Edi Rama ka hyrë në paradhomën e penalizimit amerikan
Mazhoranca ka nisur një lojë ‘qorre’ me SPAK-un, duke hapur zëra se do të krijojë një komision special në Kuvend për ta kontrolluar. Zëra, që me të drejtë po përdoren politikisht nga PD e Lulzim Bashës, jo thjesht për ta mbrojtur prokurorinë speciale, por edhe për të treguar se kjo forcë qëndron përkrah ndërkombëtarëve.
Dhe Lulzim Basha ka folur për skenarin rumun, kur partia aleate e Edi Ramës në Bukuresht që kishte mazhorancën, Partia Socialdemokrate shkarkoi kreun e prokurorisë antikorrupsion Laura Covesi, e më pas kreu i mazhorancës u shpall ‘Non- Grata’ nga SHBA.
Nërkohë që Partia Socialdemokrate Rumune nuk ‘puth’ më në pushtet prej asaj kohe.
Siç i frikësohej Ramiz Alia fatit të Çausheskut, edhe Edi Rama i frikësohet pasardhësit të diktatorit rumun. Por në realitet nuk ka asnjë mundësi që të bllokojë SPAK.
SHBA dhe BE e kanë krijuar në një mënyrë të tillë Prokurorinë Speciale, që kreun nuk e zgjedh as e shkarkon Parlamenti apo mazhoranca, por Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ku edhe pse mazhoranca ka njerëzit e vet, është e provuar se nuk mund të ndikojë në vendime. Siç ndodhi me rastin e Altin Dumanit, të cilin nuk e donte Edi Rama, por amerikanët.
Po përse bëhet e gjithë kjo zhurmë?
Sado komisione që të ngrejë Parlamenti për të thirrur SPAK, prokurorët nuk raportojnë për hetimet, por për statistikat e përgjithshme. Sot, si asnjëherë tjetër, një prokuror mund të nisë një hetim vetë, pa ja urdhëruar me akt administrativ titullari.
Gjithsesi duket qartë se sikleti i Edi Ramës është shtuar, kur në takimin me gazetarët, kreu i SPAK, Altin Dumani bëri të ditur se ka nisur procedura për hetimin e çështjes Mcgonigal. Pra sipas të gjitha gjasave, do të përjetojë pjesën shqiptare të asaj historie, për të cilën ish-shefi i FBI-së së Nju Jorkut, pranoi gjykimin e shkurtuar, pra fajësinë dhe duke u dënuar.
Dhe nëse nis pjesa shqiptare e hetimit, njeriu kryesor që do të pyetet është Edi Rama. Njeriu që e ka takuar dhe ka diskutuar me Charles McGonigal, e për këto takime është penalizuar njeriu i Byrosë Federale të Hetimit.
E pikërisht, shkuarja e Edi Ramës në dyert e SPAK, që është logjike në këtë dosje, shënon një zhvillim bombë në Shqipëri. Në mos i pandehur, që nuk ka gjasa të jetë, pasi i tillë nuk është ende as Sali Berisha as Ilir Beqja, normalisht Rama mund të dalë një person në hetim nga dyert e SPAK.
E nga standardi që ka vendosur edhe vetë Rama, duhet japë dorëheqjen edhe si kryetar i PS edhe si kryeministër.
Ndaj po e nis këtë kryqëzatë politike ndaj SPAK, për të bërë presion sa më shumë. Por fuqia e Ramës ka më shumë peshë kur bëhet fjalë për njerëz që i ka nën vete, e jo për vullnete më të mëdha se ai, siç është rasti i amerikanëve.
Ndaj dje nga Shkupi nuk vonoi të nxjerrë foton me Nënsekretarin e Shtetit të SHBA, a thua se ka marrë pafajsësi. Një kryeministër me një nënsekretar shteti-kjo është shenja e parë e braktisjes që SHBA i ka dhënë Edi Ramës, i cili ka thatësirë disavjeçare takimesh niveli të lartë në Uashington. Që nuk është gjë tjetër veçse paradhoma e penalizimit./Pamfleti
Lini një Përgjigje