TAGS-AT E JAVËS

Editorial 4 Qershor 2025, 10:16

Dora e (pa)dukshme e Trump në krizën politike të Kosovës

Shkruar nga Anton Filippov

Gati 4 muaj pas zgjedhjeve parlamentare, Kosova nuk po zgjedh dot një qeveri të re. Kriza ka vënë në dyshim kredencialet e shtetit të ri në sytë e botës. BE dhe SHBA kanë në dorë zgjidhjen e ngërçit, por Richard Grenell, ish-i dërguari special i SHBA-së për negociatat Kosovë-Serbi, mban lidhje shumë të forta me presidentin serb Vuçiç dhe është shumë kritik ndaj Albin Kurtit...

Dora e (pa)dukshme e Trump në krizën politike të Kosovës
Donald Trump /

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë u mbajtën më 9 shkurt. Por të hënën, dështoi përpjekja e 25-të për të formuar një qeveri të re. Prej gati 4 muajsh, anëtarët e parlamentit janë mbledhur çdo 48 orë për seancat e reja, por nuk po bien ende dakord për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit apo të qeverisë së re.

Për pasojë, shteti më i ri i Evropës e gjen veten në një krizë të thellë politike, pa një rrugëdalje të qartë. Zgjedhjet e fundit parlamentare, i sollën fitoren partisë Vetëvendosje, të udhëhequr nga kryeministri në detyrë Albin Kurti. Por këtu mbaruan edhe lajmet e mira për të.

Partia e tij pati një rezultat më të dobët se sa në zgjedhjet e mëparshme, duke fituar vetëm 48 vende, 10 më pak se herën e fundit. Kjo nuk është e mjaftueshme për të formuar shumicën në parlamentin me 120 vende të Kosovës. Formimi i një koalicioni, ka rezultuar jashtëzakonisht i vështirë.

Arsyeja kryesore e krizës aktuale, është se opozita kërkon largimin e Kurtit nga pushteti, por nuk mund të formojë dot një qeveri të sajën. Po si u mbërrit në këtë pikë? Së pari, vlen të përmendet se Kurti dhe partia e tij përfaqësojnë një brez të ri politikanësh kosovarë.

Një brez, që zëvendësoi ata që kishin luftuar dhe fituar pavarësinë e Kosovës, si dhe njohjen e saj nga fuqitë kryesore perëndimore. Megjithatë, çmimi i njohjes ishin lëshime të rëndësishme për pakicën serbe, të bëra nën presionin e Perëndimit.

Për shembull, dëshira e Perëndimit për të “zgjidhur” çështjen e pakicës serbe, çoi në ngritjen e strukturave qeverisëse paralele në komunat e populluara nga serbë etnikë (kryesisht në veri të vendit). Ndërkohë, Kurti ndoqi një qasje shumë më radikale, e cila është e papranueshme për opozitën.

Në një përpjekje për ta vendosur veriun e Kosovës plotësisht nën kontrollin e Prishtinës, kryeministri i përshkallëzoi në nivele të papara tensionet me BE-në, madje edhe me Shtetet e Bashkuara. Rrjedhimisht, BE-ja vendosi sanksione ndaj Kosovës (edhe pse të buta), ndërsa Serbia nuk u përball me asnjë masë.

Opozita ka frikë se në mesin e rreziqeve në rritje të sigurisë, marrëdhëniet aktualisht të përkeqësuara me Perëndimin, mund të jenë shumë të kushtueshme për Kosovën. Njëherazi, ajo nuk ka mundësi të formojë vetë një qeveri, pasi pakicës serbe i janë të garantuara me kushtetutë automatikisht 10 vende në parlament.

Shumica e tyre mbahen nga partia Lista Serbe, e lidhur drejtpërdrejt me Presidentin serb Aleksandar Vuçiç, i cili është i interesuar në thellimin e paqëndrueshmërisë politike të Kosovës. Nga ana tjetër, presidentja  e vendit, Vjosa Osmani, nuk po nxitohet të shpërndajë parlamentin dhe të thërrasë mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Kjo edhe sepse është e paqartë nëse këto të fundit, do të arrinin diçka tjetër përveç thellimit të mëtejshëm të krizës. Kriza politike, vetëm sa po e përkeqëson situatën tashmë të vështirë të Kosovës: një pjesë e madhe e popullsisë jeton në varfëri, dhe vendi përballet me korrupsionin, krimin e organizuar dhe trafikun e drogës.

Këto sfida, mund të kapërcehen vetëm me ndihmën e Bashkimit Evropian. Megjithatë, pengesa kryesore në rrugën e Kosovës drejt integrimit në bllok, mbetet normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë përmes rifillimit të negociatave dypalëshe.

Bisedimet që po mbahen prej vitit 2013, janë ndërprerë qëkur terroristët serbë sulmuan fshatin Banjskë në Kosovë në vitin 2023. Ndër sfidat me të cilat po përballen deputetët e sapozgjedhur të Kosovës është një tjetër figurë e rëndësishme: Richard Grenell.

Ish-i dërguari special i presidentit të SHBA-së për bisedimet mbi normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, mbetet ende shumë i afërt me presidentin Donald Trump, ka lidhje të ngushta me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, dhe është një kritik i hapur ndaj qeverisë së Kosovës të drejtuar nga Albin Kurti.

dora e padukshme trump kriza politike në kosovë

Lini një Përgjigje