Kështu do t'i kalojmë festat e fundit të vitit, plot adrenalinë! Kush nuk ka ngrohje në shtëpi, në sheshe paralajmërohet temperaturë e lartë politike...
“Gjej një vrimë miu, ku të futesh”, e udhëzoi këto ditë Berisha (ar)mikun e tij, në fushatën e vet të dëshpëruar për tu bërë Krye-opozitar!
Kështu e pat kërcënuar dikur një politikan shqiptar në Kosovë, kundërrevolucionin, armikun e padukshëm, të cilin gjatë viteve ‘80 po e luftonin të gjithë në ish-Jugosllavi, por nuk po e gjenin. “Vrima e miut 300 grosh” u pat bërë ai, një ofertë “biznesi” kundërrevolucionarëve. Pastaj regjimi e bëri vet atë të kërkojë vrimën e miut, pasi kundërrevolucioni nuk kapej dot. Ish Jugosllavia kishte marrë rrokullimën tashmë.
Ndërkohë që Saliu, kërcënon “revolucionin”, kërcënon të djegë edhe vendin, pasi tashmë dogji nga brenda parlamentin. Edin e kërcënon, i thotë të gjejë vrimën e miut që të fshihet, pa e paragjykuar se sa grosh do ti kushtojë krejt kjo, atij. Por, edhe Saliut, që në këtë rast i bie të jetë vetë kundërrevolucioni, po ja përmendin arrestin. E ku arrestohet Saliu? Nuk ka imunitet të përjetshëm?!
Ta zëmë se u arrestua Sali Berisha...
Çfarë do të bëjë Edi Rama, pa “armikun” e tij kryesor?
Si mund të duket një politikan reformist ndër shqiptarë, në Ballkan përgjithësisht, nëse nuk e ka një armik konservator? Kjo përfundimisht godet reputacionin prej reformisti.
Mungesa e një armiku është e metë e pafalshme në politikën shqiptare. Kjo të bën të padukshëm për mediat, sidomos ato sociale. Pastaj, si do ta kuptonte elektorati socialist rrugën e vet nëse Saliu nuk do të kishte si alternativë idetë e feudalizmit shqiptar të viteve ‘30?
Do të luftojë Edi për (ar)mikun e tij politik?
Ose ta kapim nga këndi tjetër. Si mund të dukesh mirë, i kulturuar apo vizionar, edhe kur je egocentrik, pa ndonjë moral politik?
E bën dot pa një armik agresiv, toksik, të lodhur nga mosha dhe pushteti i gjatë?
E bën dot pa dikë, specialist për të krijuar kriza, duke thirrur fantazmat e së shkuarës dhe pa ofruar asgjë tjetër veç hakmarrjes së përjetshme?
Mund të ndërtosh vizionin e një kombi, fare lehtë me një armik të tillë, sidomos të një kombi jo etnik. Pak a shumë kaq thjesht bëhet edhe Qeveria. Edi merr një top dhe e var në mur një kosh/shportë, në zyrën e kryeministrisë. Fton kandidatët për ministra në “intervistë” dhe ndërkohë që kandidati flet, ai gjuan topin drejt koshit. Nëse shënon, kandidati ka këmbë të mbarë, e bënë ministër. Nëse godet me të dytën e bënë zëvendësministër. Pra, vetëm nëse është ters dhe topi nuk do të kalojë në kosh...por, kalon. Edi ja ka marrë dorën. Nuk është krejt aq rastësi. Kur do, shënon, Edi. Pastaj, Edi duhet t’i konsiderojë të gjitha rekomandimet.
Pra, pa një Sali, as Edi nuk do të ishte ky që është. Nuk të formon jeta, shkolla, lufta, të formojnë armiqtë. A nuk është gjithçka perceptim, sot? Mbetet vetëm që Edi ta thërrasë në podcast-in e vet Saliun dhe të bëjnë atë shfaqjen me titull: “I dashur armik”?
Nuk e bën dot, pra. Do të prishej loja politike. E keni parë se si shkoi puna me Lulin? Pajtoheshin edhe kur nuk pajtoheshin. Nuk kishte adrenalinë. Askush nuk i shihte mediat. Pastaj hyri sërish “ujku” në skenën e teatrit politik shqiptar. U kthye në një luftë për karrigen e Krye-opozitarit! Nuk e ka dert Saliu, mjafton të jetë diçka që fillon me “krye”, qoftë edhe krye-opozitari. A nuk ishte në çdo post që fillon me “Krye”? Kryetar partie, shteti, kryeministër dhe tash lufton për postin e krye-opozitarit.
E kemi kuptuar tashmë, se në përrallën politike shqiptare mungon vetëm Kësulëkuqja, e pafajshme, qëllim mirë që të pyes me naivitetin prej fëmije: “Gjysh, gjysh, përse i ke sytë kaq të mëdhenj? Po gojën?”
Kush do ta hante Kësulëkuqen? Ujku apo gjuetari? Edi i bie të jetë gjuetari, në këtë rrëfim, apo jo?
Nuk ka kësulëkuqe, në rrëfimin politik shqiptar. Ujk andej e ujk këndej, në të dy anët e politikës shqiptare eglendisen rrjeteve sociale duke u bërë bisht ... gjuetarëve ndërkombëtarë që ndjekin krimin! Pastaj, ndërkombëtarët e shpallin non-grata Saliun dhe i hapin aferën me ish inspektorin e FBI-së, Edit. Nuk ndahen dot (ar)miqtë!
Tani Saliu, kërcënon Edin , të gjejë vrimën e miut që të fshihet, i thotë. Berishën e kërcënojnë me SPAK-un, heqje imuniteti, por ky nuk i pëlqen vrimat e miut. Preferon të djeg shtëpinë.
Kush do të mbijetojë nga kjo përpjekje për të shuar zjarrin duke e përhapur? Kush do të futet në vrimë për të shpëtuar nga zjarri që rrezikon të ndizet nga lufta e klaneve? Populli, ata që kanë mbetur ende këndej pari ?
Kështu do të kalojmë festat e fundit të vitit, plot adrenalinë! Kush nuk ka ngrohje në shtëpi, në sheshe paralajmërohet temperaturë e lartë politike.../Pamfleti
Lini një Përgjigje