TAGS-AT E JAVËS

Editorial26 Mars 2026, 09:20

Jep 3 lekë me hy në valle, jep 300 e nuk del dot

Shkruar nga Gjergj Zefi
Jep 3 lekë me hy në valle, jep 300 e nuk del dot
Donald trump dhe Beniamin Netanyahu /

Trump hyri në luftë me gjuhën e forcës dhe me bindjen se imponimi mjafton. Tani po paguan shumëfish për të dalë prej saj, sepse arroganca nuk i zëvendëson as raportet e shërbimeve, as koordinimin me aleatët, as peshën e kostos strategjike.

Ka një dallim themelor mes politikanit që ndizet nga impulsi dhe liderit që udhëhiqet nga gjykimi. Në rastin e luftës me Iranin, Donald Trump po e provon mbi kurrizin e vet këtë diferencë. Ai shpenzoi shumë për të hyrë në këtë përplasje, jo vetëm në terma ushtarakë e financiarë, por edhe në kapital diplomatik, në besueshmëri ndërkombëtare dhe në stabilitet rajonal. Sot, paradoksi është edhe më brutal: po shpenzon akoma më shumë për të dalë prej saj. Jo sepse lufta, në thelb, nuk kishte arsye sigurie apo nuk prodhoi pasoja reale që duhej të adresoheshin. Por sepse mënyra si hyri në të ishte e cunguar, e nxituar dhe e përshkuar nga një mendjemadhësi që shpesh ngatërrohet me vendosmërinë.

Gabimi i parë nuk ishte përdorimi i forcës, por iluzioni se forca e zgjidh vetvetiu problemin. Raportimet e agjensive treguan se vlerësimet amerikane të inteligjencës nuk e shihnin regjimin iranian në prag kolapsi; përkundrazi, ai paraqitej i dëmtuar, por ende i qëndrueshëm. Po ashtu, zyrtarë rajonalë paralajmëruan se Uashingtoni kishte nënvlerësuar gatishmërinë e Teheranit për përshkallëzim. Kur një president hyn në luftë duke shpërfillur pikërisht këtë lloj informacioni, ai nuk po demonstron forcë karakteri; ai po tregon dobësi strategjike. Sepse lideri i vërtetë nuk beson vetëm te instinkti i vet, por di të dëgjojë edhe atë që nuk i pëlqen.

Gabimi i dytë ishte mungesa e rakordimit serioz me aleatët. Europa nuk reagoi si një bllok i mobilizuar pas Uashingtonit; përkundrazi, disa kryeqytete europiane e refuzuan hapur përfshirjen, duke folur për mungesë konsulte dhe paqartësi mbi qëllimet amerikane. Edhe te partnerët e Gjirit u panë rezerva, mosbesim dhe frikë se po përdoreshin si spektatorë të një lufte të nisur pa një arkitekturë të qartë politike për ditën pas saj. Kjo është pikërisht pika ku matet diferenca mes një komandanti impulsiv dhe një lideri shtetëror: i pari mendon se aleatët do ta ndjekin nga graviteti i pushtetit amerikan; i dyti i ndërton paraprakisht kushtet që aleatët të kenë interes ta ndjekin.

Gabimi i tretë ishte arroganca e tejdukshme e narrativës. T’i kërkosh Iranit “të pranojë humbjen”, ndërkohë që vetë po dërgon ndërmjetës, po teston plane armëpushimi dhe po përpiqesh të ulësh temperaturën e tregjeve energjetike, është shenjë e një kontradik­te politike që kundërshtari e lexon menjëherë.

Shtëpia e Bardhë kërcënonte se do ta godiste Iranin “edhe më fort”, ndërsa në të njëjtën kohë pranonte se kishte një propozim për t’i dhënë fund luftës dhe se kontaktet po vazhdonin. Kjo gjuhë mund të prodhojë tituj të fortë për opinionin e brendshëm, por rrallëherë prodhon marrëveshje të qëndrueshme në diplomaci. Sepse pala përballë nuk sheh vetëm fjalët; sheh ankthin që fshihet pas tyre.

Dhe ankthi amerikan është i dukshëm. Çmimet e naftës lëvizin me çdo sinjal për armëpushim ose përshkallëzim. Konflikti ka tronditur tregjet dhe ngushtica e Hormuzit është kthyer në boshtin e krizës globale të energjisë. Kjo do të thotë se kostoja e luftës nuk matet më vetëm me raketa, avionë dhe baza; matet me inflacion, me nervozizëm të tregjeve, me presion nga partnerët importues të energjisë dhe me nevojën për të shpikur sa më parë një dalje politike. Pra, Trump nuk po paguan vetëm faturën e hyrjes në luftë. Po paguan kamatë çdo ditë që nuk del dot prej saj me një formulë bindëse.

Kështu nga njëra anë, SHBA paraqitet si fuqi që dëshiron të imponojë kushtet e mbylljes së luftës. Nga ana tjetër, Irani jo vetëm që nuk po pranon narrativën e disfatës, por po e zgjeron tryezën, duke kërkuar që çdo armëpushim të përfshijë edhe Libanin dhe ofensivën kundër Hezbollahut. Kjo do të thotë se Trump hyri në luftë duke menduar se do të menaxhonte vetëm frontin ushtarak, por tani detyrohet të negociojë gjithë nyjën rajonale që vetë kontribuoi ta ndezë. Është dallimi klasik mes hyrjes së lehtë në krizë dhe daljes së vështirë prej saj.

Në diplomaci, forca ka vlerë vetëm kur shoqërohet me sens mase. Lideri nuk është ai që hyn i pari në betejë, por ai që di pse hyn, me kë hyn, çfarë objektivi politik kërkon dhe si del pa e shndërruar suksesin taktik në humbje strategjike. Trump, në këtë episod, u soll si një lojtar që besoi se presioni maksimal dhe retorika maksimaliste do ta thyenin automatikisht kundërshtarin. Por luftërat serioze nuk janë spektakël televiziv. Ato janë provë për nervat e shtetit, për durimin e aleancave dhe për aftësinë e udhëheqësit që të mos ngatërrojë zhurmën me autoritetin.

Prandaj, problemi i Trumpit nuk është se hyri në një luftë të padrejtë në kuptimin e alarmit të sigurisë. Problemi është se hyri keq: pa e peshuar siç duhet informacionin, pa e harmonizuar frontin aleat dhe me bindjen se arroganca personale mund të zëvendësojë arkitekturën diplomatike. Kjo është arsyeja pse tani po paguan më shtrenjtë për daljen sesa pagoi për hyrjen./Pamfleti

trump lufta jep 3 lekë me hy në valle dhe jep 300 e nuk del dot gjergj zefi

2 Komente

  1. T
    Tony

    Disa njerez kujtojne se skuqen petullat me uje.

    1. F
      Feti Dema

      Pyetja e parë: A ka zgjedhje të lira, të drejta dhe të barabarta në SHBA? Tramp i kontestoi zgjedhjet e 2020 me pretendimin se ja vodhën fitoren. Këtu filloi mllefi i parë ndaj Donald Tramp. Pyetja e dytë: A i akordon Amerika Izraelit disa miliard dollar për mbrojtjen e saj nga çdo rrezik i jashtëm? Pyetja tre: Cilat janë kompetencat ekstra që lobi Izraelit në SHBA shfrytëzon për të ndikuar në zgjedhjet në SHBA? Pyetja katër: Për zgjedhjet për guvernator shteti, prokuror, gjyqtar, kongresmen dhe senator, në shtete dhe për ato federale a janë të avantazhuar ata (lobi I) duke përcaktuar gati avantazhe ndaj të preferuarëve prej tyre? Pyetja e pestë: A shkon ky avantazhim në favor të fiksimit të krahut revanshist të Netanjahut për krijimin e Izraelit Biblik me shtrirje nga Nili në Eufrat? Pyetja e gjashtë: A mund të vihet në rresht pjesa më e madhe e amerikanëve për realizimin e planit të Izraelit Biblik? Pyetja e shtatë: A ndodhet Donald Tramp si ajo ajo nusia në shtëpinë me dhjetë pleqë që nuk e di se kujt tja prish e kujt t'ja ndreq? Z.Zefi ! Unë po vihem në rolin e avokatit të Iranit, Ju vihuni në krahun e Trampit në një bashkëbisedim për mbylljen e konfliktit. Ja versioni im: Na keni ngrën në besë Na keni goditur she keni eleminuar drejtuesit e shtetit kur ishim në bisedime për zgjidhjen e konfliktit. Të gjitha do ti harrojmë e do meremi vesh, por Ju jepni garanci që miku dhe bashkëluftëtuari juaj heq dorë nga Izraeli Biblik, me shtrirje nga lumi NIL deri në lumin Eufrat? Materialin bërthamor po e dorëzojmë në ruajtje në një vënd asnjëanës. Jepni Ju SHBA garanci që Izraeli nuk do përdor raketa balistike taktike me mbushje bërthamore? Delni Ju garant që do na merni hakën? Unë nuk do i përdor raketat balistike kundër Iranit, por po i përdori Izraeli Irani çfarë do bëj sehir? Irani heq dorë nga mbështetja e miqëve të tij në lindjen e mesme, si Hezbullah dhe hutët, por a e ndal Izraeli goditjen ndaj Libanit? A i ndal Izraeli goditjen për ndryshimet e regjimeve në vënde të tjera me anë të forcës ushtarake në bashkëpunim? Z.Tramp ! Do paqe hajt ta nënëshkruajmë. Amerikanët të votuan si 'President Për Paqe'. Shiko se po të pëdorin si kokë turku. Z.Zef ! Punët janë ngatërruar keqas dhe fillesat datojnë larg. Por 1913 koperimi Rotshild dhe Rokfeler dhe avatazhet e 'Parisë së Bankierëve' e kanë varros demokracinë dhe paqen. Ndaj Tramp ndoshta synoi të vendoste pak rregull në 'stanin e derrave'. Këtu fillon dhe mbaron mllefosja ndaj Donald Tramp. Dhe mesa duket të gjithë në botë kanë mbajtur shënime.

      Lini një Përgjigje

      Editorial