Edi Rama po bën aleancë me djallin, duke paralajmëruar se nuk do të jetë në një linjë me prokurorinë Speciale nëse ajo “guxon” të hyjë në zyrën e tij...
Partia Socialiste e Shqipërisë tashmë mund të konsiderohet jo vetëm një “dele e zezë” e PSE-së, po nuik do vonojë shumë që edhe përjashtimi i saj të bëhet zyrtar.
Pas kërkesës për përjashtim në samitin spanjoll të pak javëve më parë kur u firmos pakti Rama-Meloni, e që Pedro Sanches, kryeministri spanjoll e shtyu vendimin drastik, situata është agravuar.
Në momentin kur u bë e qartë se në festën e Giorgia Melonit në Romë, i vetmi lider europian, pra pjesë e komunitetit të BE-së që do të merrte pjesë ishte Edi Rama, shqetësimi u rrit shumë.
Kreu i Socialistëve Europian, mik personal i Ramës, kryeministri spanjoll Sanches e mori kryesocialistin shqiptar në telefon dhe i transmetoi qëndrimin e të gjithë komunitetit socialist dhe socialdemokrat të Europës. “Nëse shkon, kalon “Rubikonin”. Rubikoni është lumi i famshëm Italian që e kaloi Jul Çezari kur hyri në Romë me ushtri, pra theu sistemin republikan.
Ndërsa marrëveshja për emigrantët me Melonin, edhe pse ishte pastër një pazar politik, mund të fshihej si një pakt shtetëror; dalja e Edi Ramës në festën politike të Fratelli d’Italia, nuk ishte gjë tjetër veçse një mbështetje politike ndaj së djathtës ekstreme italiane në kuadër të fushatës elektorale për Parlamentin Europian që zhvillohet këtë pranverë.
E në këtë aspekt, PSE ka një qëndrim unik, ku socialistët duhet të jenë kompakt, duhet të mbajnë një qëndrim të përbashkët të politikës qendrore, e qoftë larg, të mbajnë qëndrime të ndryshme.
Pra, logjika është që të mos ketë ndikime te partitë e qendrës apo kristiandemokrate që janë pjesë e PPE, ndërsa logjika e një marrëdhënie të një partie socialiste me sovranistët dhe ekstremistët as që mund të mendohet. Po ja që Edi Rama e bëri, e sot të gjithë në median dhe shoqërinë civile europiane nuk e mendojnë, se si një kryeministër socialist, anëtar i PSE-së dhe Internacionales Socialiste të jetë mik i Viktor Orbanit e Giorgia Melonit, të cilët nuk janë rivalë por kundërshtarë real të së majtës europiane.
Siç mësohet, telefonata Sanches-Rama ishte shumë e ashpër, dhe kryeministri spanjoll ka qenë i detyruar të thoshte të gjithë ankesat e kundërshtitë e të majtëve italianë, të cilët e shikojnë Edi Ramën, si një nga të paktët mbështetës të huaj të Giorgia Melonit.
Në një takim të zhvilluar në Romë, ish-kryeministri Italian dhe President i komisionit të BE-së, Romano Prodi e ka sulmuar ashpër Edi Ramën, si një person që po rreshtohet në botën iliberale.
Ndërkaq, aleati i Giorgia Melonit në Spanjë, lideri i të djathtës ekstreme, VOX, Santiago Abascal, një nostalgjik i fashistit Franco, ka deklaruar në parlament se kryeministri i Spanjës, pra kreu i Partisë Socialiste Europiane dhe Internacionales Socialiste duhet varur për këmbësh.
Jemi pra në një kohë, kur një socialist shqiptar, jo vetëm që nuk duhet të zgërdhihej në detin e postfashistëve italianë, e të merrte pjesë në atë festë idiote, por as të çonte mesazhe në rrjete sociale.
Në Kongresin e PS-së në Tiranë, që u zhvillua një javë më parë nuk ishte Giorgia Meloni që përshëndeti, por kreu i PSE Pedro Sanches.
Giorgia Meloni, kur SHBA e shpallën Sali Berishën Non Grata, i çonte mesazhe dhe e njihte si figurë kryesore të opozitës.
Thënë si rezultante; Edi Rama po bën aleancë të qartë me të djathtën ekstreme europiane, vetëm që të distancohet nga SHBA e BE që janë mbrojtesit e SPAK. Pra Edi Rama po bën aleancë me djallin, duke paralajmëruar se nuk do të jetë në një linjë me prokurorinë Speciale nëse ajo “guxon” të hyjë në zyrën e tij. Duke i thënë siç e ka deklaruar se SPAK-un e kam krijuar unë e nuk do të lejoj të kalojë “Rubikonin”. Po të jetë puna e kaloj unë. Duke marrë përsipër të shkatërrojë edhe PSSH-në e aleancën e saj me të majtët europiane, e të shpallet si një politikan i ekstremit të djathtë. Ashtu si e nisi në vitin 1990. Dhe PS kështu shkon për ‘bojë’…/Pamfleti
Lini një Përgjigje