar një skemë komplekse ryshfeti dhe pastrimi parash, përmes një rrjeti OJQ-sh dhe kompanish të kontrolluara nga gruaja dhe vëllai i tij. Nëse është e vërtetë, kjo është skandaloze, dhe ai meriton të ndëshkohet.
Megjithatë, ekziston një NËSE e madhe. Sepse ai po mbahet në paraburgim prej më shumë se 100 ditësh pa akuza, duke mos e ditur cilat ka të ngjarë të jenë akuzat, ndërsa mbetet kryetar bashkie dhe pret të vazhdojë të drejtojë kryeqytetin. Dhe e gjitha kjo nga SPAK, institucioni që synon të mbrojë sundimin e ligjit, jo ta kompromentojë atë.
Reforma gjyqësore nuk mund të shndërrohet në tejkalim të sistemit. Lufta kundër korrupsionit, nuk mund të bëhen mbulesë për veprime arbitrare. BE-ja nuk duhet të mbyllë sytë. Sepse, nëse procesi i anëtarësimit do të ketë ndonjë kuptim, ai duhet të mbështesë vetë vlerat mbi të cilat është ndërtuar bllokut: procesi i rregullt ligjor, integritet i sistemit gjyqësor dhe respektim i të drejtave të njeriut.
Asnjë zyrtar, pavarësisht se sa i lartë është, nuk duhet të jetë i imunizuar ndaj hetimeve për shkelje. Por asnjë qytetar, edhe ai profilit më të lartë, nuk duhet të ndalohet pa akuzë ose pa proces të rregullt ligjor. Jo në një demokraci. Jo në një vend në rrugën drejt Evropës.
Ajo që pamë në Samitin e EPC, ishte një vend që paraqiti kredencialet e tij evropiane me një dinamizëm të vërtetë. Por vendi i Shqipërisë në BE, nuk do të sigurohet nga fasada apo fjalimet emocionuese, por nga përmbajtja e kredencialeve të saj demokratike.
Dhe tani për tani, ato po vihen në provë. Prandaj është koha për qartësi. Nga Brukseli.
Nga shtetet anëtare. Nga të gjithë ata që shqetësohen për të ardhmen e Evropës. Ndalimi arbitrar nuk ka vend në një demokraci evropiane.
Dhe nëse Shqipëria do të jetë pjesë e klubit të BE-së - një qëllim që ajo ka të drejtë ta ndjekë - si ajo, ashtu edhe organet përgjegjëse për procesin e saj të modernizimit dhe anëtarësimit në union, duhet të luajnë sipas rregullave të atij klubi, dhe jo vetëm sipas politikës së tij.
Sepse tek e fundit, sundimi i ligjit nuk është thjesht një kuti për t’u shënuar me X. Është themeli për gjithçka tjetër./Pamfleti nga “The New European”
Lini një Përgjigje