Edi kishte të drejtë kësaj radhe, që na hoqi veshin. Radhën tjetër duhet ta kemi parasysh vet ku e kemi vendin.
Një kushëri i imi, para gjysmë shekulli, shkruajti një roman me titull të ngjashëm. Ai thoshte “Gëte ka të drejtë”. Ai nuk e kishte me Edin, por me shqiptarët e kishte.
Asokohe, në vitet e ‘70, në Kosovë lulëzonte “hermetizmi” në letërsi, ndërkohë që shkrimtarët e Shqipërisë socialiste ishin realistë... socialistë.
E vërteta ishte se as në Kosovë as në Shqipëri nuk flisje atë çfarë të doje, e lëre më ta bëje.
Në Shqipëri, realizëm konsiderohej kur shkruaje siç donte partia.
Ka thënë shoku Edi, diçka, e shkruaje se ka thënë. Përgjegjësinë e mbante shoku Edi, jo shkrimtari. Citoje partinë dhe Edin, gjithçka ishte në rregull me artin tënd. Por, Edi asokohe e kishte emrin Enver, ndërkohë që ky Edi i sotëm vazhdon të mbetet socialist dhe ...realist.
Edi na del i pafajshëm, se është kështu si është. Nuk e kishte zgjedhur as kohën as vendin ku do të lindej. Kur u hapën portat, iku si gjithë shqipëtarët e rruar deri nën lëkurë nga drejtësia proletare.
Lutfiu, ky kushëriri, nuk iku, edhe pse asokohe në Kosovë kishim makina, por lirinë nuk e kishim. Në Shqipëri liria u fitua, por makina nuk kishte. Secili hallin e vet.
Asokohe në Kosovë mund të flisje me metafora, mjaftonte të mos prekje me emër, (ar)mikun e dikurshëm të përbetuar, të Enverit, Titon. Ai, qëndroi në Kosovë dhe bashkë me një gjeneratë të tërë shkrimtarësh shkruanin gjëra që nuk i kuptonte askush. Mbase as kritikët, të cilët atë rrymë e quajtën hermetikë, nuk e kishin idenë se çfarë po thoshin, por ishin ndryshe dhe asokohe mjaftonte të ishe ndryshe. Pak a shumë si arti i Edit. Askush nuk e kupton tamam, por “Arti për artin” si i thonë fjalës. Tash Edi tha ”sporti për sportin” , “pra “nema provokacija”...
Por romanet hermetikë kishin tituj të fuqishëm. Të bënin të mendoje se çfarë ka dashur të thotë autori. Pra, kishte apo nuk kishte të drejtë, Gëte. Kishte si nuk kishte, por as sot e kësaj dite nuk e kam kuptuar se për kë e kishte fjalën Lutfiu. Për Edin? Mbase dhe për Edin. Sigurisht, ke romani tjetër me titullin “Tepër serioz” nuk e kishte për Edin. Mbase për Albinin? Anash Gëten, për temen e sotme Edi është i qartë, Albini është konfuz.
Edi ka të drejtë kur ndalon marshimin e tifozëve “Kuq e Zi” me flamuj ushtarak, flamuj lufte. Nejse flamujt e Kosovës nuk kishte pse i ndalonte, pasi Kosova është shtet i njohur nga Edi, por … vetëm futboll ishte.
Edi vërtetë ishte fëmijë i diktaturës por ai e filloi demokracinë bashkë me Saliun dhe ca tjerë. Sido që ta kenë filluar… e filluan dhe ende po e përkundin në djep, foshnjën e quajtur demokraci. Foshnjë i thënçin djalit apo vajzës tridhjet e ca vjeç, por ja që disa “gjëra të brishta” nuk i rrit dot me ushtimë tupanash apo trumpeta të luftës.
Kështu, Edi, e ndaloi vazhdimin e luftës politike Kosovë - Serbi në stadiumin e futbollit, në Tiranë. Po të bënin ndonjë të pabërë tifozët “Kuq e Zi”, jo vetëm se do humbisnin pikët por do hanin edhe dru nga FIFA
Ne mund të mos jemi socialistë por duhet të jemi realistë... serbët në Tiranë nuk sollën policinë as ushtrinë, sollën ca futbollistë të cilët nuk është se janë kush e di çfarë dhe askund nuk marrin kaq vëmendje. Askund nuk e kanë ndier veten aq të rëndësishëm sa në Tiranë. Shumë prej tyre mund të kenë lindur asokohe kur Serbia po kryente krime në Kosovë. Ndërkohë në vendin e tyre shtetit mesjetar po i dridhen gjunjët para studentëve që i kanë vënë notë të dobët mikut (apo ishte vëllait) të Edit, nuk ka pse futemi në mes tyre me zhurmën tonë të paartikuluar.
Pra, Edi kishte të drejtë. Tifozët nga Kosova nuk mund të diktojnë imazhin e tifozerisë “Kuq e Zi”. Edhe nëse jemi më të zhurmshëm, apo më modernë, nëpër stadiumet e botës ku luan kombëtarja shqiptare, duhet ta kuptojmë se ajo përfaqëson tifozerinë sportive, jopolitike dhe teatri politik nuk i jep nder një shfaqjeje sportive. Edhe po ta shaje, varësisht nga preferencat, me nënë, apo babë, një futbollist serb që luajti ashpër, apo luajti bukur, askush nuk do hidhërohej. Është vetëm sport. Por, lëre fare, me të sharë nuk bëhen golat, as në stadiume futbolli nuk fitohen betejat politike.
Pra, Edi kishte të drejtë kësaj radhe, që na hoqi veshin. Radhën tjetër duhet ta kemi parasysh vet ku e kemi vendin. Nëse na bie të luajmë me serbët drejtpërdrejtë në stadionin “Fadil Vokrri”, Edi të mos vij i veshur kuq e zi. Dardanët nga Tirana të vijnë me flamuj të Kosovës. Edhe Kosova ka kombëtare.
Pastaj, nuk i dihet, ndonjë serb i Kosovës nesër mund të luaj për kombëtaren e Kosovës, e ndalon kush? E përse ta ndalojë? Vetëm të mos bëj autogol ...
Pastaj, Edi, i prirur për marrëveshje të fshehta, mund të ketë bërë marrveshje të fshehtë me “Dardanët!. Ai e njeh Kosovën, e njeh edhe kombëtaren e Kosovës. Po ne?/Pamfleti
Lini një Përgjigje