TAGS-AT E JAVËS

Editorial14 Dhjetor 2023, 17:00

Mbreti lakuriq!

Shkruar nga Sokol Dodani
Mbreti lakuriq!
Sali Berisha

I lidhur ngushtësisht me skemat piramidale, në vazhdim me ngjarjet e '97-ës, 98-ës, me zhdukjen dhe vrasjen e disa familjeve në Tropojë, me tragjedinë e Gërdecit me 26 të vrarë, tre të tjerë të vetëvrarë, 300 të plagosur; me vrasjet e 21 Janarit të 4 viktimave në bulevardin e dëshmorëve, ku duke sfiduar drejtësinë, del me deklarata pallmeftari dhe mburraveci, përpara të gjitha kamerave, duke shprehur dëshirë kriminale që do të kishte vrarë akoma më shumë...

Në historinë e saj vetëm një shekullore, Shqipërisë i është dashur mëse një herë të gjendet në udhëkryqe e dilema për jetë a vdekje, të ekzistencës apo mohimit të saj.

Edhe sot ndodhemi në një situatë të tillë.

Shoqëria jonë është e prekur nga një sëmundje vdekjeprurëse siç është korrupsioni, por për fatin e saj të madh, i është ofruar ndihmë nga aleatët e demokracive perëndimore, kryesisht ajo amerikane, siç është reforma në Drejtësi si i vetmi antidot kurues.

Ndërtimi i strukturës së re të drejtësisë, në mënyrë të veçantë trekëndëshi BKH, SPAK dhe GJKK, po mundohet t'i japë fund marrëveshjes së heshtur midis POLITIKËS dhe DREJTËSISË, të këtyre 30 viteve të të ashtuquajturit "tranzicion", ku POLITIKËS i ishte lënë fushë e lirë për të vjedhur shtetin, ndërsa DREJTËSISË i ishte lënë e drejta të vidhte qytetarin.

Kjo periudhë e drejtësisë shqiptare në thelb, ngjan me fabulën e Andersenit, ku një fëmijë (simbol i popullit të thjeshtë), në kundërshtim me gjithë spekulimet e pseudo profesionistëve, kupton që mbreti është lakuriq.

Perceptimi popullor ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë më përpara sesa organet përfaqësuese të tij në konstatimin e krimeve aq të shumta të klasës politike shqiptare.

Lamartin thotë : "Çdo art njerëzor ka krijuar mrekullira, politika në shumicën e saj Monstra".

Megjithëse nuk mund ta pranojë plotësisht këtë shprehje, përsëri nuk mund të mohojë faktin që korrupsioni në Shqipëri dhe shtrirja e tij e tejskajme është krijesë e klasës aktuale politike.

Siç shprehet avokat Ngjela: "edhe pulat e lagjes time e dinë që në Shqipëri korrupsioni është masiv".

Në logjikën e thjeshtë njerëzore, sa më i madh infektimi, aq më i fortë duhet të jetë edhe antidoti.

Por fatkeqësisht, të kundërtën po konstatojmë në realitet.

Për ditë e më shumë një mangësi domethënëse po përforcon në sistemin e ri të drejtësisë, konceptin minimalist të saj!

Le të shohim figurën e ish kryeministrit Berisha.

I lidhur ngushtësisht me skemat piramidale, në vazhdim me ngjarjet e 97-s, 98-s, me zhdukjen dhe vrasjen e disa familjeve në Tropojë, me tragjedinë e Gërdecit me 26 të vrarë, tre të tjerë të vetëvrarë, 300 të plagosur; me vrasjet e 21 Janarit të 4 viktimave në bulevardin e dëshmorëve, ku duke sfiduar drejtësinë, del me deklarata pallmeftari dhe mburraveci, përpara të gjitha kamerave, duke shprehur dëshirë kriminale që do të kishte vrarë akoma më shumë. Si edhe me një seri të pafund vjedhjesh e korrupsioni të përziera bashkë.

I deklaruar 'Non grata' nga dy vendet më të qenësishme perëndimore si SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, ai vazhdon të mbetet fare pa shpjegim deputet në kundërshtim me ligjin mbi statusin e përcaktuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për figurën e deputetit.

Drejtësia e ndrojtur shqiptare, në kundërshtim me pritshmërinë shoqërore që është në përmasa epokale, mjaftohet ta nxjerrë përpara përgjegjësisë vetëm për dosjen në lidhje me kompleksin Partizani?!

Sigurisht që edhe për këtë duhet të jetë i akuzuar, por përpara atyre veprave të tjera ku ka gjak e tragjedi njerëzore, kjo e fundit duket më shumë si një farsë se sa një drejtësi e denjë e shekullit të ri.

Për analogji kjo i ngjan atij piromanit vrasës i cili pasi me aktin e tij ka vrarë pjesëtarët e një familje, akuzohet për dhunim banese!

Po këtë koncept minimalist e shohim edhe në ndërtimin e akt-akuzave.

Le të marrim shembullin e Gërdecit si një fakt përmbledhës, "par excellence".

Në doktrinën e të drejtave të njeriut, ekziston kapitulli i Neglizhencës Kriminale, që është në të njëjtin stad me atë të krimit kundër Njerëzimit.

Në të thuhet :"... përmbushja e një akti ose mos kryerja parandaluese për të cilin kemi detyrimin ligjor, si nga organet shtetërore apo ato private, të cilat në veprimtarinë e tyre kanë shkaktuar nëpërmjet një mungese përgjegjësie cilësuese, cënimin e integritetit dhe sigurisë fizike të një shumësi personash".

Kjo duket sikur është shkruar enkas për Gërdecin.

Dostojevski në veprën e tij Krim dhe Ndëshkim shkruan: "Nuk përulem përpara asnjë altari institucional, me përjashtim të atij të dhimbjes njerëzore".

Le te shkojmë më tutje, në deklaratën e tij në seancën e mbajtur, para pak ditësh ne gjykatën Speciale të Shkallës së parë, ish ministri Fatmir Mediu deklaron se ndien përgjegjësi morale dhe jo ligjore, në qoftë se kjo seancë do ishte mbajtur në vendet perëndimore, në bazë të doktrinës, prokurori i çështjes, sa herë del në pah aspekti moral është i detyruar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershme të drejtojë një seri pyetjesh me qëllim vlerësimin e shkallës së sinqeritetit të deklaruesit nën akuzë.

Le të shpjegojë çfarë nënkupton ai me përgjegjësi morale.

A ka bërë ndonjë përpjekje për të dhënë nga të ardhurat e tij personale, ndihmesa ekonomike për të dëmtuarit?

A është përpjekur të kontribuojë ai së bashku me te tjerë, për të themeluar një fondacion me objekt: ndihmë përkundrejt viktimave të kësaj tragjedie?

Përse u pranua si i vetmi dënim i tij: zëvendësimi i një posti ministror me një tjetër?

Si e justifikon faktin që ka qenë i dënuar në mungesë në Itali?

A u është drejtuar në mënyrë individuale 326 viktimave të kësaj tragjedie?

Në rast se nga ana e tij nuk është ndërmarrë asnjë akt i tillë, atëherë natyrshëm lind pyetja: në bazë të cilit moral ndjen ky individ përgjegjësi morale?

Por këtë ish ministër shoqëria shqiptare e njeh më së miri, ajo çfarë zhgënjen nuk është mungesa e seriozitetit të tij, por lënia në "harrese" dhe si rrjedhojë pa përgjigje e këtyre pyetjeve, të cilat organi i akuzës, qoftë ky dhe me i thjeshti do t'i kishte bërë.

Në opinion pëshpëritet gjithmonë e më shumë fakti që fatmirësisht kemi specialistë të huaj se për këta tanët, të "fuqishmit" e këtij vendi fërkojnë duart duke menduar se e kaluan dhe këtë herë.

Pra, në analogji, sërish me fabulën e Andersenit, ky institucion që mbart në shpatullat e tij peshën e misionit historik më të rëndësishëm të fillimit të këtij shekulli, nuk mundet dhe nuk duhet të bëhet pjesë e lojës tallëse të korrupsionit përkundrejt pritshmërisë së popullit shqiptar…

Përndryshe shumë shpejt ai do të përngjasë me personazhin e "Mbretit lakuriq". /Pamfleti

Lini një Përgjigje

Editorial