TAGS-AT E JAVËS

Editorial 7 Dhjetor 2023, 15:39

Tërmeti që po vjen nga Ekuadori drejt e në Tiranë

Shkruar nga Pamfleti
Tërmeti që po vjen nga Ekuadori drejt e në Tiranë
Ilir Hidri dhe Remzi Ademi /

Instalimi prej një viti i DEA-s amerikane në Shqipëri, duket se po sjell rezultatet e para të mëdha, e gjasat janë se në kërkim janë kokat e vërteta të narkotrafikut shqiptar që ble me shumicë kokainën në Amerikën Latine...

Në harkun e një kohe të shkurtër kanë rënë në pranga dy personazhe ‘VIP’ të narkotrafikut të kokainës, Dritan Rexhepi dhe Remzi Azemi.

Rexhepi, siç dihet tashmë, u arrestua në një operacion special në Stamboll, ku baroni më i njohur i narkotrafikut shqiptar banonte prej kohësh.

Në Turqi po zhvillohet një “ankand” për kokën e Rexhepit, pasi e kërkojnë policitë e thuajse të të gjitha shteteve të Europës, ku i famshmi i Lumit të  Vlorës është arratisur në mënyrë spektakolare nga burgjet.

E kërkon edhe Shqipëria, ku vetë narkotrafikanti ka shprehur dëshirën që të transferohet e të kryej dënimin, pasi e ndjen veten më komod.

Ndërkaq, tani, sapo është kryer një arrestim tjetër i bujshëm, në Maqedoninë e Veriut. Për të cilin ka shumë pak informacion nga mediat e vendit fqinj, të cilët nuk kanë marrë asnjë lajm nga ministria e Brendshme e Shkupit. E cila në portalin e saj zyrtar nuk ka bërë asnjë deklaratë për këtë arrestim të rëndësishëm.

Lajmi ka ardhur kryesisht nga disa media nga Ekuadori. Të cilat thjeshtë kanë dhënë njoftimin e arrestimit të Remzi Azemit në Maqedoninë e Veriut, por pa u thelluar në asnjë detaj.

Po përse Shkupi zyrtar nuk ka dhënë asnjë informacion, ndërkohë që nga Guajakili e pohojnë?

Këtu nis misteri. Ndryshe nga rasti i Rexhepit, i cili sipas të gjitha gjasave do të largohet shpejt nga Turqia, Azemi nuk kthehet dot në Ekuador për të kryer dënimin, pasi ndërmjet Maqedonisë së Veriut nuk ka marrëveshje ekstradimi. Pra një arrest i mundshëm i Remzi Azemit nga policia apo organet e drejtësisë së MV, do të ishte thjesht një ‘nul’ juridik.

Po ku e morën vesh mediat që ai është arrestuar kur vetë i zoti punës nuk thotë gjë?

Këtu duket se fle lepuri.

Sipas të gjitha gjasave, kemi të bëjmë me një operacion undercover të DEA-s amerikane apo policive të vendeve Europiane, që hetojnë trafikun e madh të kokainës që kryejnë dhe administrojnë grupet shqiptare.

Dalja e njoftimeve të panjohura mirë mbi arrestimin e Remzi Azemit, ngjajnë si dy pika uji me lajmet e përhapura pas vrasjes së Ilir Hidrit në 2017-n në Ekuador. Për të cilën ende ka mjaft tym, e mbi të gjitha ka paqartësi që nuk përputhen. Mediat këtu thonë se Ilir Hidri nga Vora ishte daja i Remzi Azemit nga Kosova, ku mosha e përsonave është e njëjtë, e nuk përputhet asnjë e dhënë. Megjithatë, në atë kohë, në Tiranë doli një lajm se Hidri ishte bashkëpunëtor i DEA-s. Madje ka pasur edhe një kërkesë nga prokuroria e drejtuar nga Llalla në ministrinë e Brendshme për të kërkuar informacion zyrtar nëse Hidri po bashkëpunonte me DEA-n amerikane.

Edhe këtë herë, lajmi për Azemin, i cili është një personazh krejt misterioz, duket se kërkon të çojë mesazh diku.

Lajmet e ardhura nga reporterët shqiptar që kanë qenë në Ekuador për të ndjekur trafikun shqiptar janë shpesh kontradiktore.

Njëherë thonë se Remzi Azemi është vrasësi i Ilir Hidrit, për të cilin theksojnë se e ka dajë, nga ana tjetër shtojnë se vrasësit e Hidrit i vodhën 2 milionë dollarë dhe më pas u vranë në një qytet të Ekuadorit pas disa muajsh.

Ky informacion paksa i rrumujshëm megjithatë fsheh prakaskena të rëndësishme, të cilat duket se ka ardhur koha të dalin në dritë.

Instalimi prej një viti i DEA-s amerikane në Shqipëri, duket se po sjell rezultatet e para të mëdha, e gjasat janë se në kërkim janë kokat e vërteta të narkotrafikut shqiptar që ble me shumicë kokainën në Amerikën Latine. Përkatësisht financuesit e mëdhenj të këtij megatrafiku që ka përmasa miliardëshe.

Në raportin e OKB-së për kokainën për vitin 2023 flitet me qartësi për narkotrafikun shqiptar.  Raport, i cili thekson se grupet shqiptare nga Ekuadori e trafikojnë kokainën kryesisht në Holandë, e më pas nëpër vende të tjera, ku Mbretëria e Bashkuar ka copën më të madhe të tregut.

Raporti i OKB-së thekson se përveç Europës Veriore, kokaina trafikohet edhe në Itali, por edhe në Europën Lindore e Ballkan, nëpërmjet porteve greke, kryesisht Selanikut. / Pamfleti

termeti ekuadori titana kokaina remzi azemi

Lini një Përgjigje