TAGS-AT E JAVËS

Editorial23 Janar 2024, 13:26

Edi Ramës nuk ka kush ti shkruajë

Shkruar nga Pamfleti

 

Edi Ramës nuk ka kush ti shkruajë
Edi Rama /

 Edi Rama ka mbetur vetëm në pushtetin e tij dhe për një njeri me psikozë të trazuar si ai, ky është mallkimi më i madh që mund të përjetonte...

I mbetur vetëm, me shokët në burg, arrati ose në prag të qelisë, Edi Rama ia ka kaluar pushtetin zëvendëses së tij, e cila jo vetëm që nuk humbet kohë, por po i thith edhe pikën e fundit të palcës, Kryeministrit

Spektaklet e fjalimeve në samitet e BE-së, në Ballkanin e hapur dhe të mbyllur, me diplomatë grekë a maqedonas, nuk e mbulojnë dot realitetin ku gjendet sot Edi Rama. Kryeministri i Shqipërisë ka dështuar dhe me gjithë përpjekjet titanike për ta mbuluar me ar këtë dështim, nëpër show rrjetesh sociale, nuk po ia del dot. E vërteta është se ai është dorëzuar aq shumë sa ka kohë tashmë që ka hequr dorë nga punët e shtetit.

Korridoreve të Kryeministrisë përflitet gjithnjë e më fort mungesa e shefit në zyrën e tij dhe refuzimi i detyrës së udhëheqësit të shtetit. Fshehja pas sulmeve që i bën herë pa here drejtësisë, me gjithë lojën mediatike të mediave afër oborrit për t'i interpretuar ndryshe nga sa është e vërteta këto sulme, në thelb tregon frikën që Kryeministri ndjen deri në palcë për fatin që mund të ketë në një të ardhme të afërt.

Paradoksale!

Në një kohë e vend tjetër, Edi Rama do të kishte të gjitha arsyet e botës për ta shijuar e për të ngritur dolli për pushtetin që ka. Me një opozitë të kalbur dhe të shkërmoqur deri në kufijtë e ekzistencës, me një sistem gjyqësor të përçudnuar, me një drejtësi te re të komanduar, me një parlament e president lodër dhe njerëz që i binden qorrazi, Edi Rama duhet të ishte më i lumtur se Enver Hoxha vaftit.

Por ai nuk është kështu dhe çdo ditë që kalon bëhet më i vetëdijshëm se loja e pisët që ka luajtur me pushtetin që i dhanë shqiptarët, jo vetëm që i është kthyer kundër, por shumë shpejt do t'i hajë kokën.

Edi Rama ka mbetur vetëm në pushtetin e tij dhe për një njeri me psikozë të trazuar si ai, ky është mallkimi më i madh që mund të përjetonte.

Shokët e partisë dhe pushtetit i ranë një nga një. Pas eleminimit të Saimir Tahirit, të gjithë gurët e shahut të Edi Ramës ranë për tu mbyllur me Arben Ahmetajn me të cilin hodhi themelet e perandorisë që gëzon sot dhe Ilir Beqajn që përpëlitet mes lirisë dhe burgut dëshpërimisht.  

"Dëmet e tjera kolaterale" ku bëjnë pjesë njerëzit me të cilët ka vjedhur, pra ata që de jure kanë qenë drejtuesit e kompanive PPP përveçse kanë ikur nga Shqipëria vazhdojnë dhe e kërcënojnë nga larg se mund të bilbilosin në çdo kohë.

Kasta e vjetër e llojit të Gramoz Ruçit dhe Fatmir Xhafajt u tërhoqën në kohë sa për të mos përfunduar në burg dhe punojnë qetësisht në tunelet me të thella, të ushqyer prej pushtetit të Edi Ramës, me dhe pa dijeninë e tij.

Ndërkohë që Rama ishte i zënë duke shkatërruar Shqipërinë,  hienat e kastës së vjetër, zunë cep në errësirë dhe jetojnë të lumtur.

Kështu Ramës i kanë mbetur vetëm një numër i vogël ministreshash, me të cilat është ngopur në të gjitha kuptimet. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo veleritje,  shumica e tyre pritet të përfundojnë në burg së shpejti. E para Elva Margariti, të cilën dashnori vlonjat i bashkisë nuk e ndihmon dot. E dyta Olta Xhaçka që pritet të japë llogari për pronat e ushtrisë që, me bekimin e saj dhe të Ramës, sot i gëzojnë një tufë oligarkësh, ndër ta edhe bashkëshorti i saj e pastaj me radhë Ogerta Manastirliu e Mirela Kombaro, për të cilën ka video ku dëshmohen skandale e vjedhje të mëdha.

Edi Rama është thellësisht i dëshpëruar. Me një kryetar bashkie në Tiranë që ka vite që përpiqet t'i minojë pushtetin, me Soros dhe duke bredhur korridoreve të dyshimta të diplomacisë evropiane, ai ka mbetur vetëm.

Dy hyrjet e reja në qeveri, Arbjan Mazniku dhe Blendi Gonxhe, e vërtetojnë katërcipërisht këtë. Të parin e mori pranë vetes për t'ia hequr Lalit dhe për ta mbrojtur nga skandali i ndërtimeve dhe vjedhjeve në Bashki, ndërsa të dytin për t'ia hequr nga tava SPAK-ut dhe si kujtim kohësh dhe bashkëpunimesh të vjetra.

Asnjë prej këtyre qëllimeve nuk priten të kenë sukses.

Ndërsa ndodhën këto, Ramës i ka mbirë dhe rritur një krah i tretë: Belinda Balluku. Kjo eksperte pushteti aktualisht drejton gjithçka. Ajo nuk është më vetëm eminenca gri, por Kryeministri de facto i Shqipërisë. Belinda vendos dhe ndan paratë e arkës së shtetit, firmos vendime, aprovon, emëron e shkarkon. Belinda është gjithçka sot! Ndërkohë që Rama interpreton me mimikë, intonacione e vokalica zëri fjalimet nëpër Ballkan, Belinda luan pushtetesh. Me intuitën e njeriut që ka vuajtur fort për tu zvarritur shkallëve të pushtetit ajo nuk ka humbur kohë por po punon fort për të mbajtur në këmbë Kryeministrin e saj.

Ndërkohë fati i këtij të fundit po vendoset dhe gjasat janë që kur të prekë fundin askush nuk do t'i shkojë për vizitë Edi Ramës. Shokëve që pati, ua hëngri kokat vetë dhe ata që po i thithin palcën nuk duan t'ia dinë për të./Pamfleti

edi ramës nuk ka kush ti shkruajë

Lini një Përgjigje