TAGS-AT E JAVËS

Editorial 9 Janar 2026, 10:29

NATO në kolaps: Trump synon Grenlandën!

Shkruar nga Gjergj Zefi
NATO në kolaps: Trump synon Grenlandën!
Marco Rubio /

Ekspertët paralajmërojnë se një aneksim i Grenlandës nga SHBA do të përbënte një thikë pas shpine ndaj Danimarkës, fundin e NATO-s dhe fillimin e një epoke të re përçarjeje mes aleatëve perëndimorë...

Ndërkohë që bota është ende e përqendruar tek Ukraina dhe lufta e gjatë me hijet e Rusisë, një skenar i papritur dhe tronditës po konturohet në veri të globit: SHBA po konsideron seriozisht aneksimin e Grenlandës, një territor autonom nën sovranitetin danez, dhe një nga pjesët më strategjike të hartës arktike.

Sipas një raporti ekskluziv të Al Jazeera, analistë të lartë perëndimorë po paralajmërojnë Europën që të përgatitet për një tërmet diplomatik dhe strategjik, jo nga Moska, por nga vetë Uashingtoni.

Dhe kjo nuk është thjesht një ide në tavolinat e think-tankëve: paralajmërimi vjen në një klimë tensioni të rritur mes administratës amerikane dhe Evropës, ku SHBA po e sheh gjithnjë e më pak veten si “garanti i sigurisë kolektive”, dhe gjithnjë e më shumë si një superfuqi që vepron sipas interesave të veta, edhe në dëm të aleatëve të vet më të vjetër.

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka dhënë një mesazh të pazakontë për një aleat të NATO-s: çdo tentativë për të marrë Grenlandën do të konsiderohet një akt agresioni, me pasoja të rënda për aleancën. Madje deklaratat në Kopenhagen janë më të forta: “Nëse amerikanët zbarkojnë në Grenlandë pa leje, ne do të qëllojmë pa paralajmërim.”

Në këtë kontekst, NATO është në krizën më të thellë të ekzistencës që nga krijimi i saj më 1949. Sepse nëse një shtet anëtar sulmon një tjetër, vetë logjika e mbrojtjes kolektive rrëzohet. Në vend të parimit “sulmi ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve”, kemi një skenar ku një anëtar i fuqishëm sulmon një më të vogël për të marrë territor.

Kjo situatë nuk është thjesht një çështje mes Uashingtonit dhe Kopenhagenit. Ajo është një alarm për gjithë Evropën. Sepse sot është Grenlanda, nesër mund të jetë Islanda, apo ndonjë bazë tjetër strategjike në territorin evropian. Ndërkohë që Rusia dhe Kina forcojnë praninë në Arktik, Amerika po shkon drejt rrugës së unilateralizmit agresiv dhe imperializmit gjeopolitik.

Ndërkohë në SHBA, kundërshtimet ndaj kësaj ideje po rriten. Disa republikanë e shohin aneksimin e mundshëm si një aventurë të rrezikshme që mund të izolojë Amerikën dhe ta kthejë në një fuqi të urryer nga aleatët. Por influenca e një krahut agresiv në politikën e jashtme amerikane nuk duhet nënvlerësuar, sidomos nëse Trump nuk tërhiqet.

Për Evropën, ky është momenti i së vërtetës. Të vazhdojë të jetojë nën ombrellën e një aleance që nuk i garanton më siguri, apo të ndërtojë një arkitekturë të re mbrojtjeje dhe strategjie, që nuk varet nga humoret e Uashingtonit.

Ky zhvillim ka domethënie edhe për Ballkanin. Sepse nëse NATO shpërbëhet ose dobësohet thellësisht, garancia e sigurisë që ka penguar shpërthime të reja në rajon do të zbehet, dhe vendet si Shqipëria do të mbeten në një boshllëk gjeopolitik me shumë rreziqe.

Historia e Grenlandës mund të jetë pikënisja e një kapitulli të ri të errët në marrëdhëniet transatlantike. Dhe ne duhet të jemi të përgatitur, sepse këtë herë, rreziku nuk vjen vetëm nga Lindja./Pamfleti

 

nato në kolaps trump synon grenlandën

Lini një Përgjigje

Editorial