Sali Berishës i erdhi dita, që jo rastësisht ndodhi në ditëlindjen e një tjetri profeti të rremë- Stalinit...
Sot, Sali Berisha është i lirë të arrestohet me vendim parlamenti, e sipas të gjitha gjasave ai do të mbyllet në arrest shtëpie. Po përveç anës proceduriale, sot po përjetojmë edhe perëndimin e një heroi kallp, që në fakt nuk ka qenë asnjë ditë i tillë. Një profet i rremë, si ata mashtruesit që shfaqen në derë me libra të shenjtë për të shitur një filtër uji...
Po kush është realisht Sali Berisha? Një mjek? Një komunist? Një spiun? Apo një përbindësh?
Këtë nuk e zgjidhim sot, por është fakt që Sali Berisha nuk ka qenë asnjë ditë një hero, madje ka qemë më shumë një profet i rremë, pasi si ai hoxha i anektodës; u ka thënë njerëzve bëni si them unë, por jo si bëj unë.
Sepse po të bënim si Berisha, do të bënim të gjithë 17 kulla, ku truallin do ta merrnim me vendim qeverie, të firmosur nga ai.
Por kjo s’është gjë para tmerrit të goditjes pa asnjë mëshirë të çdo personi që ai e quante konkurent ose rival. Të gjithë kundërshtarët e tij në Partinë Demokratike, Sali Berisha i ka sulmuar, shkatërruar, dërrmuar, e me raste dhe kthyer në skllevër, si pasojë e pushtetit.
Sot, Sali Berisha është një i pandehur që nuk kthehet dot në akuzues, sepse këtë ka bërë gjithë jetën. Sot i ka ardhur dita të akuzohet, ku natyrisht edhe mund të protestojë e inatoset, por nuk e bën kurrë si një akuzues, vetëm si njeri nën hetim.
Kush është Sali Berisha nesër?
Një njeri që ka marrë zvarrë opinionin publik për vite e vite, vetëm për të mos ardhur në këtë ditë, por ja që erdhi. Një person që është përgjegjësi kryesor dhe direkt që i ka dhënë Edi Ramës fuqinë e një monarku, i cili për ta mbajtur në zgjedhë i ka dhënë gjithçka, para, tenderë e leje ndërtimi.
Një njeri që e ka ditur që kur humbi pushtetin në vitin 2013 se nuk rikthehej më. Por e mbajti peng opozitën vetëm që të vononte ditën e gjykimit të tij. E cila i erdhi sot, megjithëse me një lëshim. Pasi Sali Berisha është i akuzuar për një krim që mund ta kontestojë, siç është privatizimi i klubit Partizani.
Ende, atij nuk i kanë ardhur akuzat e dosjet për krimet e rënda, si Gërcedi, 21 janari apo vrasja e Remzi Hoxhës, ku do të flasin viktimat, të cilët kanë vite që luftojnë për të vërtetën.
Gjasat janë që Edi Rama do t’ja shtyjë gjithnjë e më shumë.
Perëndimi i këtij profeti të rremë të Shqipërisë postkomuniste ishte i pritshëm, por natyrisht jo kaq vonë, ku breza të tërë janë rritur me mendimin që kanë mbi krye një personazh që është i gjithi ‘fake’, madje është mbreti i falsitetit në këtë botë.
Sali Berisha, sikur të ishte më i miri i botës, sot nuk do të pranonte të qëndronte në fron, por do të përgatiste njerëz që ta drejtonin vendin në mënyrën sa më mirë të mundshme.
Sali Berisha, sikur të ishte më i zgjuari në botë, sot do të gjente njerëzit, shkencëtarët, mjekët, mësuesit, inxhinierët më të zot që do ta pasonin. Por Berisha nuk ia dha rolin e pasuesit një mjeku që ende ka respekt për të, doktor Ilir Alimehmetit, i cili pëlqehet në popull, madje më shumë nga Sali Berisha. E për këtë doktor Berisha u mërzit shumë, aq sa vuri Belindin si kandidat për bashkinë e Tiranës, pasi e dinte se doktor Alimehmeti ishte antipodi tij: Nuk shan, nuk flet dokrra, nuk është profet i rremë që do të sjellë mrekullinë, por u flet njerëzve thjesht atë që di, atë që njeh, e për këtë është shumë popullor, shumë i dashur. Madje mund të ishte bërë pafrikë jo vetëm kryebashkiak i Tiranës, por mund të jetë edhe sot një kandidat i denjë i shqiptarëve që nuk e duan Edi Ramën.
Por Sali Berisha nuk e do doktor Alimehmetin, jo sepse ai është i “butë” por sepse është shumë i fortë dhe nuk pranoi të kthehet në një vegël, por qëndroi një person i lirë, edhe pse gjithmonë ka qenë luajal e në respekt ndaj doktorit.
Berisha nuk e ka dashur asnjëherë një pasardhës të tillë, prandaj nuk e ka afruar, sepse kërkon një person që të flasë si ai, të këpusë kopaçe e të gënjejë si ai. Një demagog klasi. Sepse Sali Berisha nuk se ka besuar ndonjëherë në ndonjë gjë, thjesht ka djegur botën për pushtetin e tij. Si të gjithë profetët e rremë. E sot, i ka ardhë dita, që jo rastësisht ndodhi në ditëlindjen e një tjetri profeti të rremë- Stalinit./Pamfleti
Lini një Përgjigje