TAGS-AT E JAVËS

Editorial 7 Maj 2024, 19:40

Marrëveshja e Turpit!

Shkruar nga Gjergj Zefi
Marrëveshja e Turpit!
Rama sot në mbledhje grupi

Pas Amnistisë, rezoluta e sotme është marrëveshja e dytë që Edi Rama i ofroi Sali Berishës për të poshtëruar SPAK-un...

Fjalimi i gjatë, shumë i gjatë i Edi Ramës nuk ishte i rastësishëm.

Ai ishte një tjerrje e pafund e fuqisë së pushtetit për t’i treguar Altin Dumanit dhe amerikanëve kufirin e hetimeve. Dhe kufiri është ai dhe njerëzit e tij të ngushtë. Që nuk janë ministrat, as kryebashkiakët, por personazhet që ai i mbron dhe që ka punë me to. Domethënë të fortët dhe njerëzit e rrezikshëm që dihen me emër dhe me mbiemër. Po megjithatë, Edi Rama nuk ka garanci se SPAK do ta lejë të qetë, ndaj siç e shpalli do të çojë në Parlament një dokument, me të cilin i vë kufi Prokurorisë Speciale. Një dokument, që duket se pas amnistisë, ia ofroi Sali Berishës si një 'deal' për të treguar se kush në këtë vend realisht drejton.

Marrëveshja që Rama i ofroi Foltores sot, me emrin rezolutë, nuk ka lidhje me reformën në Drejtësi, por me paktin që SPAK-ut do ti vihet 'kufiri te thana'.

Edi Rama sot ka folur tipikisht si Enver Hoxha, kur deklamonte se grupet armiqësore nuk i ka zbuluar Sigurimi por Partia. E këtë nuk e tha në mënyrë metaforike por edhe në logjikën e ligjërimit të komandantit.

“Kurdo e kurdoherë” përsëriste Edi Rama, për të treguar se është Partia Socialiste, domethënë ai në krye të çdo procesi politik dhe institucuinal në vend.

Në të vërtetë një parti është një aktor politik, që jep votat dhe vullnetin për të ngritur një institucion. Por nuk mund t’ja përmendë më pas nderin se nuk është nder, është qëndrim në zbatim të Kushtetutës.

Rama, më shumë se një herë ka replikuar me Altin Dumanin, duke i treguar kufijtë. Pra ne nuk mbrojmë asnjë person, madje mund të ndjekësh çdo person përveç atyre që mbroj unë. E për të mbështetur këtë, paraqiti marrëveshjen e turpit me Sali Berishën. E cila do të jetë në bazë të zgjedhjeve të 2025. Sipas të cilës Prokuroria Speciale nuk mund të ndjekë penalisht çdo zyrtar, por ato që marrëveshja Rama-Berisha i orienton. Më hetim të indikuar se kaq s’mund të ketë dhe SPAK pas kësaj, nuk mund të jetë një institucion i pavarur.

Por Kryeministri natyrisht nuk e ka me Altin Dumanin, por me amerikanët, të cilëve ju ofron një deal: merre ose jepe. Jo unë, as njerëzit që dua unë, por atë që them unë që të hetohen.

Edi Rama sot ka vërtetuar në mënyrë të qartë se SPAK-un e kërkon si një instrument i diktaturës së tij të proletariatit. Që të hetojë sipas dëshirave, apo kërkesave të “anketës muzikore”. /Pamfleti

Lini një Përgjigje