Pas sulmeve ndaj Pamfletit fshihet një histori interesash të përbashkëta, ku politika, drejtësia dhe biznesi takohen larg syve të publikut...
Ka shumë njerëz që janë çuditur me zellin e madh të Jamarbër Berisha (Malltezi) për të sulmuar një nga mediat më kritike ndaj pushtetit në fuqi, Pamfleti.
Dhe kanë arsye të çuditen. Në kushte normale, me një logjikë normale, një personazh opozitar nuk ka përse të bëhet më “katolik se Papa” ndaj kritikëve mediatikë më të fortë të pushtetit të sotëm.
Ndaj është e drejtë pyetja: përse ndodh kjo? Përse ky zell i shtuar i familjarit të kreut të opozitës ndaj një mediaje që kësaj opozite i ka dhënë ndoshta më shumë material se vetë ekspertët dhe mediat e saj?
Pikërisht këtu qëndron kleçka.
Sepse Sali Berisha dhe familja e tij janë kthyer në instrument, apo vegël qorre të kryeministrit, për t’u përdorur sa herë duhet relativizuar apo amortizuar goditja ndaj tij.
Në këmbim të këtij shërbimi, familja Berisha sponsorizohet në të gjitha drejtimet: politikisht dhe ekonomikisht.
Jamarbër Malltezi është i pandehur në dosjen “Partizani”, ku nga një pronë publike, që kishte jo vetëm ndërtesa, por edhe një kompleks të madh sportiv, u ngritën 19 kulla, të shitura më pas si banesa, lokale tregtare apo seli biznesesh.
Ky biznes gjigant i Jamarbër Malltezit dhe familjes Berisha nuk do të ishte ndërtuar nëse Edi Rama, si kryetar bashkie, nuk do të jepte viston, ose të paktën nuk do ta kishte penguar. Më pas, edhe si kryeministër, ai mund ta kishte bllokuar.
Por kjo është vetëm një pjesë e historisë.
Problemi më i madh për familjen Berisha është se ajo është e varur nga Edi Rama për një sërë çështjesh të tjera, të cilat mund ta dëmtojnë edhe më shumë. Bëhet fjalë për dosje të tjera penale, të mbajtura pezull pikërisht që Berisha të mos godasë Edi Ramën dhe familjarët e tij.
Procesi “Partizani” duket tashmë një siklet i menaxhueshëm nga Berisha dhe familja e tij, të cilët kanë marrë të gjitha masat për ta vonuar, instrumentalizuar dhe relativizuar sa më shumë.
Thirrja e Edi Ramës si dëshmitar në çështjen “Partizani” do të jetë një dëshmi e qartë se si palët janë marrë vesh për të mos e acaruar më tej situatën, por për ta mbajtur njëri-tjetrin në tavën politike, juridike dhe ekonomike.
Marrëveshja e fundit mes Edi Ramës dhe Berishës është reforma e tretë politike, që e kthen Parlamentin në dy dhoma, ku në Senat pritet që anëtarët të kenë statusin e Presidentit të Republikës. Pra, sa kohë janë në detyrë, nuk do të kenë ndjekje penale.
Nga ana tjetër, familja e dhëndrit është palë e rëndësishme në ndarjen e kullave që vulos dhe firmos Edi Rama. Lejet jepen si “carte blanche” për familjen e doktorit, për t’u ndarë si kambiale bankare të regjistruara në offshore.
Në këtë tandem të ndyrë, që e ka çuar vendin në një mjerim politik si republikat ish-sovjetike, Edi Rama keqpërdor partnerët e tij duke ua ndërsyer kritikëve që publikojnë skandalet e mëdha korruptive dhe lidhjet me krimin.
Në një farë mënyre, dhëndri nuk është gjë tjetër veçse një ‘gjergjlucë’, vetëm se mban kapele alla frënga./Pamfleti
kta vemje luajn SHAH me popullin, ushtaret para e nuk u plas fare pemë pakokrra