Meloni u mbyll dyert shqiptarëve, Rama i hap portat e Gjadrit. Sepse për të, pushteti është qëllim në vetvete...
Giorgia Meloni, e ashpër dhe e drejtpërdrejtë, sapo u ka bërë thirrje mbështetësve të saj të bojkotojnë referendumin që kërkon shtetësi më të shpejtë për emigrantët jo-europianë, një vendim që flet qartë: Nuk ju duam si qytetarë, ju duam thjesht si krah pune dhe statistika deportimi.
Kush janë këta emigrantë? Mes të parëve, shqiptarët. Ata që ndërtuan një jetë dinjitoze atje, artistë, sipërmarrës, teknologë, mjekë, njerëz që shërbejnë dhe mbijetojnë çdo ditë me frikën e lejes së qëndrimit.
Po çfarë bën “kryeministri i shqiptarëve kudo që janë”?
Asgjë!
Heshtje me zë të ulët.
Ky është Edi Rama, “vëllai” i “Motra Giorgias”, siç e quan ai me zellin e një shërbyesi të bindur. Dhe ndërkohë që ajo u mbyll derën shqiptarëve në Itali, Rama i hap dyert e Gjadrit për t’i kthyer në gardian të kampit të refugjatëve që Evropa nuk i do.
Për të huajt, ndërton burgje.
Për shqiptarët që jetojnë në Itali prej dekadash, as edhe një deklaratë.
Sepse me Melonin, Rama bën marrëveshje, jo moral. Dhe për hir të këtyre marrëveshjeve, ai nuk përmend asnjëherë dhunën institucionale që u bëhet shqiptarëve në emër të “mbrojtjes së identitetit italian”. As nuk i shkon në mendje të kërkojë publikisht mbështetje për qytetarët e vet, për shqiptarët që punojnë, paguajnë taksa dhe votojnë në komunat italiane.
Po pse hesht Kryeministri?
Sepse ai nuk ka qytetarë, ka projekte. Nuk ka popull, ka plane. Nuk ka komb, ka kontrata. Dhe Meloni është një kontratë politike shumë më e rëndësishme për të, sesa dhjetëra mijë bashkëkombas që i quajnë “albanese di m…” në rrugët e Torinos, Milanos apo Barit.
Rama është gati të ndërtojë gardhe për të huajt në emër të BE-së, por nuk është asnjëherë gati të mbrojë bashkëkombësit e tij.
Hipokrizia e tij është po aq e madhe sa egoja. Dhe sa më shumë përulet para Melonit, aq më shumë shqiptarëve në Itali u përkulet dinjiteti.
Dhe për Melonin, Rama nuk është as vëlla, as mik, as partner. Është thjesht administratori i kampit të radhës, që nuk krijon probleme./Pamfleti
Lini një Përgjigje