TAGS-AT E JAVËS

Editorial13 Dhjetor 2023, 11:07

A mund të jetë Dom Gjergj Meta, një lider opozite?

Shkruar nga Pamfleti

 

A mund të jetë Dom Gjergj Meta, një lider opozite?
Dom Gjergj Meta /

Kjo është ndarja, ajo vijë e Teodosit për të cilën shkroi Aurel Plasari në vitin 1991. E ky nuk është thjesht 8 nëntori apo 8 dhjetori. Por pasojat që solli njëra dhe tjetra…


Praktikisht duket si e pamundur sepse Dom Gjergji është një klerik. Një “zyrtar” i fesë katolike, që në logjikën e “politikisht korrekt” duhet të jetë i depolitizuar.
Po të vijmë te pyetja e hershme që na ka ardhur si parodi; a është prifti popull? Kur sot e gjithë ditën ne shikojmë hoxhallarë e priftërinj, që jo vetëm bëjnë politikë, por janë protagonist par excellence të politikës së madhe.
Njërin e kemi në krye fare; të Madh Fortlumturinë e tij Anastas, kryepiskopin e Kishës Ortodokse Shqiptare, i cili është realisht një figurë politike e nivelit të lartë. Nga ku dalin jo thjesht ide, por merren vendimet se si do lëvizë politika jo vetëm minoritare, por edhe ajo që tek Athina ka një lidhje të pazgjidhshme. Më shumë se çdo kryeministër i Greqisë, është Anastas Janullatos, i cili bën politikë.
Natyrisht që fortlumturia e tij nuk është i vetmi, pasi politikanët me rraso e xhybe i kemi ngado e ditë përditë. Që lëvizin telat në fushata, por edhe në debate të rëndësishme politike në vend.
Hoxhallarët kryesorë të Tiranës janë të ndarë në bazë të militantizmit partiak, ku një pjesë janë me PS-në e një pjesë tjetër, me PD-në. Dhe të mos harrojmë se Baba Mondi dhe baballarët bektashiane, që thënë të drejtën nuk duhet t’i hymë në hak, konsideroheshin si përkrahës së LSI-së së Ilir Metës.
Megjithatë, diskutimi është në tjetër plan.
Dom Gjergj Meta, një prift me një rol të rëndësishëm në hierarkinë klerikale katolike në Shqipëri, ka qenë gjithmonë i angazhuar në debatin politik. Që e ka thënë mendimin e vet gjithmonë. Si sot kur flet për të mos u ngazëllyer nga filmat e komunizmit, ashtu edhe dje, kur tha se nuk dua të bëhem anëtar i BE-së, nëse ata i mohojnë vëllezërit e mi muslimanë.
Këto deklarata të Dom Gjergjit nuk janë politikisht korrekte. Janë provokative, por një muzikë që u shijon të gjithë atyre që nuk e pëlqejnë këtë mazhorancë socialiste dhe tisin e saj kulturor, mbushur me “Komisarin Memo” apo “Dimrin e Madh”. Larg qoftë, askush nuk kërkon të djegë librat e Kadaresë apo Dritëroit të Madh, por ka në Shqipëri, një pjesë të madhe njerëzish që duan më shumë, madje adhurojnë Padër Gjergj Fishtën, Mitrush Kutelin, Lasgush Poradecin Martin Camajn, Ernest Koliqin, Arshi Pipën, Visar Zhitin etj etj.
Pra kemi dy plejada, dy logjika, dy kultura që gjejnë pikëbashkim tek kombi, tek vendi, te shqiptaria, por jo te mendimi se si duhet bërë ky vend.
E kjo nuk është gjë tjetër veçse thelbi i librit të shenjtë e natyrisht edhe ashti i demokracisë: “Liria e Zgjedhjes”! Zoti i tha Evës mos e ha mollën, por nuk e ndaloi ta kashojë atë.
Po të shohësh me vëmendje, në opinion, njeriu më i “kryqëzuar” nga të majtët nuk është Sali Berisha, por Dom Gjergj Meta.
Vetëm një postim i tij me nota kritike ndaj rilançimit të filmit “Lulëkuqe mbi Mure” pati mallkime shumë më të egra, sesa ndaj atij që e konsideron veten lider i së djathtës në vend, Sali Berishës.
Nuk duhet të jenë të gjithë ata që kanë rrëzuar kishat e xhamitë në 1967, gjasat janë se një pjesë e tyre janë pasardhës, që kujtojnë ende se historinë fituese shqiptare e solli Enver Hoxha, Komisari Memo dhe Abdi Sharra i “Këneta”-s së Fatmir Gjatës. Thënë të drejtën, ka 33 vjet që ka pasur miliona faqe kundër Dritëro Agollit, Fatmir Gjatës apo Shefqet Musarajt, po pak ose aspak vepra që të sfidojnë ato romane e novela që janë në kokën e miliona shqiptarëve sot.
Po kjo nuk do të thotë se nuk ka po aq koka që i urrejnë apo nuk i duan këto vepra.
E kjo krisje kulturore e Shqipërisë, është realisht thelbi i debatit dhe i ndarjes politike në vend. Një pjesë që e duan apo dolën nga diktatura, ose që nuk e duan por janë në një farë mënyre produkt, e një pjesë tjetër që nuk e quan të sajën trashëgimi. Ky kontigjent realisht nuk ka arritur të sfidojë kulturalisht Komisarin Memo, por ka një adresë të saj te tregimet e Koliqit, poezitë e Martin Camajt, apo Librin e Burgut të Arshi Pipës.
Kjo është përballja. E këtu, Gjergj Meta pa ‘dom’ në këtë rast, është më i zëshmi, e nuk ka aspak kompleks ta bëjë debatin. Që i bashkëngjitet edhe Visar Zhiti apo të tjerë. Të cilët nuk janë Sali Berisha, madje e kanë treguar se nuk duan të jenë historia e shtrembër e këtij antikomunizmi hibrid, por thonë thjesht: ne nuk jemi “Lulëkuqet mbi mure”!
Kjo është ndarja, ajo vijë e Teodosit që shkroi Aurel Plasari në vitin 1991. E kjo nuk është thjesht 8 nëntori apo 8 dhjetori. Por pasojat që solli njëra dhe tjetra.
Dom Gjergj Meta nuk është me 8 nëntorin, e as me 8 dhjetorin, por është me trashëgiminë para 8 nëntorit që 8 dhjetori e degradoi. E këtu nis politika reale, këtu nis realisht një debat ku palët ndahen si me thikë.
Pra 8 dhjetori nuk e përmbysi 8 nëntorin, të cilën e trashëgojnë një pjesë e madhe, por jo të gjithë.
Këtu nis opozita reale. Gjithçka nuk është ndarë më 8 dhjetor 1991 po më 8 nëntor 1941. Gjergj Meta, ka konsensus e sulme për këtë, por të paktën është ndër kryesorët që jo vetëm e merr përsipër, por edhe konsiderohet serioz në këtë kauzë.
Këtu realisht mund të nisë opozita shqiptare; që të jetë realisht një anti “Lulëkuqe mbi mure”./Pamfleti

dom gjergj meta lider opozite

Lini një Përgjigje

Editorial