Podcasti me “vajzat e Kinës së Re” nuk ishte thjesht një episod kulturor, por një sinjal politik i një kryeministri që ndien ftohjen e Perëndimit dhe provon të luajë me balancat e reja gjeopolitike...
Teksa presioni politik dhe diplomatik nga Perëndimi po shtrëngohet, Edi Rama po kërkon dalje të reja në hapësira që nuk përputhen me boshtin tradicional euro-atlantik të Shqipërisë. Dalja e tij me një podcast të organizuar në bashkëpunim me Ambasadën kineze shihet jo si episod kulturor, por si sinjal i një orientimi të ri propagandistik dhe diplomatik. Në sfond qëndron rritja e influencës kineze në Ballkan, aktivizimi i rrjeteve të soft power-it dhe tentativa për të ringjallur nostalgjinë e vjetër shqiptaro-kineze.
Për një vend anëtar të NATO-s, ky nuk është thjesht një manovrim imazhi, por një çështje që prek drejtimin strategjik të shtetit.
Ilir Meta, kur ishte në kulmin e izolimit të tij, nisi të hidhte shkelma në gjendje të rënduar mendore.
Ishte koha kur bridhte nëpër studio televizive i rrumbullakosur në raki dhe qësendiste amerikanët, duke përmendur armët bërthamore të Rusisë dhe Koresë së Veriut.
Në Presidencë nuk i shkonte askush nga ndërkombëtarët, përveçse në fund, kur i dhanë një mundësi për të dalë nga skena politike, gjë që nuk e pranoi.
Në atë gjendje duket Edi Rama sot, kur politika perëndimore ka bërë të gjitha planet për ta larguar, madje edhe për ta ndëshkuar.
I informuar për këtë lak që po i shtrëngohet dita-ditës rreth qafës, kryeministri shqiptar ka kohë që po mendon lëvizje shmangieje, duke shkuar natyrshëm në mjedise që nuk përputhen me vlerat politike dhe doket perëndimore.
Ka kohë që bredh sa nga një sheik arab te një autokrat i staneve aziatike, ku ka darkuar edhe me një të tillë që pushtetin e mban prej 34 vjetësh, si Aleksandër Lukashenko i Bjellorusisë.
Një lëvizje e tillë e dëshpëruar ishte edhe kinezëria e fundit e Edi Ramës në podcastin e tij, që e transmeton të dielën në mëngjes.
Kur kishte thirrur disa vajza kineze, dhe ku podcastin e mbuloi me një tis gjasme kulturor, njohjen e mirë të shqipes nga të rinjtë e Republikës Popullore të Kinës.
Podcasti i Edi Ramës nuk është gjë tjetër veçse një mjet PR-i i politikës së tij, media ku kreu i mazhorancës bën, sipas një plani të mirëmenduar, politikat dhe ndërhyrjet e duhura në shërbim të reputacionit të vet.
Ai podcast, edhe sikur të ketë një qëllim thjesht civil në një intervistë apo temë të caktuar, nuk mund të shqitet nga qyrku politik i përkatësisë. Ndaj edhe mesazhet që dalin prej kësaj medie nuk janë tjetër veçse politike dhe kanë kodet e tyre të transmetimit.
Ndaj edhe biseda e së dielës me “vajzat e Kinës së Re”, siç e kishte titulluar, nuk ishte një bisedë spontane që një podcastist jo i linjëzuar politikisht mund ta zhvillojë për të pasur impakt në audiencë.
Ajo ishte një intervistë e mirëorganizuar, madje, siç e tha edhe ai vetë, në bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën e Republikës Popullore, me të cilën, po siç e pohoi Edi Rama, kishte letërkëmbime të shpeshta në “një shqipe perfekte”.
Sikur Rama të ishte një gazetar, publicist apo podcastist i lirë, ajo temë që diskutoi me “vajzat e Kinës së Re” natyrisht nuk do të kishte ndonjë relevancë, përveç përmbajtjes së bisedës, në kuptimin e së resë që sjell në publik.
Por Edi Rama është kryeministër i Shqipërisë, e si i tillë, më shumë se ajo që thotë apo sjell, lexohet edhe konteksti, apo ai që quhet mesazh i fshehur.
Si mik i afërt me Aleksandër Vuçiç, Edi Rama i është rikthyer piruetave të tipit ‘lojë me dy karrige’, siç bën shpesh presidenti i Serbisë.
Por ndërsa Beogradi e ka të natyrshme aleancën me Kinën dhe Rusinë, dhe luan për të hyrë në BE, Shqipëria është vend i ngulitur në Perëndim, pasi është edhe vend anëtar i NATO-s.
Ai emision me “vajzat e Kinës së Re”, që flasin në mënyrë perfekte shqipen, mund të transmetohej në çdo televizion kombëtar apo në platformat popullore të rrjeteve sociale, që ka me shumicë në Shqipëri.
Ndërkohë që, kur ai transmetohet në kanalin e kryeministrit të vendit, merr vëmendjen e duhur si një qëndrim apo sinjal politik.
Dhe si për “koincidencë”, kinezëria e Edi Ramës me diplomacinë e Republikës Popullore vjen paralel me një raport të fundit në lidhje me influencën ofensive të ndikimit të Kinës në Ballkan, ku përmendet në mënyrë të veçantë edhe Shqipëria.
Raporti thekson se Pekini ka aktivizuar burime të mëdha financiare në shërbim të propagandës, e cila është e institucionalizuar dhe e ndarë në disa faktorë mediatikë, media e shkruar, audiovizive dhe natyrisht rrjetet sociale.
E gjithë skema funksionon në mënyrë të centralizuar, thekson raporti, duke shpjeguar me detaje metodën e rrjedhjes së financimeve. Kompanitë e rrjetit furnizues të tregtisë nga Kina janë burimi kryesor i fondeve që përdoren për soft power-in e Republikës Popullore.
Në Budapest të Hungarisë ndodhet byroja kryesore e soft power-it kinez, e cila është ndërtuar në formën e një korporate gjigande PR-i dhe marketingu. Kjo korporatë, e cila xhiron shifra marramendëse fondesh, ka degët e saj në çdo vend të Ballkanit dhe Europës Juglindore.
Këto degë janë ngritur në dy pjesë, në kompani marketingu dhe prodhimi mediatik, që më pas shpërndahen qoftë në kanalet zyrtare të propagandës kineze, si radioja shtetërore që transmeton në shumë gjuhë të botës, ashtu edhe në media vendore.
Deri para disa vitesh, Kina ishte përqendruar thjesht në publicitetin mbi fuqinë ekonomike dhe zhvillimet e vendit, por ka dy vite që është ringjallur pjesa e nostalgjisë së miqësisë mes Shqipërisë dhe Kinës.
Dosje të cilën vetëm Pekini, para disa vitesh, kishte drojë ta hapte, ngaqë nuk i gëlltiti sulmet e Enver Hoxhës kundër “revizionizmit kinez” dhe madje as kritikat e ashpra ndaj Mao Ce Dunit, që klika aktuale komuniste e shokut Xi e konsideron tabu.
Rihapja e “dosjes së nostalgjisë” nuk duket një rastësi, por strategji e menduar nga një perandori, e cila po lufton dhëmb për dhëmb me amerikanët për ndarjen e re të botës, ku gjërat po ndryshojnë me minuta.
Vendi që do të zërë Shqipëria në këtë botë të re, asesi nuk mund të jetë pasojë e frustrimeve të një kryeministri, apo zgjidhje e vendosur nga një parti.
Pasi efektet e këtij rreshtimi mund të përfshijnë disa breza të ardhshëm, ndoshta edhe një shekull, siç ka ndodhur pas Jaltës.
Rreshtimi ynë në rendin e ri botëror do të duhet të jetë një zgjidhje e mirëmenduar dhe e vendosur nga të gjithë faktorët e rëndësishëm të vendit, por edhe të hapësirës shqiptare në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Preshevë dhe diasporë./Pamfleti
Podkastisti me tru sa një Struc. Struci fut kokën në rërë dhe kujton se është mbëshef dhe nuk e gjenë armiku. Sot Edi Ramës, Sali Berishë me kompani me siguri ju ka rënë pika. Nuk do ketë luftë të tretë botërore. Do ketë marrëveshje. Pra, nuk do ketë marrëveshje që Edi Rama , Sali Berisha dhe kompani ta heqin për kapistalli Shqipërinë drejt lindjes. Llogaritë bankare dhe pasuritë e fshehura në parajsat fiskale dhe nëpër farë e fisninë kanë kaluar nëpër skaner. Merrni aspirina dhe ngushëlloni njeri tjetrin. Nuk ka mik. Nuk ka me hatër.
Kodoshi Rama e kryekodoshi Berisha marrin mesime nga Beogradi. Mire Serbi qe ka Rusin nga pas e i genjen mendja te talle bythen e te zhvase Europen-Ameriken-Kinen, po keta pabreksit tane qe nuk kane kend si do ia bejne. Ne vend qe te ulin koken e te shohin punen e tyre na dalin si koka qe i adhuron bota. Mire vodhen, grabiten e shkaterruan per 35 vite, te hane e shijone milionat qe kane bere qe mos u ngopshin kurre. Asnje nuk ma mbush mendjen se ka nje Shqiptar inteligjent e te mencur. Cfare mund te presesh nga nje popull bari malesh qe mos themi per me shume se 50 gjenerata nuk ka njohur shkolle e dije e do i duhen 50 gjenerata te tjera te behet me intelekt Europian.