TAGS-AT E JAVËS

Editorial16 Dhjetor 2023, 12:23

'Matrioshkat e korrupsionit’: Si po tentohet të bllokohet skema amerikane

Shkruar nga Gjergj Zefi
'Matrioshkat e korrupsionit’: Si po tentohet të bllokohet skema
Matrioshkat e korrupsionit /

Edi Rama nuk do t’i hapë asnjëherë ‘matrioshkat’ e Saliut dhe Ilirit, sepse kështu ai hap ‘kukullën’ e tij…

Në gjithë këto 10 vite, që Edi Rama është kthyer në një mbret thuajse absolut i Shqipërisë, ka një skemë që shpjegohet shumë thjesht ‘mbretërimi’ e tij.

Edi Rama ka bërë një pakt me ndërkombëtarët në lidhje me fushatën e shumëpritur nga shqiptarët, pandëshkueshmërinë.

Reforma në Drejtësi, siç thotë shpesh Edi Rama, u instalua si një pakt i SHBA dhe BE-së me mazhorancën që erdhi në pushtet në vitin 2013.

Ky pakt synonte në vija të trasha që të fuste në sitë të gjithë armatën e gjyqtarëve e prokurorëve, të cilët do të gjykoheshin në një parim drastik të pasurisë dhe integritetit, nga një trupë gjyqtarësh e prokurorësh amerikanë dhe europianë, që janë angazhuar në Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit.

I cili do të kishte, siç dhe e ka, fuqinë e përzgjedhjes dhe vëzhgimit të Drejtësisë së re.

Siç tashmë dihet, mazhoranca e vitit 2013, nuk ishte vetëm Edi Rama, por ishte edhe LSI-ja e Ilir Metës, e cila zotëronte një fuqi të madhe në mazhorancë dhe e kontrollonte totalisht pushtetin ekzekutiv por edhe atë parlamentar.

LSI-ja e Ilir Metës, menjëherë sapo nisi të ngjizet reforma në Drejtësi mori përsipër që të dalë kundër dhe të ndryshojë axhendën politike. Duke mos ikur nga mazhoranca, Ilir Meta mori përsipër objektivin të rrëzojë Edi Ramën, e gjithashtu të ndalojë Reformën në Drejtësi.

Gjithçka nisi në vitin 2014, kur Shqipërinë e vizitoi kancelarja gjermane Angela Merkel. E cila në mënyrë demonstrative nuk e takoi Ilir Metën, i cili në atë kohë ishte numri dy i shtetit. Kryetar i Parlamentit dhe njeriu i dytë më i rëndësishëm i mazhorancëns.

Këtu, në këtë pikë, nisi edhe tandemi Meta-Berisha, që morën përsipër të zbatonin planin për të rrëzuar Edi Ramën, si njeriun që po zbaton reformën e amerikanëve, që Ilir Meta e ka quajtur ‘Ramaforma’.

E prej vitit 2014, e deri në zgjedhjet e vitit 2021, pra në 7 vjet Shqipëria u kthye në një terren të egër lufte ku beteja Berisha-Meta-Rama, eklipsoi çdo zhvillim të brendshëm në vend.

Edi Rama e fitoi këtë betejë, por humbi shumë nga të tijtë, duke përdorur ‘logjikën e matroshkave’ ruse, ku hapet një kukull, e brenda saj del një më e vogël.

Edi Rama, me një diabolizëm perfid, i ofroi ujqve Meta-Berisha, pre nga grigja e tij, pa pasur asnjë mëshirë dhe ndershmëri me të vetët.

Siç dihet kjo luftë nisi me Saimir Tahirin, njeriun më të rëndësishëm të Partisë Socialiste pas Edi Ramës. Sikur sot, Tahiri të ishte aktiv në politikë, jo vetëm që do ta kishte fituar lehtësisht postin e pasardhësit, por do të ishte padyshim një rrezik i madh edhe për Bablokun.

Edi Rama, ua dha me copa ujqve të tërbuar Meta-Berisha për ta shqyer pa mëshirë, ku duhet thënë edhe vetë Saimiri u ofrua vullnetarisht si një “kurban” i nivelit të lartë. E duhet të mos harrohet, se sakrifikimi i Saimir Tahirit nisi pikërisht pas vizitës së tij në zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, ku bashkë me Ramën takoi Barack Obamën dhe Joe Biden.

Një rekord, që deri tani nuk e ka arritur më asnjë politikan shqiptar, madje edhe në nivel më të ulët. Për shembull, Edi Rama, jo vetëm që s’e ka parë më Shtëpinë e Bardhë, por nuk ka shkelur më as në Departamentin e Shtetit.

Ndërkaq, Tahiri, atëherë firmosi me FBI-në ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, që më pas krijoi atë trupë prokurorësh dhe hetuesish, që sot janë kthyer në tmerri i ‘matrioshkave’ të korrupsionit.

Në këtë lojë diabolike, Ilir Meta dhe Sali Berisha, u treguan dilentantë të nivelit të lartë në politikë, pasi i shkuan pas vijës lojës perfide të Edi Ramës.

Ata në vend që të vinin në shënjestër Bablokun e të luftonin qoftë edhe duke pasur aleatë çdo element të PS-së, ranë në lojën e Ramës, duke u kënaqur me prenë që u ofronte ai.

Këtë e bënë me një qëllim të caktuar. Pasi si Berisha, ashtu edhe Meta, e dinin skemën amerikane të ‘matrioshkave’, ku nga një kukull del tjetra. Dhe kështu zgjodhën me koshiencë të plotë që të pranojnë shkatërrimin e tyre dhe të trashëgimisë së tyre politike, vetëm e vetëm që të mos dalin përpara drejtësisë. Pasi sipas tyre, Edi Rama nuk do ta hapë ‘matrioshkën’ e Sali Berishës dhe Ilir Metës, pasi poshtë tyre do të dalë ai vetë.

Ky është thelbi i së gjithës...

Mirëpo, e gjitha kjo solli dërrmimin e plotë politik të imazhit të tyre.

Sali Berisha dhe Ilir Meta, e kanë ditur se nëse do të ndikonin në rrëzimin e Edi Ramës, ata do të binin të parët. Edhe në zgjedhjet e 2021-shit, do të zbulohet shpejt se ata nuk e donin variantin e Lulzim Bashës- kryeministër.

Ilir Meta, madje e ka thënë edhe kur ishte president përpara zgjedhjeve, se ai priste që të zgjidhej lider i opozitës pas 25 prillit 2021. Në një mënyrë kur nuk e priste askush, Ilir Meta i dha një dorë të madhe mazhorancës, kur hapi në opinion, fjalët se me qeverinë e Lulzim Bashës ai do të ishte ministër i Brendshëm.

Ishte pikërisht kjo lëvizje që mobilizoi të gjithë njerëzit që nuk e donin Edi Ramën, që të mos votonin për opozitën e bashkuar më 25 prill 2021. Edhe propaganda e Edi Ramës, synoi pikërisht hapjen e frikës se nëse vjen Basha, atëherë në pushtet nuk do të vinte ai, por Sali Berisha dhe Ilir Meta.

Dy dinosaurët nuk e mohuan asnjëherë, sepse ju interesonte më shumë marrja e opozitës në mandatin e tretë të Edi Ramës, sesa të fitonte Lulzim Basha, me një mbështetje të madhe amerikane.

Kjo ishte edhe arsyeja që SHBA e shpallën ‘Non Grata’ Sali Berishën menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021. Ndërkohë, Berisha dhe Meta nisën luftën me Lulzim Bashën. Sepse e dinë se Edi Rama nuk do ti hapë asnjëherë ‘matrioshkat’ e Saliut dhe Ilirit, sepse kështu ai hap ‘kukullën’ e tij. Kaq e thjeshtë është. Sipas kësaj skeme, nuk do të ketë ndëshkim të Edi Ramës pa ndëshkuar Berishën e Metën, por sa kohë këta janë ende në kutinë e tyre, përpëliten, po nuk vdesin. Sepse janë të lidhur pazgjidhshmërisht si vëllezërit sijamez. / Pamfleti

 

matrioshkat korrupsioni edi rama skema amerikane

Lini një Përgjigje

Editorial