
Gjashtë vjet më parë një gazetar 27-vjeçar u vra në Sllovaki. Ajo që la pas rrëzoi një qeveri dhe shkatërroi sistemin...
Ján Kuciak nuk e botoi artikullin e fundit. Më 21 shkurt 2018, atë dhe të fejuarën e gjetën të vrarë me armë zjarri në shtëpinë e tyre në Veľká Mača. Kuciak ishte 27 vjeç dhe shkruante për Aktuality.sk, një portal i vogël, jo ndër më të mëdhenjtë në Sllovaki. Por gjatë dy viteve të fundit kishte bërë diçka që në Sllovaki nuk bëhej shpesh: kishte ndjekur paratë.
Temat e tij ishin evazioni fiskal, mashtrimet me fondet evropiane, lidhjet midis politikanëve të partisë në pushtet, SMER, dhe një dege të 'Ndrangheta-s që vepronte në Sllovakinë lindore. Shkrimet nuk ishin të gjata as të stolisura; të mbushura me emra, data, kompani, kontrata. Lloji i gazetarisë që kërkon më shumë durim sesa guxim të çastit, dhe mbi të gjitha një arkivë që mbahet me përpikëri.
Pas vrasjes, Sllovakia doli në rrugë. Më 2 mars, 25 mijë vetë u mblodhën në Bratisllavë. Një javë më vonë protestat u shtrinë në 48 qytete të vendit dhe në 17 qytete jashtë tij; vetëm në kryeqytet u numëruan 60 mijë protestues. Më 15 mars, kryeministri Robert Fico dhe i gjithë kabineti dhanë dorëheqjen. Por nuk ishte vetë protesta ajo që rrëzoi qeverinë. Ishte ajo që u gjet në dosjet e Kuciak pas vrasjes.
Ato dosje nuk u zhdukën dot. Kuciak nuk i mbante të gjitha në kokë; i kishte lënë të shkruara, të ruajtura, të siguruara. Prej tyre dolën prova që preknin jo vetëm politikën, por edhe pjesë të sistemit që supozohet ta mbikëqyrë atë: trembëdhjetë gjyqtarë u akuzuan për pengim të drejtësisë dhe korrupsion; një president policie kreu vetëvrasje, një tjetër u vu nën hetim, i treti u akuzua për drejtimin e një grupi kriminal. Oligarku Marian Kočner, i cili akuzohet si porositës i vrasjes, është ende në gjyq.
E gjithë kjo nisi nga një 27-vjeçar pa një media të madhe pas shpine, pa mbrojtës të fuqishëm. Ajo që kishte ishte një mënyrë pune: të mos linte gjurmë pa i lidhur, të mos botonte pa e pasur të shkruar diku tjetër.
Në Shqipëri, kur flitet për këtë punë, shpesh flitet për guximin personal. Por guximi personal është i brishtë. Ajo që mbetet pas tij, kur punohet siç duhet, është një trup dokumentesh, dosjesh dhe sistemesh që nuk varet më nga njeriu që i mblodhi.
Një gazetar që e ndërton punën mbi një arkivë të ruajtur, jashtë, te njerëz që nuk do të tremben, në një formë që nuk fshihet me një kërcënim, e bën atë punë të pakthyeshme. Sepse pastaj nuk është më fjala e tij kundër dikujt; janë letrat, kontratat, llogaritë.
Sllovakia nuk ishte më e përgatitur për këtë se Shqipëria. Por atje, kur ndodhi vrasja, dosjet nuk u zhdukën. Ato dosje bënë atë që asnjë protestë e vetme nuk mund ta bënte: e bënë sistemin të prekshëm. Të detyruar të iknin nuk ishin vetëm politikanët, por edhe ata që i mbronin nga brenda.
Prandaj nuk është çështje heroizmi. Por nëse gazetari punon në mënyrë që puna e tij të jetojë më gjatë se ai. Kur punon kështu, asnjë porosi, asnjë goditje, asnjë trysni nuk ia ndal më atë që ka nisur. Sepse e vërteta, kur dokumentohet mirë, nuk ka pse të ketë frikë. /Pamfleti
Gjergj Zefi për pak sa nuk u bë Jan Kucak. Kush e ka radhën?
Po por 4 vitr nga vrasja e çiftit, banditi autokrat Trump/Putinist Robert Fico erdhi serisht ne pushtet dhe kesaj rradhe po sigurohet qe kesi “aksidentesh” te mos i ndodhin me.
Këto gjëra janë të zakonshme në autokracitë e vendeve të ashtuquajtura demokratike të ish lindjes komuniste.Rasti për t'u përmendur është Serbia që kemi afër,që është vëllazëruar me rilindjen e plehrave të Tiranës zyrtare.Por mendoj se rasti më flagrant është Shqipëria ku politika hypën majë kalit dhe nuk zbret nga kali edhe sikur të shkundet qielli..përveçse me plumbat e Avni Rustemit,apo Vasil Laçit..Jo tregon se nuk janë vende demokratike,por autarhi afrikane.Vetëm kjo fjalë greke e shpreh mirë formën e sistemit që është instaluar në vendin tonë e edhe në disa vende të lindjes..Apo ...Lum ai që bën petulla për vete ...thonë andej nga malësia...