‘Flakareshi amerikan’ ndaj Edi Ramës për SPAK-un...
Nuk ishte aspak rastësi, dalja e këshilltarit ligjor të ambasadës amerikane, David Backman, në krah të kreut të SPAK, Altin Dumani, dhe mesazhet e forta që u dhanë nga Shkodra. Qyteti, që përveçse është vendi i Metamorfozës, është edhe qendra e një personazhi që është shpallur ‘Non- Grata’ nga SHBA, madje përpara Sali Berishës.

Sinjal, që sipas të gjitha gjasave do të nisë edhe hapja e dosjeve në ngarkim të Tom Doshit, i cili është i vetmi nga Non- Gratat e shpallura nga Departamenti i Shtetit, që nuk po hetohet.
Adriatik Llalla është i dënuar, Vangjush Dako ndodhet në burg, Sali Berisha në arrest shtëpie, ndërkohë vetëm ndaj Doshit nuk kanë nisur hetimet.
Por, përveç këtij sinjali të fortë, që fliste vetë, dalja e zyrtarit të SHBA me kreun e SPAK nga Shkodra, ishte një polemikë dhe përgjigje e fortë ndaj mazhorancës. Pikërisht kur tentativat për të ndarmarrë një nismë parlamentare për të kontrolluar SPAK sapo ishin xingërisur nga njerëz afër Edi Ramës, siç është Eduard Shalësi.
Përgjigja e Dumanit për këtë ishte shumë e fortë, siç ishte edhe mesazhi që ai dha si për hetimet mbi rastin MCgonigal, por edhe dosje të tjerë ndaj njerëzve të mazhorancës.
Edi Rama, deri tani ka arritur të adresojë në një farë mënyre rradhën e hetimeve, duke përdorur kohën e mediat për të çuar denoncimet ndaj njerëzve që ai nuk i cilësonte si të afërt me të. Dihet sesi dosjet ndaj Arben Ahmetajt janë përgatitur nga avoketë pranë stafit të kreut të qeverisë, e mediat pro tij kanë shërbyer si tellall për të përforcuar zhurmën. Po ashtu edhe denoncimi i privatizimit të klubit Partizani, është dorëzuar nga Taulant Balla prej kohësh.
Ndërsa deri dje, Edi Rama ka thënë se nuk mërzitej nëse SPAK do të vendoste nën hetim njerëz të rëndësishëm të mazhorancës, pasi ai nuk do t’i mbronte; nëse këto hetime vijnë në rrethin e ngushtë të mazhorancës dhe qeverisë, situata do të bëhej më e komplikuar.
Përshembull, nëse SPAK shkon pranë zyrës së tij, apo tek zyra e ndonjë emri të rëndësishëm siç është kryebashkiaku i kryeqytetit, nuk është kaq e lehtë. E ndaj ka pasur një nervozizëm nga qarqe pranë kryeministrit, duke i dërguar SPAK mesazhe të forta, që janë realisht shantazhe.
Shantazhe, të cilat pritet të shtohen edhe në ditët në vazhdim, pasi nervozizmi duket mjaft i qartë. Sidomos pas hyrjes së prokurorisë speciale në zyrat e bashkisë së Tiranës.
Furtuna, kësaj radhe duket më shumë se një aksion kundër korrupsionit, ngjan me një goditje që paralajmëron ortek të madh politik.
Ndaj edhe temperatura brenda mazhorancës është e lartë, madje aq e lartë sa ka një kaos total e mungesë komunikimi ndërmjet Ramës dhe personazheve kryesore të saj.
Mësohet se Rama është izoluar si Stalini pas nisjes së operacionit “Barbarosa”, ku siç u mor vesh tashmë nga arkivat, arsyen kryesore të izolimit e kishte për të parë se kë ka kundër dhe për të nisur ndëshkimin. Në PS nuk po pipëtin asgjë, i ka tmerruar kjo ndërprerje komunikimi, e sidomos ndryshimet e fundit pa pyetur askënd. Ndryshime, që së paku prej 4 vitesh po ndodhin vetëm si pasojë e hetimeve të SPAK./Pamfleti
Lini një Përgjigje