TAGS-AT E JAVËS

Editorial15 Janar 2026, 13:10

Politika e numërimit të kufomave

Shkruar nga Gjergj Zefi
Politika e numërimit të kufomave
Politika e numërimit të kufomave /

Përballë protestave masive në Iran dhe mijëra viktimave nga represioni shtetëror, fuqitë e mëdha reagojnë me deklarata të vakëta, duke i matur tragjeditë me pragje politike dhe jo me ndërgjegje njerëzore…

Nëse ka një simbol të pastër të dështimit të rendit ndërkombëtar, është fakti që në vitin 2026, bota ende numëron kufoma për të kuptuar seriozitetin e një krize njerëzore.

Në Iran, mbi 2,400 protestues të vrarë nuk ishin të mjaftueshëm për të alarmuar diplomacitë perëndimore që vetëm prej frikës së “përshkallëzimit” vazhdojnë të mbajnë deklarata boshe për “shqetësim të thellë”.

Në Teheran, regjimi i Ajatollahëve ka zgjedhur sërish rrugën më të vjetër të mbijetesës: represionin brutal. Dhe bota ka zgjedhur rrugën më të vjetër të heshtjes: diplomacinë selektive. Të rinjtë iranianë që sot bien të vrarë në rrugë nuk janë më pak të vlefshëm se ata të Ukrainës, por përsa kohë nuk kërcënohet një gazsjellës apo një aleancë ushtarake, ata mbeten “statistikë”.

Ndërkohë, në SHBA, Donald Trump, duke luajtur rolin e shpëtimtarit nga Twitteri, thërret për “qëndresë” dhe për “ndihmë që po vjen”. Por në thelb, ai po e shfrytëzon tragjedinë iraniane për të mbledhur pikë në fushatat e tij politike. E njëjta gjë ndodhi me Ukrainën, me Venezuelën, me Kubën. Revoltat popullore kthehen në municion politik për liderët perëndimorë që duan të duken të fortë, por pa pasur guximin të përballen realisht me regjimet represive.

Për Perëndimin, vdekja e një protestuesi ka vlerë vetëm kur ajo bëhet virale. Vetëm kur ka kamera. Vetëm kur interneti nuk është bllokuar. Vetëm kur viktima ka një emër që mund të shqiptohet në CNN.

Irani nuk është rasti i vetëm. Ai është pasqyra. Pasqyra e një rendi ndërkombëtar që vendos vlerën e jetës njerëzore sipas interesit energjetik, afërsisë gjeografike dhe shikueshmërisë mediatike. Që e llogarit tmerrin me Excel, dhe nënkupton ndërhyrjen vetëm kur numri i kufomave tejkalon një prag “të përballueshëm”.

Kjo nuk është më politikë e jashtme. Është politikë kufomash. Dhe ajo që po shohim në Iran sot, do të na ndjekë nesër në të gjitha periferitë e heshtura të botës, përfshirë Ballkanin, që gjithmonë është një gjysmë-heshtje larg, shpërthimit./Pamfleti

 

politika e numërimit të kufomave gjergj zefi

1 Komente

  1. N
    Nerim Lumi

    E keqja është se kufomat u krijuan nga trazira të nxitura nga jashtë..Një skenar të tillë e përjetuam edhe ne në Shqipëri edhe në vitet e mbrapshta 89-92 e 97..Ishte koha kur Shqipërinë e donim si gjithë Evropa.Ja ku jemi pas 35 vjetësh.Një kastë prej 5 për qind e popullsisë, zotëron 90 përqind të pasurive natyrore e kombëtare të Shqipërisë.Merrni noc rrokun thotë palloshi që ka zhvatur miliarda euro.Doni më për Belulin...

    Lini një Përgjigje

    Editorial