
Dështimi i Blendi Gonxhes, rënia e planit të Ramës për eliminimin politik të Lali Erit...
Edi Rama ka dështuar të prodhojë një kryebashkiak politik për Tiranën pas arrestimit dhe braktisjes politike të Erion Veliajt.
Blendi Gonxhe, i cili u promovua me një superministri dhe fondet përkatëse si “zëvendësuesi natyral” i Veliajt, ka rezultuar një dështim i plotë elektoral dhe politik. Edhe pse mori orientimin e Ramës dhe rezultoi me më shumë vota preferenciale, Gonxhe nuk arriti të barazojë as performancën elektorale të Veliajt në vitin 2021, as të afrohet te ajo e Belinda Ballukut në zonat që ka drejtuar.
Konkretisht, në zgjedhjet e 2021, zona nr. 6 në Tiranë (Kombinati), ku ishte drejtues Veliaj, siguroi mbi 15.600 vota për PS-në. Në zgjedhjet e 11 majit 2025, me Blendi Gonxhen si drejtues, të njëjtës zonë i munguan rreth 2500 vota, duke rënë në 13 mijë. Ndërkohë, në njësinë 14, ku drejtimin e kishte Plarent Ndreca, një figurë më pak e njohur dhe pa rol qeveritar, PS-ja arriti 13.300 vota dhe një diferencë të qartë prej 5 mijë votash ndaj PD-së.
Kjo tregon se Blendi Gonxhe nuk e ka arritur dot as objektivin bazik: mobilizimin e terrenit. Dhe pse i mbështetur nga e gjithë administrata e dikasterit që drejton, si dhe nga stafi i Drejtorisë së Patentave që ka drejtuar më parë, Gonxhe ka konsumuar një nga fushatat më agresive në kryeqytet, përfshirë me njerëz të nëntokës dhe figura të njohura problematike nga Kombinati dhe Yzberishti, një praktikë që nuk është e re në PS, por që në rastin e tij dështoi në mënyrë spektakulare.
Me fushatë agresive dhe mbështetje të plotë nga qeveria, Blendi Gonxhe dështoi të marrë votën e majtë në Tiranë, duke e kthyer planin e Ramës për pas-Veliajn në një farsë elektorale.
Faktori i Erion Veliajt ka qenë i ndjeshëm në këtë përplasje. Vota e majtë e Tiranës është tkurrur në mënyrë të dukshme, një sinjal i fortë se elektorati i PS-së nuk është identifikuar me Gonxhen si pasardhës legjitim. Mesazhi i elektoratit duket qartë: Blendi Gonxhe nuk është Veliaj, dhe PS e Tiranës pa Veliajn nuk frymëzon më.
Historia e Gonxhes në politikë është e ndërprerë dhe pa impakt. Pas një arratisjeje politike në Spanjë në vitin 2001 për shkak të frikës nga ndjekja penale për përmbytjet në Tiranë kur ishte numri dy i bashkisë me Ramën, ai u rikthye në vitin 2013 në sajë të Veliajt, që i dha Drejtorinë e Parqeve dhe më pas atë të Automjeteve, një pozicion me para dhe ndikim. Me përfundimin e koncesionit të kolaudimit, Gonxhe pati një hapësirë të madhe veprimi.
Por përtej funksioneve, ai nuk pati asnjë ndikim politik të matshëm, derisa Edi Rama nisi planin për të eliminuar Erion Veliajn. Me arrestimin e Veliajt, Gonxhe u aktivizua si zëvendësimi i tij, por edhe ky plan rezultoi i pasuksesshëm.
Për ta finalizuar largimin e Veliajt, Rama po përdor të gjithë instrumentet e pushtetit, nga shkarkimet zinxhir të bashkëpunëtorëve të tij në bashki, te terrori administrativ dhe imponimi i një garniture të re “qerosash dhe pensionistësh”. Deri tani Veliaj nuk ka pranuar të dorëhiqet, ndaj në shtator pritet shkarkimi i tij me vendim qeverie, i njëjti skenar si me Shukriun dhe Gjicin. Por ndryshe nga rastet e tjera, Veliaj është kryetar bashkie i zgjedhur drejtpërdrejt dhe ka mbështetje reale qytetare, ndaj shkarkimi mund të sfidohet në Gjykatën Kushtetuese si veprim i paligjshëm dhe me prapavijë politike.
Në sfond mbetet një tjetër pistë: hapja e dosjeve të vjetra ndaj Blendi Gonxhes, për kohën kur ishte drejtor i patentave, si për të balancuar lëvizjen ndaj Veliajt, në rast se loja bëhet shumë e rrezikshme për Ramën.
Në këtë sfidë politike që po përvijohet si luftë për mbijetesë brenda PS-së, duket qartë se Gonxhe nuk është zgjedhja e duhur për kryeqytetin. Ai nuk ka kapitalin politik për ta zëvendësuar Veliajn dhe as për të mbajtur Tiranën në kontroll. Dhe dështimi i tij është një sinjal alarmi për Edi Ramën: një plan i mirë pa një njeri të fortë për ta realizuar, mbetet vetëm një plan i dështuar. /Pamfleti
Lini një Përgjigje